Fundi i status quo-së

0
189

Blerim Shala

 

kosovaRëndom, parashikimet dhe vlerësimet e kësisojta bëhen kah fundi i një viti, kur provohet të shihet se çfarë do të jetë viti i ardhshëm për një shoqëri, për një vend. Por, kësaj here, në rastin e Kosovës, së paku në dy temat kyç politik, diç e tillë mund të bëhet qysh tash, në ditët e fundit të muajit shkurt. Ka sa të duash fakte të disponueshme qysh tash, për të mbërritur tek konkludimet e duhura të cilat janë të bazuara sa i përket vlerësimi që viti 2014, i ardhshmi pra, mund të jetë vendimtari për qëndrueshmërinë afatgjatë të brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës.

Tema e parë është dialogu që po mbahet në Bruksel në mes të qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë.

Tema e dytë është organizimi i zgjedhjeve të reja lokale dhe parlamentare në Kosovë.

Në te dy këto sprova, Kosova mund të dalë mirë, ashtu që të hyjë në një kaptinë të paparë (fatkeqësisht) qysh se është bërë shtet, në atë të stabilitetit të qëndrueshëm, por po ashtu, Kosova mund edhe të ndahet keq me to, për të marrë një tatëpjetë shumë të rrezikshme.

Te dy këto çështje, në anën e tyre teorike pritet të përmbyllen jo më larg se në muajin prill, ndërsa në anën praktike, në atë të zbatimit, më së shumti në gjysmën e dytë të këtij viti do të shihet se si qëndrojnë punët.

Te dialogu, tashmë dihet që janë çelë letrat, si thuhet, prej autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë.

Integrimi i Veriut, me popullatën lokale serbe (po ashtu), shpërbërja e strukturave të sigurisë të Serbisë, jetësimi i Kushtetutës dhe i Ligjeve të Kosovës edhe në këtë pjesë të Kosovës, krijimi i raporteve të besimit midis qytetarëve serbë të kësaj pjese dhe instancave qendrore të Kosovës, janë synime të cilat janë të njohura botërisht.

Të gjitha këto mund dhe duhet të bëhen, duke iu përmbajtur Rendit kushtetues të Kosovës, dhe duke ruajtur funksionalitetin e qeverisjes në Kosovë.

Të gjitha këto mund dhe duhet të jenë pjesë përbërëse e një Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të hynte në fuqi me përfundimin e këtij dialogu, zbatimi i të cilës do të duhej të bëhej nga një instancë ndërkombëtare, me afate të sakta kohore. Përvoja e negociatave dhe e bisedimeve me Beogradin është e njohur mirë për të gjithë ne: Zbatimi i Marrëveshjeve është çelësi i suksesit, apo tatëpjeta e dështimit.

Tema e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e normalizimit të tyre, duhet të hiqet prej rendit të ditës në përpjekjet e Perëndimit për ta stabilizuar këtë pjesë të Ballkanit. Pranvera e këtij viti mund të jetë stina e fillimit të përmbushjes së këtij qëllimi. Nëse humbet ky rast, nuk është vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhë në Veri të Kosovës, dhe me tensionet e vazhdueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga ky pikëshikim pra, vitit 2014 nuk do të jetë vit i status quo-së. Ose do të jetë shumë më i mirë, ose shumë më i keq.

Te zgjedhjet tona, te votimet për qeverisjen lokale dhe atë qendrore, kur përmendet e keqja dhe e mira, menjëherë të bie ndërmend ai rivaliteti në mes të optimistëve dhe pesimistëve, ku të dytët thonë që nuk mund të bëhemi më shumë horë se sa që jemi bërë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2010, e të parët e kundërshtojnë këtë logjikë duke pohuar që neve nuk na dihet, apo që aftësia dhe prirja jonë vetë-shkatërruese nuk njeh kufij.

Brenda pak javëve do ta shohim se çfarë është bërë në ndërmarrjen e përbashkët politike të ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Kjo, natyrisht, është vetëm një aspekt i synimeve që do të duhej të ishin të përbashkëta, për të mos përsëritë turpin e vitit 2010, dhe për të krijuar rrethana kur zgjedhjet në Kosovë do të ishin të lira dhe demokratike, kur thjeshtë do të ndodhte, si në çdo demokraci, përkthimi i vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës në një qeveri lokale dhe qendrore legjitime. Atë që objektivisht, si Kosovë nuk e kemi në dy vitet e fundit.

Në temën e parë, procesi nuk është në varshmëri të plotë prej nesh. Këtë e dimë të gjithë ne. Prej vitit 1998 e këndej, kemi kuptuar që vullneti politik i joni, e drejta e cila reflekton këtë vullnet, sendërton a jetësohen vetëm nëse arrihet partneriteti në mes të Kosovës dhe Perëndimit. Kësaj radhe, duket që roli i Gjermanisë, tok me atë të SHBA-së, do të jetë vendimtar për mbërritjen në cakun e duhur.

Në temën e dytë, gjithçka është në duart tona. Kjo mund të jetë një tjetër arye për shqetësim, sepse në skenën politike kosovare, së paku në rrethanat e tanishme nuk ka vullnet të mirëfilltë politik për tu dakorduar për trajtimin e duhur të kësaj sprove, e cila lëkundi themelet e demokracisë kosovare në dimrin e vitit 2010.

Ligji i zgjedhjeve të përgjithshme mund të bëhet më i miri i mundshëm, me siguri mund të kemi (si zakonisht, para zgjedhjeve lokale dhe qendrore), Kod të mirësjelljes i cili do të nënshkruhet prej të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje, madje, edhe gjatë fushatës politikanët dhe partitë mund të veprojnë pak a shumë sipas pritjeve të qytetarëve, por e mbrama, dhe më kryesorja (siç po shihet gjithnjë e më shumë), është vetë dita e zgjedhjeve, e votimeve, e cila mund të përmbysë gjithë mundin e mëparmë. E këtu, gjithçka do të varet prej vullnetit të partive politike se çka do të bëjnë në ditën e zgjedhjeve. Mund të jetë ky vullnet për të mirë dhe për të keq. As këtu mes nuk ka. E fjala është për fatin e demokracisë në Kosovë.

Blerim Shala është nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. /Express/

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency