Bajlozi i integrimit

0
148

 

BEFigurat tona mitologjike janë zgjuar sërish, për shkak të absurdit të kurdisur nga opozita kryesore e sotme. Po bëhen gati tre vjet që shohim t’i mohohet Shqipërisë statusi i vendit kandidat për në BE vetëm nga kokëfortësia dhe halucinacionet e një lidershipi socialist krejtësisht të papërgjegjshëm për interesat madhore të vendit. Le të marrim thjesht interesat ekonomike. Sapo Shqipërisë t’i ishte akorduar statusi, fondet strukturore të BE-së do të ishin hapur dhe rreth 320 milionë euro në vit do të kishin ardhur tek ne në formën e projekteve të infrastrukturës. Kështu u ndërtua 30 vite më parë e gjithë Irlanda, me projektet e BE-së. Praktikisht i bie rreth 900 milionë euro të humbura nga Bajlozi i integrimit, kryetari i opozitës kryesore të vendit që po mban qëndrimin më absurd të mbajtur nga një personalitet politik në këta 23 vitet e fundit. Vendet kandidate në BE vijojnë të marrin më shumë fonde për çdo banor të tyre nga Bashkimi Evropian. Nëse një shqiptar ka përfituar vitin e kaluar mesatarisht 29.59 euro nga grantet e Bashkimit Evropian, për Kroacinë shifra ishte 34.56 euro, për Maqedoninë 45.2 euro ndërsa për Malin e Zi rreth 54.8 euro për frymë. Por shifra e ndihmave për frymë nuk është kostoja e vetme e mungesës së statusit kandidat. Dëmi më i madh lidhet me mënyrën se si shpërndahen këto fonde. Shqipëria përfiton grante vetëm nga dy zëra të programit IPA, që janë bashkëpunimi ndërkufitar dhe ndërtimi i institucioneve. Të dy këto zëra kanalizojnë pjesën më të madhe të fondeve në asistencë teknike, e cila shpesh shkon për të paguar pagat e ekspertëve të BE-së, që vijnë të trajnojnë administratën shqiptare apo ndihmojnë në ngritjen e institucioneve. Ndaj efekti i tyre në ekonomi është i kufizuar. Ndryshe nga Shqipëria, vendet që kanë statusin kandidat, marrin grante edhe për tre zëra të tjera që janë zhvillimi rajonal, ai i burimeve njerëzore dhe mbi të gjitha zhvillimi rural. Për shembull, në tre vitet e fundit, fermerët maqedonas kanë përfituar nga ndihmat e Bashkimit Evropian 31.5 milionë euro mbështetje direkte. Kjo shifër është gati 10 herë më e madhe se sa subvencionet që ka dhënë qeveria shqiptare nga fondet e Buxhetit te Shtetit deri tani për projektin e saj më të madh në bujqësi, ullishtat edhe pemëtoret e tjera përfshirë dhe arrorët. Kjo do të thotë që fermerët shqiptarë, të cilët nuk kanë përfituar asnjë fond nga Bashkimi Evropian, janë në dizavantazh në tregun rajonal dhe atë evropian krahasuar me fqinjët e tyre maqedonas. Dhe është hipokrizi e pastër premtimi i opozitës kryesore për fermerët tanë për mbështetje të jashtëzakonshme, kur kjo opozitë ka tre vite rresht që u mohon atyre me dhjetëra miliona euro që do të vinin nga fitimi i statusit vend kandidat për në BE nga Shqipëria. Ky status është thellësisht dhe katërcipërisht peng i një aventure politike të pamasë. Në emër të mosfitimit të pikëve për pozitën nga marrja e statusit, fermerëve shqiptarë, praktikisht çdo qytetari shqiptar i mohohet një ndihmë afër një miliardë euro për ekonominë e tyre. Dhe kjo pikërisht në këto kohë të vështira, kur të ardhurat nga emigracioni janë pakësuar ndjeshëm dhe po ashtu kreditimi i biznesit është në ditët më sfiduese. Ja përse opozita kryesore e vendit sot realisht po luan rolin e Bajlozit, duke ua mohuar shqiptarëve “ujin” dhe “detin” perëndimor europian, avantazhet e dukshme dhe të mëdha të përshpejtimit të integrimit. Ja përse zhvillimi i një referendumi për tre ligjet e integrimit duket zgjidhja më syçelët përballë absurdit dhe çmendurisë së Bajlozit modern shqiptar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency