Mori 700 mijë lekë për doganën e makinës, pranga doganierit të rremë

0
375

 Elton Qyno

doganaArrestohet në banesë Artan Kurti, hiqej si doganier dhe mashtronte qytetarët për dokumentet e makinave

Gjykata, pak kohë më parë, dënoi Kurtin me 8 muaj burg. Abuzoi në dy raste me “zhdoganimet” e automjeteve

 

Një person që hiqej si doganier është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi ai ishte shpallur në kërkim nga ana e gjykatës së kryeqytetit. Artan Kurti është vënë në pranga nga strukturat e policisë, teksa ishte duke qëndruar në banesën e tij. Mësohet se Kurti ka mashtruar disa persona, duke u hequr si punonjës dogane dhe nisur nga kjo situatë, ai arrinte t’u merrte shuma të konsiderueshme që varionin nga 700 mijë lekë deri në një milion dhe më pas u premtonte atyre se do të arrinte t’u nxirrte dokumentacionet doganore edhe në rastet kur automjetet që qytetarët sapo kishin blerë kishin probleme me dokumentacionin. Mirëpo një skemë e tillë nuk ka zgjatur shumë, për shkak se Artan Kurti është zbuluar nga policia e Tiranës, por pa mundur të arrestohet prej saj, pasi në momentin e pagimit të lekëve Kurti ka dërguar një person tjetër për marrjen e parave. Personi që ka bërë denoncimin në polici është shtetasi Luan Braho, i cili pasi ka blerë një automjet tip “BMW” nga një shtetas tjetër, është lidhur me Artan Kurtin, pasi ky i fundit i është prezantuar si punonjës dogane dhe se në këmbim të lekëve do të arrinte t’ia plotësonte dokumentet për zhdoganimin e shpejtë të mjetit të sapo blerë. Mirëpo pasi i ka marrë shumën prej 700 mijë lekë të vjetra, Kurti rezulton t’i ketë kërkuar edhe një shumë tjetër, nëse Luan Braho dëshironte të merrte prej tij dokumentacionin e makinës. Nisur nga kjo situatë, Braho ka depozituar një kallëzim në policinë e Tiranës, e cila më pas ka ngritur akuzën e “Mashtrimit” ndaj shtetasit Kurti.

Skema e mashtrimit

Në datën 5 janar 2012, në komisariatin e policisë nr. 6, është paraqitur shtetasi Luan Braho me banim në rrugën “Frano Bardhi”. Ai ka kallëzuar se rreth katër javë më parë ka blerë një automjet “BMW 316” nga shtetasi Taulant Hajro në shumën prej 2000 eurosh së bashku me doganën. Së bashku me Taulantin ishte edhe shoku i tij shtetasi Artan Kurti, i cili iu prezantua si punonjës në Doganë dhe i premtoi se do t’ia bënte shpejt doganën e makinës. Gjithashtu, Artani i tha se po të kishte ndonjë të afërmin e tij që donte të bënte doganën e makinës, ta adresonte tek ai që t’ia bënte sa më shpejt. Luani i tha që një komshiu i tij, Zamir Mejdani, kishte nevojë që të bënte dokumentet për një automjet “Seat Ibiza” dhe Artani i kërkoi 70.000 lekë. Këtë shumë Luani e pagoi nga lekët e tij dhe ai do t’ia merrte më pas Zamirit. Luani i dha Artanit dokumentet që kishte për automjetin e tij dhe atë të Zamirit. Shtetasi Luan priti disa ditë që Artani ti telefononte por kjo gjë nuk ndodhi. Në datën 28 dhjetor 2011 Artani i ka telefonuar Luanit me numër privat dhe i ka kërkuar edhe 30.000 lekë nëse donte që ti merrte dokumentet e dy makinave dhe i la takim tek një lokal tek Piramida. Në këto kushte Luani njoftoi në polici për sa i kishte ndodhur dhe i shoqëruar nga punonjës të policisë shkoi në lokalin ku kishin lënë takimin. Në takim nuk shkoi Artani, por Taulanti i cili kishte me vete edhe dokumentet e dy makinave. Në momentin që Luani nxori lekët dhe Taulanti dokumentet ndërhynë punonjësit e policisë të cilët i shoqëruan për në komisariat. I pyetur në lidhje me ngjarjen, dëshmitari Taulant Hajro ka shpjeguar se ai ishte në dijeni të faktit që Artani i kishte marrë dokumentet e makinës Luanit dhe meqenëse po ia kërkonte atij, Taulanti i tha Artanit që t’ia jepte dokumentet që t’ia çonte Luanit. Artani ia dha dokumentet dhe i tha që Luani do t’i jepte 30.000 lekë që ia kishte borxh. Në momentin e shkëmbimit kanë mbërritur punonjësit e policisë të cilët i kanë shoqëruar në komisariat. I pyetur në lidhje me ngjarjen dëshmitari Zamir Mejdani konfirmon deklarimet e shtetasit Luan Braho në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë që sipas përgjigjes së ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave rezulton se shtetasi Artan Kurti nuk rezulton të ketë qenë ndonjëherë punonjës pranë administratës doganore.

Dënimi me 8 muaj burg

Nisur nga aktiviteti kriminal i Artan Kurtit, i cili e hiqte veten si punonjës dogane, Gjykata e Tiranës ka vendosur dënimin e tij me 8 muaj burg në mungesë. Faktet e mbledhura në dosje kanë treguar se Kurti e ka mashtruar qytetarët duke i marrë para atyre dhe për pasojë, këto veprime kanë sjellë dhe konsumimin me veprës penale të mashtrimit. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar Kurti është shpallur fajtor dhe se nisur nga kjo situatë policia e Tiranës, gjatë kësaj kohe ka mbajtur në monitorim banesën ku jeton familja e Kurtit, duke bërë dhe arrestimin e tij. Kurti në momentin e kapjes nuk ka bërë asnjë rezistencë ndaj uniformave blu, duke bërë që ai të shoqërohet menjëherë në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

 

Ngjarja në Tepelenë, arrestohet Fitim Bakaj

Borxhi 2 milionë lekë, kunati kërkon

të vrasë me pushkë burrin e motrës

 

Një borxh prej 2 milionë lekësh të vjetra është bërë shkak i një konflikti mes dy kunetërve, ku njëri prej tyre ka tentuar të vrasë me armë zjarri burrin e motrës. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Tepelenës, ku policia ka bërë të mundur parandalimin e vrasjes pasditen e të martës. Sipas policisë, Fitim Bakaj, 35 vjeç, ka shkuar në lokalin e burrit të motrës, me një pushkë, duke e kërcënuar se do ta vriste. Sipas burimeve policore, shkak i kësaj situate është bërë një sherr mes vëllait të nuses dhe burrit të motrës, ku Bakaj ishte konfliktuar me burrin e motrës, duke pretenduar se ai i kishte prej disa vitesh një sasi prej 2 milionë lekësh të vjetra dhe nuk ia kishte kthyer ende, në një kohë kur familja me tij ishte kthyer nga emigracioni dhe kishte nevojë për para. Mirëpo veç kësaj, autori i kësaj ngjarjeje ka pretenduar se dikur në Greqi i kishte shkuar kunati i tij dhe se ai e kishte mbajtur me të gjitha të mirat, prandaj që edhe burri i motrës duhet t’ia kthente borxhin, duke qenë se kishte arritur të ndërtonte dhe një lokal në zonën e Tepelenës. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Tepelenës ka mbërritur në vendngjarje, duke bërë të mundur neutralizimin e autorit. Ata kanë sekuestruar armën e cila ishte me fishekë. në gojë. “Rezultoi se ky shtetas për konflikte familjare me kunatin e tij, kishte marrë një armë zjarri pushkë të cilës i kishte prerë qytën dhe tytën dhe e kishte maskuar në një çantë krahu me qëllim që të mos diktohej nga policia dhe ka shkuar në lokalin e kunatit të tij për ta vrarë”, – thuhet në njoftimin e policisë së qarkut.

 

Ngjarja në Tiranë

Grabiten mijëra euro në kasafortë, asnjë i arrestuar

 

Persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar një banesë në kryeqytet, duke arritur të marrin prej andej një kasafortë, ku ndodheshin dhjetëra mijëra euro dhe një sasi e konsiderueshme dollarësh. Nga hetimet paraprake rezulton se ka qenë vetëm një person i vetëm që mendohet se ka hyrë brenda në banesë, duke arritur të marrë prej andej kasafortën, të cilët pasi e ka hapur e ka hedhur jo shumë larg shtëpisë që kishte vjedhur. Burime pranë policisë së Tiranës thanë se personi ka përfituar nga dritaret e hapura dhe ka hyrë në banesë duke marrë që aty një kasafortë. Sipas policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:30, ndërsa në kasafortën e vjedhur dyshohet se ka pasur një sasi të konsiderueshme parash, dollarësh dhe dokumente. Megjithatë, policia ende nuk e ka të dhëna për shumën e saktë të parave të grabitura, por pritet marrja në pyetje e banorëve të shtëpisë. Blutë e Tiranës janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes të ndihmuar edhe nga komshia e personave që jetonin në banesën e vjedhur, e cila me sa duket e ka parë dhe përshkruar me detaje grabitësin e kasafortës. Lidhur me këtë vjedhje, uniformat blu të Tiranës kanë bërë shoqërimin e disa prej personave që janë banorë të lagjes, të cilët dyshohet se mund të jenë autorë të vjedhjes së kasafortës. Ende nuk ka asnjë të dhënë për identitetin e autorit, por në banesë dhe në kasafortë policia bën me dije se ka fiksuar disa gjurmë gishtash, ku pritet krahasimi i tyre në laboratorin e policisë shkencore.

 

Analiza në burgje

Ulje e mbipopullimit dhe futje në skemën e sigurimeve

Pas zhvillimit të analizave në 22 institucionet penale në vend, dje u organizua analiza e përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku u bë një vlerësim i mbarëvajtjes dhe ecurisë së sistemit. Aspekt themelor në zbatimin e ligjshmërisë dhe përmirësimin e kushteve të burgjeve në Shqipëri, është monitorimi i gjithë sistemit nëpërmjet treguesve të realizimit të perfomancës, të cilat janë të përcaktuar në dokumente strategjikë dhe janë përmbledhur në tre objektiva kryesorë; mbajtja e të burgosurve dhe paraburgosurve në kushte të përshtatshme sigurie dhe strehimi; trajtimi human i të dënuarve dhe paraburgosurve; si dhe rritja e kapaciteteve profesionale të stafit. Ndër arritjet e përmendura në analizë ishte ulja e mbipopullimit në burgje, futja e të burgosurve apo paraburgosurve në skemën e sigurime shoqërore dhe shëndetësore, parandalimi i arratisjeve, hapja e shkollave dhe futja e të dhënave mjekësore të të dënuarve. Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Gazmend Dibra, bëri një përmbledhje kryesore të arritjeve dhe problematikave të këtij sistemi. Sipas drejtorit të Përgjithshëm, konkluzionet e raportit të tetorit të vitit 2012 të Komisionit Evropian, ku citohet se “ka pasur progres në sistemin e burgjeve, duke zbatuar në mënyrë të vazhdueshme programe trajnimi, rritje në numrin e aktiviteteve të ofruar për të burgosurit, si dhe përmirësimin e kushteve të përgjithshme të trajtimit të dënuarve dhe paraburgosurve”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency