Babai vret djalin dhe nusen “Ju paralajmërova 3 orë para”

0
152

Elton Qyno

babaiMasakra në familjen Llucaj në Elbasan, 65-vjeçari qëllon me kallash mbi djalin dhe nusen italiane

Djali keqtrajtonte babain se nuk i donte nusen. Zonjës së shtëpisë i bie infarkt nga skena makabre

 

Keqtrajtimet e vazhdueshme të djalit dhe të nuses si dhe kërcënimet psikologjike për nxjerrjen nga shtëpia kanë shtyrë një 65-vjeçar të qëllojë me breshëri automatiku mbi djalin e tij 27-vjeçar dhe më pas edhe mbi nusen e tij italiane 24 vjeçe. Masakra ka ndodhur në familjen Llucaj, ku pas disa sherreve të njëpasnjëshme, kryefamiljari nuk ka mundur të durojë më tepër dhunën fizike dhe psikologjike të djalit e të nuses italiane, dhe për pasojë, në gjaknxehtësi e sipër, ka derdhur mbi ta më shumë se 10 fishekë kallashnikovi, duke i lënë të vdekur në vend. Ajo që ka parë krimin ka qenë bashkëshortja e autorit, e cila nga skena e tmerrshme ka pësuar para infarkt në zemër, dhe uniformat blu kanë bërë transportimit e saj në spital. Krismat e armës kanë tronditur të gjithë banorët e pallatit të ri, që ndodhet shumë pranë stacionit të trenit në Elbasan, të cilët kanë njoftuar edhe policinë për të shtënat me armë. Ndërkohë, burime pranë prokurorisë dhe policisë shpjegojnë se disa minuta më parë salla operative kishte marrë një telefonatë nga autori i krimit, i cili njoftonte se do të vriste djalin dhe nusen e tij, shtetasen italiane Xhulia Poltofieri. Uniformat blu që kanë shkuar me shpejtësi në vendin e krimit kanë konstatuar të pajetë dy trupat e 27-vjeçarit Sokol Llucaj dhe bashkëshortes së tij 24-vjeçares Xhulia Poltofieri. Të dy trupat janë gjendur shumë afër njëri me tjetrin, ndërkohë që nga verifikimet e para rezulton se i moshuari ka qëlluar fillimisht mbi të birin dhe më pas, plumbat nuk i ka kursyer edhe për nusen e djalit, të cilët e ka qëlluar disa herë nga afër. Për shkak të plagëve të marra në trup, burrë e grua kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që policia i ka gjetur trupat në pellgun e gjakut që ishte përhapur në dyshemenë e dhomës.

Nusja, molla e konfliktit

24-vjeçarja Xhulia Poltofieri duket se ka qenë shkak i konflikteve të vazhdueshme mes djalit dhe babait. Sipas policisë së Elbasanit, çifti kishte pak kohë që ishte kthyer në qytet dhe se jetonin së bashku me 65-vjeçarin Ëngjëll Llucaj dhe gruan e këtij të fundit. Mirëpo pas disa ditë qëndrimi, mes Llucajt, djalit dhe nuses ka lindur një konflikt familjar, pasi siç mësohet autori i krimit nuk e ka dashur nusen. Nisur nga kjo situatë 27-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike mbi babain e tij, i cili tri orë para krimit ka shkuar në policinë e Elbasanit dhe ka denoncuar ngjarjen e rëndë. Për pasojë uniformat blu kanë bërë shoqërimin e babë e bir dhe pasi janë paralajmëruar të dyja palët që të qëndronin të qetë, janë lënë sërish të lirë. Mirëpo teksa kanë shkuar në banesë, sërish sherri në familjen Llucaj është kthyer në momentin fillestar, ku djali ka filluar të keqtrajtojë babain, ku këtë herë si hakmarrje ndaj denoncimit në polici. Për pasojë, 65-vjeçari ka marrë një automatik që e mbante pa leje dhe ka qëlluar fillimisht mbi të birin dhe më pas mbi nusen e tij. E gjithë masakra është parë nga bashkëshortja e autorit të krimit, e cila në kushtet e tronditjes, ka pësuar atak në zemër, duke mbetur e shtrirë pranë dy viktimave. Fillimisht, kur policia ka hyrë në apartamentin në katin e katërt, ku edhe ndodhi krimi, ka menduar se kishte të bënte me tri viktima, por pas matjes së pulsit, ka mësuar se e moshuara ishte ende e gjallë dhe menjëherë është bërë transportimi i saj në spitalin rajonal të Elbasanit, ku që nga mbrëmja e djeshme ndodhet nën trajtimin me mjekëve.

Dëshmia e autorit

Pas kryerjes së vrasjes së dyfishtë, 65-vjeçari është larguar nga apartamenti i tij dhe ka zbritur poshtë në rrugë, duke u drejtuar në drejtim të policisë së Elbasanit, ku do vetëdorëzohej. Mirëpo ai është ndaluar 15 minuta pas krimit në rrugë, teksa ishte duke ecur i qetë. Sapo është arrestuar nga shërbimet policore, 65-vjeçari Ëngjëll Llucaj mësohet se u ka pohuar policëve: “…Ju paralajmërova që do ta vrisja, nëse me rrihte prapë. Ai e bëri sërish, dhe unë e vrava…” Pas shoqërimit të tij në polici, për rreth dy orë, 65-vjeçari në kushtet e pendesës së thellë ka treguar me detaje të gjithë skemën e vrasjes, ndërkohë që ka pohuar se armën e krimit e ka siguruar për t’u vetëmbrojtur, por ka qëlluar mbi djalin dhe nusen e tij 24-vjeçare, teksa ishte i nxehur dhe shumë i mërzitur nga keqtrajtimi që i kishte bërë i biri. 65-vjeçari ka pohuar se nuk mund të shtynte më jetën e tij dhe pleqërinë në atë gjendje, pasi ishte keqtrajtuar disa herë nga i biri dhe se të gjitha këto keqtrajtime ishin mësuar edhe nga të afërmit dhe komshinjtë e tij.

 

Ngjarja në Korçë

Inskenojnë grabitjen me armë, tre të rinj nën akuzë

 

Policia e Korçës ka vënë në pranga tre persona për kallëzim të rremë. Sipas burimeve zyrtare, Armando Potomi ,21 vjeç, nga Korça, ka kallëzuar në polici sikur dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur një shumë prej 20 mijë lekësh. Por pas hetimeve të policisë u zbulua se Potomi në bashkëpunim me Ariol Dakën, 20 vjeç, dhe Xhuljano Çaushllarin, 21 vjeç, e kanë stimuluar këtë ngjarje. Kjo pasi Potomi i ka shpenzuar lekët në një kompjuter lojërash fati në ambientet e lokalit ku ka deklaruar se është grabitur. Për të justifikuar shpenzimin e lekëve tek familjarët, i riu nga Korça ka vendosur të inskenojë një grabitje të mundshme para efektivave të policisë. Mirëpo pas disa veprimeve të kryera në terren është arritur të zbardhet se kallëzimi i 20-vjeçarit ka qenë i rremë. Nisur nga kjo situatë, ndaj tre personave është ngritur akuza e kallëzimit dhe deklarim i rremë, kryer në bashkëpunim.

 

Ngjarja në Vlorë

Lidhet dhe më pas digjet me benzinë 47-vjeçari

 

Një 47-vjeçar në qytetin e Vlorës ka ndërruar jetë dje në spitalin e qytetit. Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se shtetasi Fatmir Hysi ishte vetëdjegur ditën e djeshme me benzinë, ndërsa kishte marrë djegie në mbi 90 për qind të trupit. Pas ngjarjes së rëndë, ku tentoi të vetëflijohej, për shkaqe ende të panjohura, 47-vjeçari u shtrua në spitalin rajonal, ku edhe humbi jetën si pasojë e djegies së rëndë. Policia sqaron se ky shtetas mund ta ketë kryer këta akt në kushtet e papërgjegjshmërisë, pasi prej kohësh vuante nga problemet mendore. Lidhur me këtë ngjarje veprimet hetimore janë duke vijuar, pasi dyshohet se viktima Fatmir Hysi mund të jetë rrëmbyer, lidhur dhe djegur nga persona të tjerë. Pavarësisht këtyre dyshimeve gjatë këtyre dy ditëve nuk është arritur të gjendet asnjë provë që mund të vërtetojë se viktima është vrarë qëllimisht. Pritet që trupi i pajetë i tij t’i nënshtrohet ekspertizës.

 

Ministri Noka, marrëveshje me Austrinë për informacionet e azilkërkuesve

 

Ministri i Brendshëm Flamur Noka nënshkruan marrëveshje për “Shkëmbimin e informacionit dhe kontrollit të azilit dhe migracionit me Republikën Federale të Austrisë”. Për palën austriake marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Brendshme e Austrisë, Johana Mik-Leitner. Sipas Ministrisë së Brendshme, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të rëndësishme i jep një shtysë të re dhe ngre në nivelet më të larta bashkëpunimin për sundimin e ligjit mes dy vendeve, duke mundësuar një veprim të shpejtë dhe të mirëkoordinuar kundër krimit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe migracionit të paligjshëm. “Të dy drejtuesit e lartë gjatë takimit theksuan faktin se shkëmbimi i shpejtë i të dhënave të personave është një ndër mënyrat me efikase për zbulimin e itinerareve të migracionit apo verifikimit të të dhënave për personat që kërkojnë azil”, – thuhet në njoftim. Ministri i Brendshëm Flamur Noka u shpreh gjatë takimit se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje mes dy vendeve i jep një atribut të ri bashkëpunimit tonë të besueshëm të deritanishëm. Në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyer të deritanishëm mes dy vendeve e institucioneve homologe, kjo marrëveshje bën të mundur që për herë të parë, të kryhet shkëmbim i ndërsjellë i të dhënave personale për mbrojtjen e interesave të përbashkëta në luftën kundër krimit, trafiqeve dhe migracionit të paligjshëm. Mbi të gjitha, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është treguesi më i qartë për kapacitetet dhe profesionalizmin e lartë që kanë tashmë strukturat e rendit dhe sigurisë të Shqipërisë, duke dëshmuar edhe për kuadrin e plotë ligjor shqiptar, të shprehur edhe në dispozitat e kësaj marrëveshjeje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency