Prokuroria thotë fjalën e fundit për 21 Janarin, pranon dhunën e egër nga demonstruesit

0
160

Sonja Caka

prokuroriaPretenca, kërkohen 45 vjet burg për Prendin dhe Llupon, tërhiqet akuza për Kumen. Mbrojtja e ish-kreut të Gardës: Prokuroria nuk hetoi përgjegjësit e situatës së dhunshme, më shantazhuan. Seanca monitorohet nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane

Procesi gjyqësor i 21 Janarit, një hap drejt finishit. Gjithë zhvillimi i seancës së djeshme u monitorua nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane, të cilët kanë shprehur interes për ecurinë e këtij procesi. Prokurorët kanë paraqitur dje konkluzionet përfundimtare dhe masat e dënimit për 3 të pandehurit e vetëm të këtij procesi, ku për dy prej tyre, Ndrea Prendin dhe Agim Llupon kërkoi 45 vjet burg në total dhe për Margarit Kumen kërkoi të tërhiqet nga akuza pasi nuk u provua. Këto masa dënimi u kërkuan nga përfaqësuesit e akuzës për veprën penale të vrasjes me dashje, ndërkohë që gjatë gjithë kohës vunë theksin mbi sulmet e dhunshme që turma e egërsuar bëri mbi forcat e Gardës së Republikës. Gjatë paraqitjes së dinamikës së ngjarjes së rëndë të 21 janarit, prokurorët theksuan se protestuesit kanë ardhur në këmbë nga sheshi “Skënderbej” dhe kanë ndaluar para godinës të Kryeministrisë, dhe persona nga turma kanë qëlluar me sende të forta forcat e policisë të vendosura në mbrojtje të institucionit në pjesën e jashtme të tij, pra jashtë rrethimit të kangjellave. Dhe, megjithatë, pavarësisht se u provua se ndaj gardistëve është ushtruar dhunë me sende të forta dhe deri në përdorim të bombave “Molotov” nga protestuesit, prokurorët deklaruan fajtorë për vrasjet dy prej të pandehurve, duke kërkuar dënimin me 25 vjet burg për Agim Llupon dhe 23 vjet burg për Ndrea Prendin.

Sulmet

Prokuroria deklaroi në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, orët e tensionit të vazhdueshëm dhe sulmeve të egra ndaj policisë dhe gardistëve të pozicionuar brena rrethimit të Kryeministrisë. Sipas akuzës, në intervalin kohor të orës 14.20-14.30 të datës 21 janar 2011, komandanti i Njësisë Speciale, dëshmitari Alfred Ahmetcenaj, duke vënë re dinamikën e lëvizjes së protestuesve, predispozicionin e tyre të dhunshëm, ka urdhëruar efektivat e njësisë së tij të planizuar në atë sektor, që të kalonin në pozicionet e përcaktuara sipas planit të masave. Pas këtij momenti, sulmi i demonstruesve është shtuar dhe janë hedhur drejt efektivave të gardës sende të forta si gurë, pllaka trotuari, pllaka mermeri, bomba “Molotov”, si dhe u është vënë zjarri pemëve që ndodheshin në pjesën përpara Kryeministrisë, nga ana perëndimore. Gjatë kësaj kohe, nga ana e efektivave të Njësisë së Dytë, me mjetet që ata dispononin, është hedhur një lloj gazi që vështirësonte frymëmarrjen dhe kordoni i forcave policore jashtë perimetrit rrethues të objektit, nuk ishte më në pozicionet sipas planit të përbashkët, ndërsa një pjesë nga protestuesit, kishin hipur në kangjellat e murit rrethues të Kryeministrisë, por pa tentuar që të futeshin brenda objektit. Po sipas akuzës, me ndërhyrjen e disa personave civilë pjesëmarrës në demonstratë, si Zydi Dajti, etj., nga thirrjet me megafon të komandantit të Njësisë së Dytë Dashamir Shehi, thirrjet me zë të lartë nga efektivat e gardës në terren, të cilët u kërkonin largimin nga objekti demonstruesve dhe pas kalimit të automjeteve shihedhëse, një pjesë e demonstruesve janë larguar nga sheshi para Kryeministrisë për të kaluar nga ana e Piramidës. Një pjesë nga demonstruesit pasi kanë hipur edhe në lartësi të Piramidës, kanë filluar të godasin me pllaka guri, pllaka trotuari, gurë e bomba “Molotov”, jo vetëm efektivat e gardës që ndodheshin në sektorin verior, por edhe objektin e Kryeministrisë ku tek porta nr. 1”, nuk kishte më efektiva policie, por gjithsesi ajo ishte e mbyllur dhe e padëmtuar. Nga sulmet masive me mjete të forta, pjesa më e madhe e efektivave të gardës me shërbim në sektorin verior e perëndimor të objektit, kanë pësuar dëmtime fizike, kryesisht në ekstremitete, dëmtime këto të parrezikshme për jetën, që pas një mjekimi ambulator në pjesën më të madhe, ata janë rikthyer përsëri duke rimarrë pozicionet sipas planit të masave.

Apeli

“Goditjet me mjete të forta ndaj efektivave të gardës, kanë vijuar si nga porta nr. 1, ashtu edhe nga Piramida, ku intensiteti i goditjeve ka ardhur duke u shtuar. Një pjesë e demonstruesve, duke përfituar nga fakti që forcat policore ishin larguar nga vendi i tyre i shërbimit, kanë vepruar me forcë për të hapur portën nr. 1 dhe pasi porta u hap duke u shqyer dryni i zinxhirit lidhës, një grup prej tyre kanë tentuar të futen brenda në objekt” vijon akuza në konkluzionet përfundimtare. Në këtë moment, sipas prokurorëve, komandanti i Njësisë së Dytë Dashamir Shehi, për disa minuta rresht u ka bërë thirrje me megafon demonstruesve, duke u thënë: “…qytetarë, ju po shkelni rregullat, ju po shkelni ligjet, keni hyrë në zonat e sigurisë, ndaj jush do të veprohet sipas ligjit!…” por pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të efektivave të gardës në terren, turma e protestuesve nuk është larguar, por përkundrazi kanë vijuar të qëllonin me mjete e sende të forta ndaj tyre. Fillimisht është filluar hapja e zjarrit në ajër me fishekë manovre, nga një pjesë e efektivave të njësisë së dytë me komandant kap. Çelnik Hasa, kurse pjesa tjetër e efektivave të seksionit, qëllonin me fishekë luftarakë në ajër. Në këtë moment, grupi i “Njësisë Speciale”, me drejtues Sokol Sula dhe seksioni i dytë i Njësisë së Dytë me drejtues Rexhep Qira, të pajisur me mjetet teknike të posaçme, në zbatim të planit të masave, janë afruar nga mesi i rrugës për tek porta nr. 1, kanë ndërhyrë forcërisht me shkopinj gome e mburoja, duke arritur që të nxjerrin jashtë portës grupin e personave, që kishin mundur të futeshin pak metra brenda rrethimit të objektit Kryeministrisë, por pa arritur të mbyllnin portën nr. 1.

 

Mbrojtja, Ndrea Prendi, akuza prokurorisë për shtantazhim

Pas përfundimit të fjalës së fundit të prokurorëve, ka vijuar me mbrojtjen gjeneral Ndrea Prendi, i cili ndodhet me statusin e të pandehurit në këtë proces. Sipas tij, më datë 21 Janar 2011, në bulevardin “Dëshmoret e kombit” u zhvillua demonstrata e subjekteve politikë, e cila pranë aelisë-Kryeministria, nga një grup pjesëmarrës ne demonstrate degjeneroi në dhunë, ndaj forcave të Policisë së Shtetit, forcave te Gardës se Republikës dhe Institucionit Kushtetues, duke i detyruar Forcat e Gardës që në mbrojtje ligjore të këtij Institucioni Kushtetues (në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi për këtë qellim), të rrezikojnë me jetën e tyre, për të kryer detyrat e shërbimit për sigurinë e Kryeministrit të vendit dhe të ministrave që ndodheshin në objekt, si dhe për te siguruar mbrojtjen e objektit Kryeministria, në përmbushje te Misionit te përcaktuar me ligj. “Në përfundim të kësaj demonstrate, pas 5 orësh tepër të vështira për Forcat e Gardës, të rrezikuar për jetën (përfshirë dhe emrin tim), kam përjetuar thellë mbrojtjen ligjore të Institucioneve Shtetërore: Kryeministri, Kryesi Kuvendi, Parlament, Presidencë, të banesave të personaliteteve, si dhe sigurinë e PLSH-ve; jetën e Efektivave të Gardës, pavarësisht nga dëmtimet trupore dhe plagët qe ato kishin marrë; kam përjetuar krenari për Kuadrot Drejtues të strukturave te Gardës, për stafin me te cilin kam punuar, si dhe për efektivat e Gardës qe me datë 21 Janar 2011, nuk u larguan nga vendi i shërbimit pavarësisht nga rreziku për jetën; por në mbrëmjen e kësaj dite, pasi jam kthyer në zyrë nga spitali, ku iu nënshtrova një ndërhyrje kirurgjikale për plagën që kisha marrë në kokë nga goditja me mjete të forta dhe me intensitet goditje të madh, nëpërmjet mediave mësova për viktimat dhe kam përjetuar dhimbje te thellë, duke shprehur ngushëllimet e mija më të sinqerta” vijoi mbrojtjen e tij ish-kreu i Gardës së Republikës. Më tej, z. Prendi theksoi se “pa filluar te sistemojmë forcat dhe te marrim masat për normalizimin e shërbimeve ne Kryeministri, ne mbrëmjen e datës 21 Janar 2011, nëpërmjet Shefit te Shtabit te Gardës, jam bërë me dije për mbërritjen e ekipeve te Prokurorisë ne Kryeministri dhe ne Gardë, dhe megjithëse nuk e dija objektin e vërtete te hetimit, po nëpërmjet Shefit te Shtabit te Gardës, kam urdhëruar strukturat përkatëse qe pavarësisht nga tensioni, lodhja e rraskapitja, apo gjendja fizike e shëndetësore e rënduar, po atë mbrëmje, te vihen ne dispozicion te kërkesave te grupeve te Prokurorisë: armatimi, filmimet, fotografi, libra shërbimi, urdhra dhe plane masash, Qendra e Drejtimit etj., konform rregullave për ketë qellim. Që në këtë moment, për mua u bë e qartë, se për ngjarjen e datës 21 janar 2011, do të kishte një procedim penal, por asnjë here nuk kam menduar se objekt i këtij hetimi e procedimi penal do te ishin Forcat e Gardës, mbrojtësit ligjor te Institucionit Kushtetues, apo dhe vete unë. Çuditërisht ekipi i Prokurorisë u mor vetëm me efektivat e Gardës dhe me mjetet teknike ne përdorim te tyre (te miratuara me VKM ne vitin 2003). Ky ekip nuk u mor as me Objektin – Kryeministria, as me dritaren e blinduar të dëmtuar në zyrën e Kryeministrit te vendit (madje ne vendin e Tij te punës), as me vendrojën e djegur, as me portën e shkallmuar dhe te shpërthyer te objektit, as me ata qe për disa momente tentuan te djegin dhe te pushtojnë institucionin, duke u futur forcërisht brenda rrethimit te Kryeministrisë, as me mjetet me te cilat ishin goditur Forcat e Gardës, përfshire dhe sulmin me automjetin vdekjeprurës ndaj këtyre forcave. Akoma me befasuese, duke e konsideruar si një procedure unike me paragjykim te plote, ishte për mua, kërkesa e Prokurorisë, disa ore pas ngjarjes, për gjashte urdhra ndalimi, për gjashte Kuadro Drejtues te Gardës, duke përfshire ne krye te listës emrin tim, pa asnjë element hetimi dhe pa asnjë element faktik në flagrancë për vepër penale, aq më tepër kur sot pas një kohe dy vjet nga ngjarja, ne gjykim të ftohtë, mendoj situatën e rrezikshme te datës 21 Janar 2011 dhe se një dite më pas, me datë 22 janar 2011 ne Tirane, jeta ishte ne normalitetin e vet. Përgjatë një viti e tre muaj hetimi, të lidhur me këtë procedim penal, efektivat e Gardës, përfshirë dhe emrin tim, kanë mbartur tensionin e strukturave te Prokurorisë, kane mbartur efektet mediatike e të opinionit publik, aspak për zbardhjen reale të shkaqeve e përgjegjësive për ngjarjen dhe situatën e krijuar, aspak për zbardhjen e dëmtimeve të shkaktuara forcave te Gardës, që Zoti i ndihmoi të jenë gjallë, duke i kushtuar dhe imazhin publik këtyre forcave, duke denigruar Institucionin e Gardës si institucion i rëndësishëm shtetëror (i papranueshëm ky denigrim, kur mendon se bëhet nga po një institucion tjetër shtetëror), duke shkaktuar zhgënjim, tension, shume lodhje, shume shqetësim jo vetëm për efektivat e Gardës por dhe për familjet e tyre, për familjaret dhe te afërmit, për fëmijët e tyre qe gjithnjë me krenari ndaj bashkëmoshatareve te tyre, kane reklamuar prindërit e punësuar ne Gardën e Republikës, megjithëse me shume diference përfitimesh, shume me të vogla nga të punësuarit ne institucionin tjetër shtetëror, institucionin e Prokurorisë se Shtetit”. “Prokurorët më shantazhuan e më kërcënuan për orë të tëra, derisa unë të thoja atë çfarë ata donin. Më 21 janar është qëlluar në ajër jo mbi demonstruesit. Çdo veprim ka qenë në planin e masave dhe bazuar në ligj”- deklaroi Prendi.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency