Vrasja e Sakos, pyeten daja dhe kushëriri i biznesmenit Deliu

0
180

Elton Qyno

sakoKonfliktet me pronat dhe kalimin e pasurisë në administrim të 40-vjeçarit Sako. Nëntë ditë nga vrasja, asnjë i arrestuar

 

Daja dhe njëri nga kushërinjtë e Elton Deliut janë marrë në pyetje në policinë e Tiranës lidhur me vrasjen e shoferit personal të Deliut, shtetasit 40-vjeçar Admirim Sakos. Pyetja e tyre është bërë dy ditë më parë nga anëtarë të grupit hetimor, ndërkohë që daja dhe kushëriri i Deliut janë marrë në pyetje në cilësinë e personit që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen dhe se nisur nga kjo situatë ata kanë dhënë shpjegime rreth konflikteve dhe përplasjeve që kanë pasur me 40-vjeçarin Admirim Sako. Për më shumë se një orë, dy të afërmit e Elton Deliut janë marrë në pyetje nga anëtarë të grupit hetimor, por që në fakt gjatë dhënies së dëshmisë, babë e bir, kanë pohuar se nuk kanë lidhje me vrasjen e 40-vjeçarit Sako dhe se me të s’kanë pasur asnjëherë konflikte. Pavarësisht nga këto pretendime, oficerët e policisë kanë këmbëngulur se viktima prej disa kohësh ishte përfshirë në një konflikt për pronat në dy fshatra si dhe në disa prona të tjera në Tiranë. Mirëpo këtij pretendimi dy shtetasit, i janë kundërpërgjigjur se gjatë kësaj kohe familja e tyre nuk ka pasur asnjë pretendim mbi pasurinë e Admirim Sakos, pasi ky i fundit ja ka dhënë sipas tyre, ish-të dashurës së Elton Deliut, shtetases Ada Musaraj. Pas dhënies së deklarimeve, daja dhe kushëriri i Elton Deliut, janë lënë të lirë, ndërkohë hetimet rreth vrasjes së Admirim Sakos vijojnë, por që në fakt asnjë prej personave si autorë të krimit nuk është arrestuar.

Dyshimet për pronat

Hetimet për vrasjen e Admirim Sakos janë përqendruar tashmë vetëm në një pistë të vetme, e cila bën fjalë për konfliktet e viktimës për disa prej pronave të tij. Nisur nga kjo situatë, grupi i hetimit ka tërhequr disa nga dokumentacionet si dhe agjentë të policisë janë duke verifikuar me imtësi në rrugë operative disa persona që mendohet se kanë marrë pjesë direkt në vrasjen e Admirim Sakos. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë në pyetje janë marrë më shumë se 50 persona por që në fakt asnjëri prej tyre nuk ka dhënë shpjegime të sakta për autorët e krimit. Disa persona që janë dyshuar, janë mbajtur në polici, për rreth dy ditë dhe më pas janë lënë të lirë, për shkak se nuk kanë rezultuar të jenë autorë të vrasjes. Dhjetëra persona të fisit Deliu, që kanë pasur konflikte me shtetasin Admirim Sako, janë shoqëruar, dhe pasi kanë dhënë shpjegimi janë lënë sërish të lirë nga ana e policisë së Tiranës. Aktualisht për këtë çështje burime pranë policisë dhe prokurorisë shprehen se janë në pritje të tabulateve telefonike, për të parë thirrjet telefonike, që ka pasur viktima para se të ekzekutohej. Ndërkohë që edhe nga dëshmitë e gruas dhe të një kamerieri të një lokali shumë pranë ku ndodhi vrasja, nuk është arritur të merren të dhëna për identifikimin e autorëve të krimit.

Vrasja brenda në makinë

Ka qenë mbrëmja e 22 janarit, kur rreth orës 10:00 në zonën e ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, janë dëgjuar tre të shtëna të fuqishme. Të tre plumba janë derdhur mbi trupin e 40-vjeçarit Admirim Sako, i cili sapo kishte mbyllur lokalin e tij “Luxury” dhe është drejtuar në makinën e tij tip “BMW”, është sulmuar nga një person i armatosur, duke u qëlluar tre herë me armë, ku një nga plumbat i ka hyrë në kokë. Vrasja është bërë në sy të gruas, Entela Sakos, të cilin autori i krimit e ka shtyrë me forcë dhe më pas ka qëlluar mbi bashkëshortin e saj, duke qëndruar vetëm 2 ose 3 metra në distancë me të. Pas kësaj Sako e ka qëlluar autorin me çadër, dhe se më pas ai është larguar me vrap të lehtë në drejtim të rrugës “Myslym Shyri”, ku dhe është parë edhe nga një person tjetër, kamerieri i një lokali, i cili nuk ka mundur ta identifikojë do fytyrën e personit që qëlloi mbi Admirim Sakon. Ky i fundit sipas policisë së Tiranës, njihet si ish-shoferi personal i Elton Deliut, i vrarë në vitin 2008 në apartamentin e tij së bashku me të ëmën shtetasen Flutura Deliu. Një pjesë e pasurisë së Deliut, është hedhur në emër të Sakos, ndërkohë që ky i fundit mendohet se ja ka kaluar shtetas Ada Musaraj. Pavarësisht kësaj, të gjitha këto pasuri tashmë janë sekuestruar nga ana e prokurorisë së Tiranës.

 

Ekstradimi në Itali

I akuzuar për trafik kokaine, ekstradohet Guri

Një i shumëkërkuar nga policia italiane është ekstraduar dje në mesditë nga Interpol Tirana. Gjovalin Guri akuzohet nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar të kokainës. Sipas burime nga policia, mësohet se ky shtetas nga periudha 1 qershor deri më 31 korrik e viti 2003 ka kryer transportin e drogës drejt brigjeve italiane. Mirëpo pas shpalljes në kërkim të tij, Guri ka arritur të largohet nga territori italian, duke gjetur strehim në qytetin e Shkodrës. Pas disa vitesh qëndrim, ai është arrestuar nga policia e këtij qyteti dhe pas ardhjes së kërkesës për ekstradim nga ana e autoriteteve italiane, gjykata ka vendosur të miratojë ekstradimin e Gjovalin Gurit, duke bërë që ditën e djeshme ai të merret në dorëzim nga autoritet italiane. Pritet që në ditët në vijim Gjovalin Guri të gjykohet për veprat kriminale të kryera.

 

Vjedhjet në Tiranë

Pranga dy të miturve në Qytetin Studenti

Dy të mitur janë vënë në pranga nga policia e Tiranës si autorë të dyshuar të një serie vjedhjesh. Sh. Likaj, 17 vjeç, dhe M. Demiri, 16 vjeç, vidhnin kryesisht në zonën e Qytetit Studenti shtëpi të ndryshme, ku deri tani nga policia janë dokumentuar me prova shkencore tri vjedhje. Janë dokumentuar dy vjedhje banesash, ku të mitur kanë marr një shumë prej 80 mijë lekësh, si dhe vjedhja e shkollës “Osman Myderizi” në rrugën “Budi”, ku kanë marr një laptop. Ndaj tyre rëndon akuza e vjedhjes në bashkëpunim, ndërsa po hetohet për vjedhje të tjera. Të miturit vepronin në shumicën e rasteve në kohës e drekës, ndërkohë që dyshime për ta bien edhe për vjedhjen e disa prej dhomave të studentëve në Qytetin Studenti. Të gjitha rastet e vjedhjes së dhomave tashmë janë duke u verifikuar me imtësi ndërkohë që pritet përgjigjet nga laboratori shkencor i policisë.

 

Ngjarja në Krujë

Nipi qëllon me kallashnikov dajën, s’donte t’i kalonte në pronën e tij

Një 20-vjeçar ka plagosur me armë dajën e vet, pas një konflikti të lindur mes tyre për një rrugicë. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në Krujë, ku Timi Baroshima, 20 vjeç, nga fshati Nikël, ka plagosur me automatik K. V., 51 vjeç. Konflikti mes tyre ka qenë për një pjesë rruge përpara shtëpisë së 20-vjeçarit. Ai nuk dëshironte që kjo rrugë të përdorej nga daja i tij, duke pretenduar se është në pronën e vet. I plagosur ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që në vendngjarje kanë mbërritur oficerë të policisë së Krujës, të cilët kanë bërë dhe arrestimin e 20-vjeçarit, duke e akuzuar këtë të fundit për veprën penale të “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë. Pas ndalimit të të riut, policia ka bërë dhe sekuestrimin e armës tip automatik së bashku me një krehër me fishekë, prej 29 copë. Gjatë marrjes në pyetje, 20-vjeçari ka treguar se goditja me armë ka ndodhur në mënyrë aksidentale, pasi nuk kishte qëllim të vriste dajën e tij, port a trembte atë. Në dëshmi, 20-vjeçari ka treguar se prej shumë kohësh kishin konflikte me familjen e dajës së tij, i cili pretendonte të kalonte mbi pronën e tyre, duke mos paguar asnjë shumë financiare. Nisur nga kjo situatë, mes tyre ka lindur një konflikt që ka sjellë dhe përdorimin e armës nga 20-vjeçari, i cili ka hapur zjarr në drejtim të dajës së tij. Pritet që pas përmirësimit të gjendjes së 51-vjeçarit, policia e Krujës të marrë në pyetje edhe të dëmtuarin, që tashmë ndodhet i shtruar në spitalin ushtarak.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency