KQZ, gjoba partive, nëse nuk respektojnë barazinë gjinore dhe kriteret e listave

0
153

Florenc Drizari

kqzKQZ detyron partitë të paraqesin listat shumemërore jo më vonë se 50 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me konsensus udhëzimin që rregullon procedurat për miratimin e listave shumemërore të partive politike, duke paralajmëruar subjektet që do të marrin pjesë në zgjedhje se nëse nuk do të plotësojnë kriteret, atëherë do të gjobiten. Ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë në kodin zgjedhor, ku partitë politike nëse nuk përmbushnin kriteret e regjistrimit, KQZ refuzonte pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, me vendimin e djeshëm komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor vendosi që të bëjë lëshime. Nëse subjektet politike nuk do të respektojë kuotën e barazisë gjinore në zgjedhjet e 23 qershorit, do të kenë përsëritje të emrave të kandidatëve në lista apo dhe mungesa në dokumentacion, KQZ fillimisht do të refuzojë regjistrimin duke kërkuar që të bëhen korrigjimet e nevojshme nga partitë. Por nëse sërish lista shumemërore dorëzohet me gabime, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos ta regjistrojë subjektin politik duke ndjekur edhe procedurat për gjobëvënie ndaj tij. Për këtë anëtarët e KQZ-së iu referuan pikave që përmban neni 175 i kodit zgjedhor.

Në rast se administrata zgjedhore konstaton parregullsi në dokumentacion, jo më vonë se 45 ditë nga data e zgjedhjeve KQZ vendos për ta kthyer atë për plotësim. Subjekti zgjedhor duhet të ridepozitojë dokumentacionin e korrigjuar jo më vonë se 42 ditë nga data e zgjedhjeve. Pas mbarimit të afatit të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor, KQZ-ja publikon listën e plotë të kandidatëve në dy gazetat me tirazh më të madh në shkallë vendi, në mediat elektronike, si dhe në faqen zyrtare të saj në internet. Një kopje e listës për çdo zonë zgjedhore i dërgohet prefektit, Këshillit të Qarkut dhe KZAZ-ve. Debate në mbledhjen e sotme shkaktoi neni 10 i udhëzimit që parashikonte vendosjen e sanksioneve nga KQZ ndaj partive politike, në rastet kur listat shumemërore të kandidatëve të propozuara prej tyre nuk përmbushin një nga kushtet e përcaktuara në nenin 67 të kodit Zgjedhor. Por, pas një ndërprerje të mbledhjes nga kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, anëtarët e Komisionit gjetën konsensus, duke e miratuar udhëzimin në tërësi me shtatë vota.

Vendim i KQZ-së

Udhëzimi i propozuar nga administrata zgjedhore u miratuar me disa ndryshime nga anëtarët e Komisionit, parashikon ndër të tjera së partitë politike që do të regjistrohen si subjekt zgjedhor të depozitojnë në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, së bashku me dokumentacionin e përcaktuar, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Udhëzimi përcakton që lista shumemërore e kandidatëve të partive politike që do të depozitohet në KQZ duhet të ketë renditje sipas rendit shifror, duke filluar nga numri 1 dhe duhet nënshkruar nga kryetari i partisë sipas modelit të miratuar nga KQZ. Në çdo rast të paktën 30% e kandidatëve të listave shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës duhet t’i përkasë secilës gjini. Partia politike pjesëtare ose jo e një koalicioni, e cila paraqet listën shumemërore deklaron vendet, sipas kuotës gjinore. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë tjetër zgjedhore, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Në pjesën e dytë të udhëzimit përcaktohet dokumentacioni për listat shumemërore të partive politike, të cilat zotërojnë të paktën një mandat në Kuvend.

 

KQZ përcakton rregullat për hedhjen e shortit të ankesave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me shtatë vota pro “Rregullat për hedhjen e shortit për caktimin e anëtarëve të KQZ-së që relatojnë kërkesat ankimore të regjistruara në KQZ për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”. Përcaktimi i rregullave të shortit siguron që përzgjedhja e anëtarëve që do të relatojnë kërkesat ankimore të regjistruara në KQZ, të jetë rastësore. Në çdo rast radha e hedhjes së shortit për kërkesat ankimore ndjek radhën e regjistrimit të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme miratoi me konsensus, “Udhëzimin për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve”.

 

 

Ekspertët e zgjedhjeve, Parlamenti ka detyrimin të bëjë ndarjen e mandateve

Vendimi që pritet të marrë Kuvendi i Shqipërisë për ndarjen e mandateve vazhdon të shkaktojë qëndrime të kundërta lidhur me kompetencat dhe mënyrën sesi duhet zgjidhur kjo çështje, por këtë herë jo nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por nga ekspertë të zgjedhjeve në vend. Kristaq Kume dhe Çlirim Gjata thonë se ligji zgjedhor detyron legjislativin ta ndërmarrë këtë akt, por dy ish-kryetarët e KQZ–së ndahen në pikën nëse Parlamenti ka apo jo kompetencën të ribëjë llogaritjen e mandateve. “Kuvendi nuk mund të hyjë dot në procese llogaritëse, nuk është në tagrin të punëve të Kuvendit. Kuvendi më e shumta që mund të bëjë do të ishte një amendim i asaj çka ai ka marrë vendim përpara, pra amendim dhe lënia në fuqi të vendimit që ai ka marrë në kuadër të ndarjes së mandateve për zgjedhjet e 2009, më tepër nuk mund t’i kërkohet Kuvendit që të bëjë një gjë të tillë”, – thotë Kume. “Deri më datë 5 apo 7 mars, Kuvendi duhet ta miratojë ndarjen e mandateve, kështu që nuk mund të varet Kuvendi nga dëshira e KQZ-së, nga vullneti i KQZ-së, mori apo jo vendim. Pastaj, nëse a duhet të bëjë ndarjen e 2009 Kuvendi, a duhet të bëjë një ndarje të re, apo atë ndarje që po bënte KQZ-ja po që s’arriti të kishte 5 vota, Kuvendi është i detyruar të zbatojë procedurën e nenit 75, që është formula përkatëse, atë është i detyruar ta bëjë Kuvendi. E bëri KQZ-ja s’arriti të merrte votat, këtë gjë do ta bëjë Kuvendi…kaq është historia”, thotë Gjata.

 

Ligjet, PD miraton e vetme ndryshimet për INSTAT-in, PS voton kundër

Deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve miratuan pa votat e opozitës ndryshimet në ligjin për statistikat zyrtare. Sipas ndryshimeve, drejtuesi i INSTAT-it zgjidhet nga Kryeministri por do të ketë një mandat të kufizuar. Nga ana e tyre deputetët e opozitës kundërshtuan ndryshimet duke argumentuar se ky institucion duhet të jetë në varësi të Kuvendit dhe jo të Kryeministrit. “Mos ka ardhur koha të varet nga Kuvendi dhe jo nga çdo qeveri?! Kjo është pyetja ime në thelb dhe është konceptuale, nuk është pyetje për të thënë që nuk varet nga Kryeministri apo këshilli i statistikave, varet nga qeveria e kështu me radhë. Kam lexuar progres raportin e 2012-ës ku ju kritikon për vonesën e programit 5-vjeçar që duhet ta votonit në janar të 2012-ës dhe e keni votuar në nëntor. Është e mjaftueshme vetëm kaq gjë, që, anëtarët e këshillit të statistikave jo vetëm të shkarkohen tani në 2013 po të mos jenë pjesë e këshillit të statistikave mbasi të miratohet ky ligj bashkë me drejtoreshën e përgjithshme”, – u shpreh deputeti socialist Bashkim Fino. Përfaqësuesit e INSTAT-it argumentuan se propozimet për ndryshimin e ligjit janë kryer në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. “Ka pasur një interes nga partnerët dhe Eurostat-i për sigurimin e pavarësisë profesionale të institucionit. Për këtë është kërkuar që në ligj të parashikohen të gjitha parimet që parashikon Kodi i Praktikës Statistikore Evropiane, janë 15 parime. Një pjesë e tyre ishte në ligjin bazë por janë shtuar dhe parimet që sigurojnë cilësinë statistikore”, – u shpreh Mal Demi, përfaqësues i INSTAT-it.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency