De Sanktis thumbon Juven: Turp fundi i ndeshjes

0
143

Jurges Veizaj

de sanktisPortieri i Napolit hedh thumba mbi skuadrën e Juves jo vetëm për lojën e treguar, por edhe për problemin e krijuar në fundin e ndeshjes. Këto polemika nga gardiani napolitan vijnë edhe për faktin e rivalitetit të krijuar midis ekipit torinez dhe atij napolitan.

Fati i këtij sezoni në Serinë A duket të jetë i përcaktuar. Skuadrat që do të shkojnë deri në fund me shpresën për të qenë kampion janë Napoli dhe Juventusi, ndryshe nga ç’pretendohej në fillim, kur thuhej se Milani dhe Interi do të ishin ato që do të mundoheshin të vinin poshtë kampionen në fuqi, Juven. Mirëpo elementi surprizë erdhi. Napoli tashmë shfaqet si rivalja më e fortë për t’u rrëmbyer triumfin torinezëve. Kjo javë solli edhe një surprizë. E pakëndshme për “Zonjën e Vjetër”, por që i dha favorin Kavanit me shokë. Juvja barazoi të shtunën përballë Xhenoas. Një ndeshje duhet thënë e ekuilibruar për sa i përket rezultatit. Ndërsa në lojë u vu re faktori Juve. Bardhezinjtë me anë të sulmeve të ndryshme me në krye Xhovinkon, Vuçiniçin dhe Kualarjelën tentuan të gozhdonin portën e vendasve. Por Frei në portë kishte vetëm një detyrë, t’i thoshte jo golit dhe arriti që në portën e tij të kalonte vetëm një gol, ai i Kualjarelës. Më pas të gjitha aksionet e tjera duket se shkonin në një rrugë të drejtë. Aksionet ishin të sakta dhe shkonin drejt në portë por fati dhe aftësitë e Freit i thonë jo golit. Por duhet thënë që fati i buzëqeshi Napolit këtë fundjavë. Kavani dhe skuadra arritën që të merrnin tri pikët në transfertën ndaj Parmës. Një ndeshje që në letër dukej pak e vështirë. Por që napoletanët vërtetuan të kundërtën. Kavani si lider i skuadrës ishte deçiziv me golin e shënuar në minutën e 85. Deri në atë minutë dukej se edhe skuadra e dytë në tabelë do të merrte një x, por Ezekel do të tregohej i saktë duke i dhënë një hov skuadrës për t’iu afruar më shumë kryesuesve. Mbrojtësi i portës, De Sanktis, deklaroi mbas ndeshjes: “Pika jonë e vetme e dobët ishte që nuk shënuam më parë sepse patëm disa raste. Por duhet thënë që edhe Parma bëri një lojë të mirë dhe arriti që të shënonte gol atëherë kur nuk pritej. E kemi kuptuar pse verdheblutë nuk humbasin asnjëherë në fushën e tyre. Por më pas do të vinte edhe një deklaratë e tij me ndeshjen e diskutuar midis Juves dhe Xhenoas. ”Juvja? Një skuadër e madhe si Juve nuk besoj se duhet të bëhet pre e presionit, por të gjitha gjërat që ndodhën mbrëmjen e kaluar më bën të mendoja për të kundërtën. Të gjitha ato reagime dhe ato zhurma të kryera nga lojtarët dhe drejtues të Juves duhet që të analizohen mirë nga institucionet të cilat merren me këtë punë. Dëgjova që u përmend edhe fjala turp. Ndoshta kjo fjalë mund të gjykohet shumë mirë nga ata që e kanë parë ndeshjen nga shtëpia të cilat ndoshta ia drejtojnë këtë fjalë më shumë fundit të takimit”. Kjo ishte deklarata e dhënë nga lojtari i Napolit, i cili i jep një shtysë dhe më shumë sfidës midis dy ekipeve favoritë për titull. Akoma nuk ka dalë një reagim i Juves për ndeshjen e djeshme, por duket që zikaltrit nuk kanë ndërmend ta lënë me kaq.

Edhe Milani ecën para

Sukses ka rezultuar edhe për Milanin kjo fundjavë. Me suksesin e kryer në shtëpinë e Atalantës milanezët kalojnë pikë para Fiorentinës duke shkuar në vendin e pestë dhe duke hedhur një hap afër zonës “Champions”. Por teknikun Alegri nuk e rrëmben euforia. Ai deklaroi: “Kjo fitore nuk ndryshon asgjë. Sot skuadra duhet thënë që punoi mirë”, – tha për “Sky Sport” italiani. “Ishte një ndeshje e mirë ndaj një Atalante e cila luajti mirë. Tani jemi më të koordinuar në mesfushë dhe ne fazën mbrojtëse. Kemi një pozicionim të mirë dhe dimë që ta kontrollojmë më mirë topin. Mungoi vetëm goli që ta mbyllnim më përpara ndeshjen. Zona “Champions” është afër por edhe e vështirë pasi duhet luajtur mirë dhe duhet fituar çdo ndeshje, dhe kjo në Itali është tepër e vështirë për tu realizuar. Do të shohim më mirë frytet në fund të shkurtit dhe akoma më mirë në maj. Skuadra është duke u rritur. Jemi duke krijuar një skuadër me të rinj të mirë edhe të disiplinuar”. Gjithashtu strategu foli edhe për Balotelin dhe mundësinë e ardhjes së tij në Milano. “Baloteli? Ai është akoma një lojtari i Sitit. Nëse do të bëhet i Milanit, do të mendojmë edhe për këtë çështje”. Ai la dhe një opinion të tij edhe mbi ndeshjen e Juves. “Nuk e di se pse dje nuk i pashë mirë dhe pak sit e ngurtë gjatë fundit të pjesës së parë. Për momentin Juvja është favoritja kryesore për fitoren e skudetos dhe ne duhet thënë që jemi jashtë garës për momentin. Dhe nuk besoj se duhet të reagonin aq keq për arbitrin dje. Ndonjëherë e mira është që të heshtësh”.

 

Drogba suprizon, jo Milan, as Juve, destinacioni është Gallatasaraji

Didier tashmë është zyrtarisht lojtar i Galltasarajit. Ky është lajmi i fundit i dhënë nga “CNN” turk për ish-lojtarin i Çelsit. Duket se mjedisi kinez nuk ka qenë i përshtatshëm për lojtarin, pavarësisht rrogës së majme që ai do të përfitonte atje. Për momentin lojtari është i okupuar në Kupën e Afrikës, por sapo të mbarojë, do t’i bashkëngjitet holandezit Uesli Shnajder, i cili para disa ditësh u largua në Stamboll për të nënshkruar me ekipin turk. Lojtari i Bregut të Fildishtë do të nënshkruajë një kontratë me ekipin për një afat kohor prej 18 muajsh. Qëllimi i ekipit kryeqytetas me blerjet e reja është i qartë, dominimi në Turqi dhe të ngrejë pozitën e tij në Ligën e Kampioneve apo Europa Ligë.

 

Kutinjo përgatitet për t’u bërë i kuq

Me sa duket, Liverpuli kërkon të ringjallet. Në politikat e ekipit anglez po vihet gjithmonë e më shumë prania e të rinjve në skuadër. Tashmë, me sa duket, në planet e shefave britanikë është futur edhe braziliani Kutinjo. Menaxherët e “redsave” priten që pas ndeshjes që do të realizojnë për ndeshjen e FA Cup ndaj Oldham, të fluturojnë drejt Italisë për të mbyllur tratativat. Mendohet se shifra që ata do të afrojnë do të jetë 8.5 milionë paund. Një ofertë tunduese e cila do ta çojë mesfushorin në Britani, pasi siç shihet, jo gjithçka po shkon mirë te Interi.

 

Kaka dhe Milan, së shpejti vjen firma

Zërat që kanë nisur negociatat midis Milanit dhe Realit kanë filluar për brazilianin Kaka janë konfirmuar vet nga kryeqyteti i Spanjës. Pas ndeshjes triumfuese ndaj Getafes zëvendësi i Murinjos, Karanka, ka dalë para mikrofonave për të bërë një koment të përgjithshëm për ndeshjen. Një ndër temat për të cilat ai foli ishte dhe çështja “Kaka”. “Po mundohemi që të arrijmë një marrëveshje me Milanin për Kakanë, e pranoj jemi duke gjetur një zgjedhje ideale për të gjithë”. Gjithashtu, zëvendëstrajneri ka pranuar që ekziston një tratativë, e cila mund të japë verdiktin e saj në këtë fund merkatoje. “Do të shikojmë nëse do të arrijmë një zgjedhje të mirë për të gjithë. Nëse nuk do të zgjidhet gjithçka deri në datë 31, atëherëë do të kemi një lojtar më shumë në favorin tonë. Por duhet të presim fundin e tratativave për të folur, pasi akoma ekzistojnë edhe disa probleme të vogla”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency