Naser Nuredini Çfarë prodhoi marrëveshja Kosovë – Serbi për shqiptarët e Preshevës

0
169

Intervistoi: Violeta Murati

 

kultEkskluzive nga Presheva; çfarë po ndodh prej vitesh në territoret shqiptare dhe me shqiptarët që mbeten nën kufijtë e Serbisë, drejtori i Qendrës për Kulturë, Naser Nuredini, pak kohë më parë, në një intervistë ekskluzive për “standard”, ka paralajmëruar situatën në të cilën gjendet sot ky vend: serbët në luftë të ftohtë për asimilimin e kulturës dhe të shqiptarëve të rinj nga ky territor; jeta e vështirë për të komunikuar me pjesën tjetër të atdheut dhe varfëria ekonomike që po e çon në zgrip jetën e përditshme të shqiptarëve të Preshevës

 (Vijon nga dje)

 

Naser Nuredini, njeri i përfshirë në politikë dhe kulturë njëkohësisht, këto dy sfera nuk i ndan nga njëra-tjetra. Nëse flet për kulturën shqiptare atje, menjëherë biseda shkon nga politika, çfarë ndodh në Preshevë me shqiptarët, që të vetmin ushqim shpirtëror kanë kulturën, pas varfërisë ekonomike ku janë përfshirë. Kjo intervistë, dhënë pak kohë më parë për “standard”, zbulon qartë se situata në Preshevë nuk është e mbetur në një ditë, por ka precipituar menjëherë pasi kaloi kriza e Kosovës, ku shpresa e tyre ishte e madhe për t’u përfshirë në këto territore. Por nuk ndodhi. Sot preshevasit, siç na tregon më poshtë Nuredini, injorohen edhe në pjesën e mbajtur gjallë, atë të kulturës, duke u shpërfillur projektet e tyre kulturore, deri në dgjenerimin e shumave qesharake që nënshkruan Ministria e Kulturës për shqiptarët. Drejtori i Qendrës për Kulturë na bën të ditur se sot ata po mbijetojnë dhe nuk humbin shpresën në lëvizjen e lirë, duke kujtuar çfarë prodhoi marrëveshje Kosovë – Serbi dhe kalvarin e gjatë se si listoheshin emrat dhe frika prej sigurimit serb për shqiptarët e përfshirë në luftën e Kosovës.

 

 

A ka ngacmime politike brenda shqiptarëve që të respektohet sanksionimi i këtij ligji për të drejtat tuaja?

Në kuadër të kësaj, zakonisht janë ato ngacmimet politike që na ndodhin apo frustrimet politike që ndodhin brenda faktorit shqiptar kudo që është, por gjithashtu kemi dhe në Preshevën e vogël. T’ju them një gjë: nga zgjedhjet e fundit që përfunduam më 6 maj të këtij viti (2012), flas për zgjedhjet lokale, nga 38 këshilltarë që numëron Kuvendi i Preshevës, të 38-të janë shqiptarë me zgjedhje të drejtpërdrejtë. Kjo do të thotë që përcakton në njëfarë mënyrë apo jep përgjigjen e saktë të epitet shqiptar në atë rajon. Unë nuk di apo të njoh në Evropë ndonjë realitet të ngjashëm me këtë. Në Bujanoc është pak më ndryshe gjendja, që është komuna e fundit, duke mos përfshirë pjesën e Medvegjës, pasi janë tri komuna të banuara me shqiptarë në Serbi, por ajo ka mbetur më tepër një term, sepse gati është zbrazur nga shqiptarët. Ajo që më shumë po graviton territorialisht është gati e shkëputur pasi ndodhet mes Medvegjës, komunave të Bujanocit dhe Preshevës. Domethënë është një shkëputje e kësaj krahine dhe nuk kemi çfarë të themi. Pra, tani nuk kemi çfarë të flasim pasi është dëshirë, vullnet për gjithë sa fola, por në momentin që themi respektim i normave dhe ligjeve na shtyjnë që ne të paraqitemi si të humbur! Sepse, për të gjetur një element bazë atëherë duhet të gjesh disa elementë nga jashtë. Neve na mungon ndihma si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova. Këtë e themi botërisht sepse na duhet një ndihmesë shumë më e madhe. Na duhet një trajtim shumë më ndryshe. Unë mundohem nganjëherë të përjashtohem nga sfera politike; ftoj Kosovën megjithatë problem me të cilën përballet, por Shqipërisë askush nuk mund t’i mohojë këtë të drejtë. Shqipëria e ka të sanksionuar në kushtetutën e vet mbrojtjen e kësaj pjese, e kësaj popullate dhe ajo duhet të ngrejë zërin deri në qiell kur është nevoja. Sa i përket ndihmesës në sferë të kulturës është absolutisht domosdoshmëri jetike.

 

Gjithë këtë problematike, me sa shohim, ju përpiqeni ta kapërceni duke u kthyer tek kultura, duke u marrë me gjendjen tuaj të brendshme. Nëse e konsiderojmë kulturën si të tillë, çfarë ju shtyn që ju të shkoni çdo ditë e të mbani gjallë kulturën shqiptare në qendrën ku ju drejtoni? Çfarë ndodh aty?

 

Me gjithë këto probleme që folëm për përjashtimin që na bën politika, ne mundohemi të mbahemi gjallë në sferën e kulturës. E them këtë, pasi kultura është ushqim shpirtëror, pa të cilën nuk mendohet jeta. Normalisht për të rrugëtuar apo ecur, kërkon kushte apo një trajtim të veçantë. Ajo është aq e ndjeshme, aq e sofistikuar do të thosha saqë vërtetë kërkon edhe qëndrim të sofistikuar veçanërisht në momente kur kalojmë këtë rrugëtim.

Mundohem maksimalisht, që në kuadër të qendrës ku gjendem, të ketë vend për të gjithë.

Me gjithë këto vështirësi dhe me kapacitetin që ne disponojmë në sferën e profesionalizmit, apo njerëzve të thirrur për të dhënë kontributin e vet në këto sfera gjithnjë hedhim atë kërkesë që të shohim pse ka nevojë që aspektin kulturor ta mbajmë gjallë. E thashë më parë nëse i nënshtrohesh një eksodi të heshtur, një ikje të heshtur kush është ajo që të mban gjallë nëse ke një ekonomi të vdekur?! Është kultura që ne me një farë mënyrë e mbajmë gjallë për të ushqyer shpirtin dhe mbase do të kalojnë, megjithatë, të gjitha këto vështirësi dhe do të vijnë ditë më të mira. Është kjo shpresë që ne na shtyjnë ditët pa kurrfarë ngurrimi. Mundohemi gjithandej ku janë, e ku zhvillohen aktivitete mundohemi t’i tërheqim vëmendjen edhe të të tjerëve që të vijnë e të bëjnë diçka në Preshevë. Mundohemi që nga Presheva aq sa kemi mundësi të përcjellim diku, të kuptohet se ne kemi aftësi. Kjo formë e këtij gërshetimi; komunikimi mes rajonesh mban gjallë edhe jetën tonë të përditshme.

 

Për këtë arsye ju keni ngritur aty festivalin mbarëshqiptar “Ditët e komedisë” prej ‘94-ës. Pse një festival komedie dhe si ka funksionuar në vite?

 

Ashtu si e thashë momentet kur ishin vështirësitë në Kosovë, kur zhvillohej një aktivitet nga qeveria paralele, çdo ishte paralizuar. Këto vite u bënë shkak që Presheva të krijojë një strehë për disa aktivitete. Më ‘94 u formua festivali “Ditët e komedisë”, po në këtë vit u mbajt festivali i njohur “Kosovarja këndon” që gjenezën e ka në Ferizaj, po për shkak të shumë vështirësive që ishin atëherë dhe me përdorimin e mjediseve, pasi Kosova atëherë ishte në shtetrrethim u zhvillua në Preshevë. Ky lloj komunikimi na jepte shpresë se Presheva do të kishte mundësi të ishte e përfshirë me Kosovën dhe kjo veçanërisht pas dy viteve që u mbajt referendumi i marsit 1992 ku kishim një deklarim: “A jeni për një autonomi territorial”? dhe kjo ishte pjesa e parë; me të drejtë “Bashkimi i Kosovës” – kështu ka qenë e formuluar. Rreth 98 për qind e pjesëmarrjes në këtë referendum ka qenë “Po”. Ai referendum nuk u jetësua. Por këto ishin ato vite që ngritën dhe ndjenjën dhe vetëdijen në këtë sferë të politikës. Ndërkohë ishin luftërat në ish Jugosllavi, të përgjakshme. Në këto vite u formua ky festival, por më shumë ishte në baza amatore dhe vazhdoi të ishte i tillë dhe për ca vite, derisa na kaploi kriza që nga ’98-ta më luftën në Kosovë, ‘99, 2000, 2001 përfundimisht u pushua, u ndal, më 2002 filloi rindërtimi i objektit ku drejtoj me tendencë një zgjerimi për të ardhur në një fazë më të mirë. Kemi ardhur në këtë fazë prej vitesh dhe prej 2009 ne vendosëm disa binarë që ky festival të fillojë rrugëtimin e vet më të mirë. Ky është edicioni i nëntë, por që i japim edhe një vend, por kemi shpresë që ky festival të jetojë mu në Preshevë.

 

Duket sikur çdo event kulturor apo mbijetese me kulturën sigurisht e ndjek një histori politike kur thoni “Festivali i komedisë”. Pse i tillë, në paradoks me gjendjen që përjeton Presheva?

 

Ndoshta pikërisht kjo do ishte përgjigja më e mirë, nga gjithë kjo kohë të gjejmë disa ditë që të qeshim. Të harrojmë, të shkëputemi nga realiteti i hidhur. Edhe pse kjo një histori pak më ndryshe. Festivali i dramës mesa duket atëherë u caktua që të jetë në Prizren, kurse Presheva në këtë kohë mbeti pa gjë, kur kishte mbuluar një kohë shumë e shumë sfera. Atëherë u nominua Emin Kabashi dhe vendi ynë që të ndodhë, të mbahet në Preshevë festivali i komedisë. Filloi të trajtoheshin këto tema nga komedia. Edhe më parë në Preshevë organizohej një aktivitet i bujshëm në artin skenik, në bazë amatore, por jashtëzakonisht i ngritur, tërheqës pasi me gjithë amatorizmin e vet ai ka një jetë gjashtëdhjetëvjeçare. Kemi bërë madje një dokumentar për këtë për jetën 60 vjeçare të artit skenik në Preshevë, pavarësisht vështirësive politike.

 

Pas luftës së Kosovës si ka qenë situata e lëvizjes nga Presheva e këtej kufirit? Si kalohet kufiri sot?

Absolutisht ka pasur mjaft vështirësi. Deri vitin e kaluar (këtë vit shpresuam se do të ndërrojë forma, për shkak të marrëveshjes që ka pasur mes Serbisë dhe Kosovës për lëvizje të lirë) ne, bënim rrugëtimin tonë deri mes kufirit Gjilan-Preshevë, 30 km, ku kufiri është vendosur mu në mes pra pas 15 km nga ana jonë, ata vinin me autobusë të tyre dhe ne detyroheshim të dilnim me mjetet tona atje, për t’i marrë me një listë paraprakisht të përgatitur dhe të dorëzuar në organet e sigurimit se cilët do të ishin mysafirët tanë në këtë kohë, që organizohej flasim për festivalin.

 

Ka pasur ndonjë incident?

Duhet të kuptojmë se nuk kemi pasur ndonjë problem pas këtyre procedurave. Por vitin e kaluar mund t’ju them se Teatri Kombëtar i Kosovës hoqi dy apo tre emra nga lista me frikën se mos ka ndonjë dosje të hapur për ata njerëz.

 

Cilët ishin këta emra të dyshuar për dosje nga sigurimi serb?

 

Ndoshta nuk do ishte e duhur t’i nxirrnim emrat, por di që tre aktorë janë kthyer mbrapsht nuk kanë mundur të vijnë, pra janë hequr nga lista për shkak të ekzistencës së ndonjë dosjeje nga ana e sigurimit serb. Me dosje kishim parasysh se mos këta emra janë përfshirë në luftë dhe serbët mund të kishin lista për to, ndaj nuk donim të hynim në këto probleme. Bëmë zëvendësime në kohë të roleve.

 

Po tani a ekziston më kjo frikë se mos ndokush mund të kapet nga sigurimi serb, për shkak të përfshirjes në luftë?

 

Tani me lëvizjen e lirë nuk bëhet më mes Preshevës e Gjilanit, por është lidhja mes Gjilanit dhe Bujanocit që ka 25 km nga Presheva dhe bëhet një rrugëtim më i gjatë. Atje është përcaktuar si kufi i legjitimuar mes dy qeverive, ku prapë bëhet një listë dhe ata kanë dokumentet e veta. Ajo listë dorëzohet në kufi, ku u jepen dokumente plotësuese pas u marrë me dokumente të tjera, mandej u jepen tabela të përkohshme për të qarkulluar, që mund të përdoren dhe për kthimin. Kjo është vetëm për shqiptarët që vijnë nga Kosova dhe njësoj për udhëtarët që duan të shfrytëzojnë udhëtimin për Serbi. Kjo është nga marrëveshja e fundit mes Serbisë dhe Kosovës dhe ky do të jetë trajtimi. Ata që vijnë nga Maqedonia nuk kanë censurë, kalojnë lirshëm e njëjta dhe për ata që vijnë nga Shqipëria.

 

A vlerësohet me seriozitet festivali që ju keni në Preshevë, nga Kosova dhe Shqipëria sa i takon pjesëmarrjes dhe a konsiderohet si politikë atje nga serbët?

 

Sigurisht Shqipëria dhe Kosova e kanë marrë me shumë seriozitet këtë festival, ndoshta dhe siç e thamë më parë nëse është karakteri politik ai që dominon këtë festival dhe i jep frymëzim edhe më të madh. Por unë festivalin e trajtoj nga një vështrim krejtësisht tjetër. Shoh një entuziazëm të paparë të qytetarëve gjatë kësaj kohe. Kemi një sallë të madhe me 450 vende, mund të shkojë deri në 600 por të zë deri në 1200 është shumë. Pra ne kemi pasur aq publik. Të kesh në heshtje 1200 publik, të dëgjojnë çdo fjalë që flitet kjo është më shumë se entuziazëm. Është diçka që buron thellë nga shpirti i qytetarit. Kemi pasur një rast kur erdhi Teatri i Shkodrës, ku 1200 vetë kanë qenë brenda në sallë dhe pa diskutim rreth 50 vetë kanë qenë jashtë duke dëgjuar. Me këtë dua të them se përjetohet ky festival si një ngjarje aq e bujshme e rëndësishme sa ne nuk guxojmë të heqim kurrë dorë nga kjo. Duhet të na kuptojnë dhe të tjerë sepse nganjëherë kemi vështirësi financiare, sidomos kur na thonë se nuk kemi para për të ardhur deri në Preshevë me autobus. Unë e them kjo është tmerr!

 

Po financiarisht si e përballoni?

Vazhdimisht konkurrojnë formë projektesh. Kam kërkuar disa herë nga ministria që ta fusim në financim të rregullt. Kjo është e pamundur të bëhet sepse të figurojë ditët e komedisë shqiptare në një program serb… Më duket e pamundur! Konkurroj në formë projekti, mirëpo aq me nivel të ulët financimi është saqë një herë kam qenë në dilemë të nënshkruajë apo jo?! Përgjigja ka qenë pak a shumë: dërguar nga Ministria, a dëshironi ta nënshkruani mbulimin e projektit me aq para, pasi nuk kishim më shumë për ju! – Kjo ishte qesharake. Mendimi që më vjen është se si një ministër mund të vendosë nënshkrimin e vet në një projekt me shifër kaq qesharake për një projekt të tillë, se ne duam s’duam do ta nënshkruajmë. Por në thelb mendoj se ky dokument do të jetë në arkiva dhe do shërbejë si dëshmi në të ardhmen se çfarë është financuar nga serbët. Po kështu nuk ecet. Të tjera të ardhura i sigurojmë nga vetë qendra, qiratë dhe çfarë nxjerrim nga aktivitetet tona dhe ja dalim. Kuptohet me vështirësi, por duke trajtuar peshën e këtij festivali ne mundohemi ta mbajmë, pasi ky është i vetmi i këtij karakteri. Kemi pasur një festival tjetër që mbahej në ditën e dëshmorëve, 14 maj por u mbyll. Ne kemi tendencën që ta riaktivizojmë, këtë vit ishte e pamundur pasi u lidh me datën e zgjedhjeve politike dhe njerëzit ishin të turbullt, duke na e kaluar në heshtje këtë.

 

Në gjithë këtë situatë kaq të ndërlikuar, të diskriminuar nga serbët, në përpjekje për të mbijetuar, çfarë ju mban me shpresë?

Më mban me shpresë dëshira dhe vullneti i qytetarëve që të qëndrojnë aty, në Preshevë. E dyta lëvizjet në të cilat shoh se nuk mund të shkojnë më mbrapa. Duhen domosdoshmërisht të hapen perspektivat. Ne çdo ditë e kemi gojën Evropë dhe themi se duhet të jemi atje, Evropa nuk do mbyllje, nuk do kufij, nuk do censurë, diskriminim… Evropa do liri, që njerëzit të komunikojmë lirshëm. Unë shoh një qasje ndryshe të faktorit shqiptar dhe atij të Kosovës dhe Shqipërisë. Kujtoj se ne jemi gjallë aty dhe për të mbetur të tillë ne duhet të ushqehemi nga diçka, siç është edhe ushqimi shpirtëror. Edhe me kontaktet që kemi këtu ne kështu kemi dëshirë të bisedojmë. E dinë të gjithë këtë. Mirëpo nuk mund të kuptoj një qeveritar kur thotë se “për ju kaq kemi!”; edhe unë jam pjesë e këtij shteti. Sot kufijtë shemben mes depërtimit në radhë të parë kulturor, njerëzve të arsimuar që thjesht thyejnë këto barriera dhe kthejnë vlerat.

 

A keni tentuar të keni dhe trupa serbe në festivalin tuaj?

Sigurisht që e kemi menduar, por i frikohemi përgjigjes që do të marrin nga vetë publiku, që do të ishin sallat e zbrazura, të cilën si ngjarje nuk do doja ta shijoja! Me këtë nuk dua të them se dua kulturën time, por nëse dikush do veten duhet ta respektojë dhe të huajin! Nëse serbët dëshirojnë që ta duam kulturën e tyre, le të respektojë kulturën time.

 

A mund të na flisni pak për përvojën tuaj personale?

Unë me profesion nuk vij nga kultura, jam ekonomist i diplomuar në Fakultetin e Prishtinës. Me vite të tëra të papunë. Ashtu siç ishte për të gjithë kam kaluar një kohë jashtë vendit, diku rreth gjashtë vite. Mandej jam kthyer duke u ballafaquar me gjithë problem që ende i kemi duke u marrë me punë nga më të ndryshmet për të mbijetuar. Jam babai i katër fëmijëve, vajzën që ndjek studime në Tiranë, vajzën tjetër që shpresoj të jetë pranuar në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, djalin maturant në shkollën teknike në Preshevë. Jam marrë shumë herët me çështje politike. E them këtë nga sa folëm më lart, ndërsa me kulturën herët veçanërisht me kulturë muzikore jam themelues i shoqërisë amatore muzikore që nga viti ’80-të. Jam marrë aq shumë me këtë saqë kemi përgatitur breza që vinin dhe nuk kishin as njohuri fillestare. E vazhdova këtë drejtim edhe kur këto filluan të pushojnë, të zbehen pasi njerëzit filluan të mendojnë për jetën të largohen. Sepse gjithçka mbështetej në baza amatore dhe kërkesat e mundësitë. Nga viti 2004 isha aktiv dhe anëtar i këshillit komunal, një organ i dytë në pushtet me tendencë të reflektimit të veprimit tim në gjithë sferat. Në vitin 2009 u hodh propozimi që njeriu që duhet të drejtojë Qendrën për Kulturë në Preshevë isha unë. Pas shumë sugjerimeve pranova të isha menaxhues i këtij institucioni.

 

 

Info/kult

Ndahet nga jeta humoristi shkodran Paulin Selimi

Humoristi shkodran Paulin Selimi është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare. Autori i humorit të famshëm të interpretuar nga Zef Deda “Kunati i shokut Xhemal” ndërroi jetë dje pasdite, pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Selimi njihej për penën e tij dhe për shpirtin e humorit shkodran, që bëri emër në të gjithë Shqipërinë. Në vitin 2002 është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” për krijimtarinë letrare.

Prej janë vënë në skenë me qindra skeçe, monologë, komedi me një akt dhe pjesë nga humori i Paulin Selimit njeh dhe përkthime në disa gjuhë të huaja. Homazhet për shkrimtarin e humorit bëhen sot, prej orës 12:00-14:00 në teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës.

 

Arbëreshi De Rosa çel ekspozitë në Durrës

Qytetarët e Durrësit kanë ndjekur me interes të madh ekspozitën e çelur ditët e fundit në galerinë “Nikolet Vasia” nga arbëreshi Luis De Rosa. Në ekspozitë përshkruhet në detaje fshati Ururi me titullin “Fshati im, një fshat arbëresh”, ku janë përmbledhur të gjitha historitë dhe figurat e një prej fshatrave pranë Molizes në Itali. Ky fshat siç e quan edhe vetë De Rosa “ka nxjerrë në shekuj figura të historisë italiane, madje edhe politikanë që kanë kontribuar në qeverisjen e Italisë në vite. Në 40 stendat e kësaj ekspozite piktori dhe studiuesi De Rosa 65-vjeçar, na jep në gjuhën shqipe, historinë e vendlindjes së tij. Ai jeton prej vitesh në Durrës dhe kjo ndoshta ka tërhequr interesimin e qytetarëve intelektualë e krijuesve durrsakë, ku nuk kanë munguar edhe artistë dhe njerëz të kulturës nga Tirana në ceremoninë e përurimit. Duke folur mbi ekspozitën De Rosa u shpreh se “Ururi, nuk është fshat si gjithë të tjerët, pasi burra të këtij fshati në vitet 1960-1970 kanë qenë politikanë të njohur dhe deputetë në Parlamentin e Italisë, si Tomaso Palmioti 20 vjet kryetar i bashkisë para se të bëhej deputet, apo Luigi Occhioneron dhe Mario Tanasi arbëreshë, që veç ministër në disa qeveri, ishte edhe zv/kryeministër i Italisë”. Në ekspozitën e tij me ngjyra shihet Skënderbeu, figura më e nderuar jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e fshatit arbëresh Ururi. Sipas historianëve, Ururi është themeluar në vitin 1465, tre vjet para vdekjes së Skënderbeut. De Rosa tha se “paraardhësit tanë erdhën në Itali të dërguar nga Skënderbeu në ndihmë të Mbretit të Napolit gjatë revoltës së baronëve të Apuglias kjo pjesë e historisë është ndërtuar me dokumente historike, në gravurat dhe foto shihen fragmente të kishave të hershme, të fisnikëve dhe brigantëve, që shpesh herë sulmonin duke arritur ta djegin atë”. Ururi dhe arbëreshët e kanë ruajtur gjuhën, traditat dhe zakonet. Qysh në vitin 1968 në fshatin Ururi u krijua Komiteti për Mbrojtjen e Gjuhës Arbëreshe, ku nuk mungonin edhe homazhet pranë monumentit të Skënderbeut në Romë. Ekspozita e Luis De Rosa ka foto bardhë e zi të 45 viteve. Ai ka botuar studime historike si “Mjeshtri dhe burri i dheut” apo “Unë jam arbëresh”, ndërsa drejton prej disa vitesh botimin e revistës së përmuajshme “Kumbora” të fshatit Ururi. Ekspozita e arbëreshit Luis de Rosa do të qëndrojë e hapur 10 ditë dhe po ndiqet me interesim nga qindra qytetarë të Durrësit.

Artur Ajazi

 

Ekspozitë e udhëtimit e alpinistëve shqiptarë në Everest

Një prej alpinistëve, të cilët në një rast të paprecedent, për herë të parë si pjesë e një grupi ngjiten me sukses majën më të lartë të botës, atë të Everestit, ku ngritën për herë të parë në histori edhe flamurin shqiptar, z. Fation Plaku, do të hapë ditën e premte më datë 25.1.2013 një ekspozitë të veçantë, e cila do të përcjellë tek publiku atë udhëtim sa të lodhshëm aq edhe të paharruar e madhështor. Ekspozita do të ketë më shumë se 100 foto, duke pasqyruar të gjithë ngjitjen deri në majën e botës. Përveç fotove, z. Plaku ka përgatitur dhe një dokumentar ku mund të shohim disa sekuenca kryesore në majën e malit. Gjithashtu, pjesë e ekspozitës do të jetë edhe ekspozimi i të gjitha veshjeve dhe pajisjeve speciale të përdorura gjatë ekspeditës, të cilat përdoren vetëm në lartësitë mbi 7000 m. Ekspozita do të hapet në orën 19:30 në galerinë “FAP”, pranë Akademisë së Arteve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency