Mandatet në Kuvend, PS do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

0
137

Gëzim Saliu

gjinkuriTryezë me ambasadorët, Gjiknuri: Rishpërndarja në Kuvend, goditje e Kushtetutës, zgjedhjet vihen në diskutim

 

Partia Socialiste nuk do të pranojë rishpërndarjen e mandateve nga Kuvendi. Në një takim me përfaqësues të ambasadave të huaja në vend, të akredituar në vend, sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste Damian Gjiknuri deklaroi dje se miratimi i rishpërndarjes së mandateve nga ana e Kuvendit do të ishte një shkelje e rëndë e Kushtetutës. Madje, deputeti socialist bëri të ditur se në rast se Parlamenti do të miratojë ndarjen e re të mandatave, opozita do të shohë të gjitha rrugët për të kundërshtuar këtë akt, duke përfshirë edhe ankimimin në Gjykatën Kushtetuese. “Nuk mund të anashkalohet KQZ dhe as Kuvendi të mund të përdorë precedentë vitin 2009 për ti përdorur për mandatet e reja, për zgjedhjet e vitit 2013. Është një çështje që është shumë e rrezikshme, do të jetë një goditje e Kushtetutës, një ilegalitet që në fillim të zgjedhjeve, gjë që do të vërë në diskutim zgjedhjet”, – tha Gjiknuri.

 

Mandatet

Për Partinë Socialiste, vendimi i Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e ZAZ-ve ka qenë i paligjshëm dhe se sipas saj tentativa e Administratës së KQZ-së për çështjen e mandateve, kërkon të lë në fuqi shpërndarja e deputetëve të 2009. “Ndarja e mandateve duhet trajtuar në diskutim, është një çështje shumë serioze. Nuk mund të shkohet në garë elektorale me mandate që nuk përfaqësojnë barazinë e përfaqësimit. Pra, do të thotë që të jenë në proporcion me shtetasit kudo që ndodhen dhe kjo është një çështje që kërkon vëmendje”, – u shpreh deputeti socialist Damian Gjiknuri pas takimit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri lidhur me këtë çështje. Po ashtu, deputeti socialist ka akuzuar administratën e KQZ-së si të politizuar, duke nënvizuar njëkohësisht se institucioni më i lartë zgjedhor dhe parlamenti duhet të marrin vendime sipas parimit të barazisë, duke qenë se është parimi themelor. Po provohet edhe njëherë që administrata e KQZ-së është totalisht e politizuar. Kjo është thënë edhe nga ambasadorët. Mandatet duhet të shpërndahen sipas parimit të barazisë, si parim bazë. Ende nuk është ezauruar afati ligjor për ndarjen e mandateve pasi afati i fundit është 7 marsi”, pohoi deputeti i PS. Në takimin, i cili kryesohej nga sekretari për çështjet zgjedhore, si edhe dy nënkryetarët Bledi Çuçi dhe Koli Bele u diskutuan çështje që lidhen me vendimin e Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e mandatave si edhe me nevojën e vendimeve konsensuale në Komisionin Qendror Zgjedhjeve. Po ashtu në këtë takim me përfaqësues të ambasadave në vend, deputeti socialist ka parashtruar përpara nevojën që faktori ndërkombëtar t’i kushtojë më shumë vëmendje fazës përgatitore të zgjedhjeve si parakusht për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të gjithëpranuara. Palët politike nuk arritën të gjenin konsensusin mes tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për ndryshimin e numrit të mandateve në qarqet e vendit. Në këtë formë, Kolegji Zgjedhor vendosi që numri i Zonave të administrimit zgjedhor, të cilit i korrespondojnë edhe qendrat e numërimit të votave për zgjedhjet e 23 qershorit të jetë 89, nga 66 që kanë qenë më parë. PS e cilësoi si një shkelje të rëndë vendimin e Kolegjit, pasi sipas selisë rozë, ky organ nuk mund të merrte një kompetencë të cilën e ka KQZ-ja.

 

 

Laprakë, Rama: Rilindja ju shpëton nga rrënimi

Kreu i PS-së, Edi Rama, zhvilloi ditën e djeshme një takim me banorë të Laprakës në kryeqytet, ku premtoi se program i opozitës do të ndryshojë gjendjen dhe do të risjellë shpresë për shqiptarët. Pas takimit, Rama shkruante në faqen e tij personale në Twitter, se borxhet po rrënojnë jetën e shumicës dërrmuese, ndërkohë që ka vetëm një përgjigje për ti dhënë fund rrënimit sipas tij dhe ajo është “një votë për një Rilindje Shqiptare” . “Rilindje për të mos u mbytur nga litari i borxheve lidhur keq në fytin familjeve të vetëpunësuara me biznes të vogël. Ka vetëm një përgjigje të qartë për të ndalur rrënimin e mëtejshëm: Një votë për një Rilindje Shqiptare! Në Laprakë ku luftohet për mbijetesë! Biznesi i vogël po falimenton. Borxhet po nxijnë jetën e shumicës dërrmuese”,- shkruante Rama. Ndërkohë, duke iu rikthyer sistemit të taksave, kryesocialisti deklaroi se biznesi i vogël po shkatërrohet nga taksat abuzive. “Rilindje për të zhbërë bandat e xhandarmërisë tatimore që po shkatërrojnë me gjoba abuzive çdo shitës e biznes”, – deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.

 

 

Pasardhësit e firmëtarëve të pavarësisë firmosin peticionin drejtuar Ramës: Voto 3 ligjet

Pasardhësit e firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë i janë bashkuar iniciativës që i kërkon Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, të lejojë deputetët e opozitës të votojnë 3 ligjet e integrimit. Duke iu bashkuar nismës së elitës shqiptare, që i kërkon kryesocialistit, të mos pengojë votimin e 3 ligjeve të integrimit evropian të vendit, ata besojnë se nderojnë veprën e paraardhësve të tyre, firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Kontribuues në nismën “Pro Integrimit” janë bërë me firmat e tyre, pasardhësit e baballarëve të kombit Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Xhelal Koprencka, Abdi dhe Murat Toptani, Mithat Frasheri, Hajredin Cakrani, Veli Harci, Qemal Elbasani, Bedri Pejani, Lef Nosi, Mustafa Merlika. Salih Gjuka, Vehbi Agolli, Zihni Abaz Kanina, Nebi Sefa, Dhimiter Emanuel, Ali Struga. Duke mbështetur këtë lëvizje, pasardhësit e firmëtarëve të Pavarësisë pohuan: “U ndiem të lënduar nga gjuha e urrejtjes që kryetari i PS-së përdori kundër nesh dhe intelektualëve shqiptarë. Një gjuhë e njëjtë me atë që përdorte Enver Hoxha kundër elitës shqiptare, të cilën e ekzekutoi pa gjyq, e burgosi, e internoi dhe e eliminoi Të njëjtin fat pësuan edhe pjesa më e madhe e themeluesve të shtetit shqiptar, firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë. Ne sot jemi të lirë dhe, si 94% e shqiptarëve, kemi zgjedhur rrugën tonë drejt familjes evropiane! Zoti Rama, bashkohu me ne! Bashkohu me shqiptarët!”

 

Ambasadori grek: Mbështesim Shqipërinë në rrugën e integrimit

Ambasadori grek Leonidhas Rokanos deklaron se Greqia mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian. Në një takim në qytetin e Korçës, teksa ka zhvilluar një vizitë kortezie në bashkinë e këtij qyteti, diplomati grek theksoi se qëllimi i tij është forcimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, dhe mbarëvajtja e këtyre raporteve në të ardhmen. “Greqia do të mbështesë Shqipërinë në hapat e saj drejt rrugës së integrimit të BE-së”, – tha ai. Më tej ambasadori ka vlerësuar bashkëpunimin mes qyteteve të ndryshme shqiptare dhe greke ndërsa është shprehur i impresionuar nga ajo që ka parë duke përmendur ndër të tjera kulturën bizantine. Rokanos tha gjithashtu se ka diskutuar me kryebashkiakun Peleshi për krijimin e projekteve ndërkufitare si dhe ndërtimin e ndërmarrjeve shqiptaro-greke në qytetin juglindor.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency