Berisha: Në 23 qershor do të fshijmë nga harta e dheut murin e bllokimit

0
144

Ina Jano

berishaKryeministri: Zoti Rama, ndryshimi midis nesh është i madh, sa ndryshimi midis ditës e natës

 

Në 22-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të qytetit të Shkodrës, kreu i qeverisë njëherazi edhe kryetar i kësaj force politike, Sali Berisha, deklaroi se në 23 qershor të gjithë shqiptarët do të shembin murin e bllokimit dhe do ta fshijnë atë nga harta e dheut. Lideri i mazhorancës gjatë takimit festiv në Shkodër tha se Partia Demokratike vjen në këto zgjedhje si forca politike më e madhe e ndryshimit dhe njëherazi premton se Shqipëria do të bëjë vetëm përpara. Referuar zgjedhjeve të qershorit, kryetari i selisë blu tha: “Ne vijmë sot si forca madhore e ndryshimit të këtij vendi, sepse Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit, e shndërruam në anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Aleancës më të fuqishme të kohërave. Ne jemi ndryshimi, sepse ne jemi burrat e gratë, djemtë e vajzat që shembëm 22 vjet më parë, Murin e Berlinit. Nga kjo platformë, nga çdo vatër shqiptare, nga çdo zemër shqiptare, i themi Edvin Kristaq Ramës se mezi presim 23 qershorin për të fshirë nga harta e dheut, murin e bllokimit. Ne jemi ndryshimi – përpara drejt Evropës!”

Më pas ai duke bërë një krahasim mes Ramës dhe politikës që ka ndjekur qeveria, pohoi se ndryshimi është si dita me natën. Kreu i PS-së, është nata pasi kërkon që të risë taksat ndërsa qeveria punon për uljen e numrit të të varfërve dhe për hapjen e vendeve të reja të punës. “Zoti Rama, ndryshimi midis nesh është i madh, sa ndryshimi midis ditës e natës. Ndryshimi midis këtyre burrave e grave dhe teje është si ndryshimi i ditës me natën, sepse këta të rinj, këta burra e gra, të gjithë së bashku duan më pak të varfër, ndërsa ti do më pak të pasur. Këta djem e vajza, këto burra e gra, unë bashkë me ta, qeveria bashkë me ta punon çdo ditë për të ndihmuar të varfrit, për të krijuar vende pune, për t’i nxjerrë nga varfëria, ndërsa ti zotëri premton shkatërrimin e shpejtë të vendeve të punës, rritjen e taksave, agjenci speciale, taksa speciale që kurrë nuk do t’i vendosësh”, – vlerësoi Kryeministri.

Duke bërë një ekspoze të shkurtër të të gjitha arritjeve që ka arritur kjo mazhorancë gjatë këtyre viteve të qeverisjes, Berisha tha se në vend është rritur numri i rrugëve të shtruara, jetëgjatësia e njerëzve dhe po ashtu është rritur penetrimi i internetit në vend. Gjithashtu duke ju referuar PD-së, kreu i kësaj force politike vlerësoi se ajo është partia që përfaqëson lerat e vërteta, liria, por edhe ndryshimet më të mëdha epokale kanë ndodhur gjatë qeverisjes së kësaj partie. Ndërsa duke u ndalur në qytetin e Shkodrës dhe ndryshimin që ky qytet ka përjetuar gjatë këtyre viteve, Kryeministri tha se njerëzit e këtij qyteti janë me gjak blu. Për të demonstruar ndryshimin e madh gjatë këtyre dekadave, kreu i ekzekutivit tregoi edhe një mesazh që kishte marrë në Facebook. “Pak ditë më parë, një qytetar i thjeshtë, bir i këtij qyteti, i cili pas shumë vitesh mërgimi kishte ardhur në Shkodër, më shkruante në Facebook: Po të shkruaj këto fjalë që më dalin nga zemra. Unë kisha kohë që nuk e kisha parë qytetin tim dhe as vendin tim. U ktheva në Shkodër dhe pas një darkë me familjarët e mi dola në qytet. U mahnita me qytetin tim! Kurrë, – shkruante ky djalosh shkodran – nuk mund të them se qyteti im kishte rilindur, se qyteti im nuk vdes kurrë, qyteti im është mijëravjeçar, por ai mu duk një mrekulli e vërteta. U enda rrugëve e shesheve të tij për orë të tëra, duke shijuar bukuritë mahnitëse të tij”, – tha Berisha. Mes entuziazmit të qytetarëve të Shkodrës, Kryeministri tha se Partia Demokratike kremton sot 22-vjetorin e themelimit të saj, si forcë e ndryshimeve epokale dhe do të vazhdojë të jetë forcë madhore për Shqipërinë, vend i zhvilluar, Shqipërinë evropiane.

 

 

PD: Barjaba, lektor në Akademinë Politike në 20 janar

 

Laura Vorpsi nga Partia Demokratike zbuloi dje fakte të reja për lidhjet mes Partisë Socialiste dhe Kosta Barjabës. Kështu, sipas selisë blu, xhepisti Kosta Barjaba në datën 20 janar është parashikuar që të mbajë një leksion në Akademinë Politike, krahas emrave të tjerë të njohur si Servet Pëllumbi, Arta Dade, Alfred Moisiu, Luan Omari etj., që do të thotë se Rama ka mashtruar kur një javë më parë deklaroi se e pezulloi nga të gjitha funksionet në parti. Ndërkohë, Vorpsi vuri në dukje edhe lidhjen mes Kosta Barjabës që u arrestua në SHBA, me akuzën e vjedhjes dhe bashkëshortes së kreut të opozitës Edi Rama. “Ndërkohë, z. Rama heshti dje për pallatin e bashkëshortes së tij të ndërtuar në lulishten në sheshin midis pallateve me firmën dhe vulën e tij nga znj. Lindita Basha, investim ky prej rreth 2 milionë eurosh nga dy familjarë, njëri pensionist dhe tjetri i vetëpunësuar. Z. Rama nuk ka dhënë asnjë shpjegim për personin që ka marrë apo ka dhënë 100 milionë lekë, të deklaruara nga znj. Basha në ILDKP, për të cilat nuk thuhet asnjë fjalë, burimi tyre, tatimi i tyre apo lëvizja në llogari bankare. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, hesht dhe nuk flet, pasi ai nuk del dot nga kthetrat e korrupsionit ku është zhytur. Ai nuk mund të shkëputet nga Barjaba, jo vetëm se e shoqja ka ndarë shuma marramendëse me të, por sepse Kosta Barjaba mund të denoncojë para drejtësisë amerikane kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për pallatin në pajë të Lindita Bashës, firmat e tij të paligjshme dhe burimet e financimit të këtij pallati që me shumë gjasë janë larje parash nga z. Rama”, – pohoi Vorpsi. Ajo tha se pikërisht për shkak të lidhjes mes Bashës dhe Barjabës, lideri socialist nuk mundet që ta përjashtojë atë nga partia, pasi ai di të vërtetën për kredinë pa interes prej 100 milionë lekësh të Lindita Bashës. “z. Rama nuk pezullon dot Kosta Barjabën, sepse ai di shumë për kredinë pa interes prej 100 milionë lekë të Lindita Bashës dhe origjinën e tyre, prandaj edhe ai njofton të gjithë audiencën socialiste që do të regjistrojë në akademinë politike socialiste deri më datë 20 janar, se do të kenë për lektor krahas Servet Pëllumbit, Luan Omarit, Alfred Moisiut, Taulant Ballës dhe xhepistin e tij Kosta Barjaba”, – përfundoi komunikimi me mediat.

Berisha: Rama thotë “prit publik sa të piqen fiqtë”

Kryeministri Sali Berisha reaguar në rrjetin social Facebook në lidhje me deklaratat e kryetarit të PS-së Edi Rama për pallatin që mazhoranca thotë se është në pronësi të bashkëshortes së kryesocialistit. Duke ironizuar deklaratën e Ramës, Kryeministri Berisha thekson se ndërsa publiku priste transparencë në lidhje me pallatin ai u tha se “prit sa të piqen fiqtë”. “Dje publiku priste nga zoti Rama transparencë për atë që mediat e kanë quajtur “pallati në pajë”, një investim ky nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar, me vlerë rreth 2 milionë euro, ndërtuar në kundërshtim me ligjin nga familja e zonjës Linda Basha, në lulishte, shesh midis pallateve, me dy leje ndërtimi që mbajnë firmën e z. Rama. Mirëpo pyetjes për “pallatin në pajë”, zoti Edi Rama iu përgjigj me “transparencë” të madhe! Ai tha se shpifësit meritojnë përçmim, ndërsa publiku ka të drejtë të sqarohet. Pyetjes se kur do ta sqaronte publikun, zoti Rama iu përgjigj thjesht: kur të dua unë. Gazetari nën zë i tha kolegut pranë tij se kjo është transparenca alla Rama, prit publik sa të piqen fiqtë dhe se, me siguri, radhën e ardhshme ky do na thotë se “pallati në pajë” nuk është problemi i Shqipërisë, pikërisht ashtu siç tha ai për Barjabën para një jave. Mirëpo, pallati edhe futet në pajë, por në thes jo – vazhdoi gazetari i zhgënjyer nga përgjigja e kryetarit të PS-së!”, – shkroi dje zoti Berisha. Ndërkohë të njëjtin reagim me të pati edhe selia blu që akuzoi Ramën për mungesë të transparencës.

 

 Panariti – Al Nayhan: Të rritim bashkëpunimin ekonomik mes vendeve tona

Gjatë qëndrimit të tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri Panariti zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Duke e vlerësuar si të shkëlqyer dialogun politik mes dy vendeve, ministri Panariti dorëzoi homologut emiratas ftesën e Presidentit Nishani drejtuar Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikut Khalifa bin Zayed Al Nahyan për të vizituar Shqipërinë. Panariti falënderoi ministrin Al Nahyan për mbështetjen që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë vazhdimisht Shqipërisë në rrugën e zhvillimit, si dhe Kosovës, duke qenë një ndër vendet e para që kanë njohur atë. Shefi i diplomacisë shqiptare theksoi interesin e palës shqiptare për rritjen e investimeve emiratase në Shqipëri dhe mbështetjen e projekteve në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit. Ndër të tjera, ai kërkoi mbështetje për financimin e projektit të rehabilitimit të Lumit të Tiranës, projekteve për shfrytëzimin e burimeve energjetike, hidrike dhe minerare të vendit. Në lidhje me bashkëpunimin në fushën e transportit, Ministri Panariti propozoi vendosjen e linjës së fluturimit mes Tiranës – Podgoricës dhe Dubait e cila do të lehtësonte kontaktet mes tre vendeve si dhe zgjeronte mundësitë për bashkëpunim në fushën ekonomike, tregtare dhe në fushën e turizmit. Të dy ministrat shprehën gatishmërinë e qeverive respektive për plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit dypalësh përmes nënshkrimit në të ardhmen e afërt të disa marrëveshjeve si në fushën ekonomike, arsimit, transportit, etj. Ata ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit mes Ministrive të Jashtme, nëpërmjet realizimit të konsultimeve periodike, mbështetjes reciproke në organizmat shumëpalëshe dhe realizimit të projekteve të përbashkëta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency