Koalicionet Aleatët kundër Ramës, Gjinushi-Milo: PS, jo aleancë me LSI-në

0
171

Gëzim Saliu

ramaGjinushi në mënyrë të drejtpërdrejtë përjashtoi edhe FRD-në dhe AK-në si pjesë të frontit opozitar, duke i etiketuar si fraksione të së djathtës

Aleatët tradicionale të Partisë Socialiste, PSD dhe PDS, kundërshtojnë përfshirjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicionin e opozitës në parlamentaret e 23 qershorit. Në reagim ndaj ftesës së kryesocialistit Rama ndaj LSI-së, për t’u bashkuar në një front të gjerë, kreu i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi se PS nuk duhet të ndërtojë një koalicion, me një parti të korruptuar, sipas tij, siç është LSI-ja. “Në raport me LSI-në vlerësojmë se ajo është bashkëfajtore me PD për korrupsionin rekord, për 21 janarin, për krizën ekonomike, për dështimin e integrimit. Ajo e PD bën që Shqipëria për herë të parë të jetë e fundit në rajon ne procesin e integrimit dhe e para në nivelin papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit. Të majtës i duhen votat e të majtëve të mashtruar nga LSI në emër të anti-Nanos apo anti-Ramës dhe jo lidershipi mashtrues”, – tha Gjinushi.

 

Aleancat

Nga ana e tij kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, u shpreh pro hapjes së koalicionit, por duke bërë të ditur rezervat lidhur me mundësinë se afrimi i këtyre partive me opozitën do të vijë vetëm për interesa të pushtetit. Në këtë kontekst, Milo sugjeroi se fronti opozitar duhet te këtë strategji të qartë, program elektoral të përcaktuar si dhe të jetë transparent në raport me aleatët e përfshirë dhe elektoratin. Ndërsa Gjinushi në mënyre të drejtpërdrejtë përjashtoi edhe FRD e AK-në si pjese të frontit opozitar, duke i etiketuar si fraksione të së djathtës. “FRD-ja është një fraksion i PD-së dhe roli i saj është rilindja e një të djathte reale në Shqipëri, por fitorja e të majtës nuk varet prej saj. E majta ka misionin e ndryshimit e të qeverisjes, FRD-ja ka misionin ndryshimit të së djathtës. Për ne dhe AK-ja është një forcë kompensuese e të djathtës. Është mirë që edhe e djathta të ketë krah patriotik, por asnjë e djathtë s’mund të marrë votat majtas. Ata kanë kufizime të tilla si mosvlerësimi i Luftës Nacional-Çlirimtare apo mosdënimi i grushteve të shtetit në ‘24-ën nga Ahmet Zogu e Sali Skifteri në ‘98, ndonëse ata synonin drejtpërdrejt lënien e Kosovës nën Serbi”, – theksoi Gjinushi. Çështja e koalicionit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare ka marrë një hov të ri me nisjen e 2013-ës. Në fillim të vitit, ishte kreu socialist Edi Rama, i cili në një konferencë në Twitter, ftoi LSI-së dhe FRD-në për tu bashkuar me koalicionin opozitar. Partia e drejtuar prej ish-presidentit Topi refuzoi hapur ftesën e kryesocialistit, duke pohuar se në zgjedhjet e 23 qershorit nuk do të përfshihet në koalicion me asnjë nga dy forcat e mëdha. Ndërkohë edhe LSI-ja nëpërmjet reagimeve të përfaqësuesve të lartë të saj, ka kundërshtuar një bashkëpunim me PS-në, duke nënvizuar nga ana tjetër se për çështjen e koalicionit do të vendosin forumet në kohën e përshtatshme. “Janë forumet që vendosin nëse duhet të bëjmë koalicione të tjera. Por unë e kam të pamundur të bëj koalicion me parti që nuk voton ligjet themelore dhe na lënë jashtë BE-së”, – do të shprehej deputeti i LSI-së, Nasip Naço, duke shtuar se forca ku ai bën pjesë do ti qëndrojë marrëveshjes së 2009-ës me PD-në. Ndërkohë dy ditë më parë, në mbledhjen e kryesisë së PD-së, ku bëri të ditur edhe sloganin e forcës më të madhe politike në vend, kryeministri Berisha deklaroi se koalicioni me LSI-në ka qenë mjaft i suksesshëm dhe se për vazhdimin e tij, të djathtët mbeten të hapur.

 

Malaj: Listat e deputetëve, jo nga Rama, anëtarësia dhe strukturat, pjesë vendimmarrëse

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaron se listat e deputetëve për zgjedhjet parlamentare të 2013-ës duhet të hartohen me përfshirjen edhe të anëtarësisë së Partisë Socialiste. Duke nënvizuar se listat nuk mund të hartohen bazuar në mendimin e lidershipit të PS-së, anëtari i kryesisë së PS-së pohoi në një intervistë për “News 24” se për këtë proces duhet marrë për bazë edhe mendimin i anëtarësisë së thjeshtë dhe strukturave të partisë. Sipas Malajt, argumentimet që vijnë nga deputetë të ndryshëm të selisë rozë, nuk duhen marrë si diçka negative, por si një vlerë që socialistët i dallon nga mazhoranca, ku nuk ka asnjë lloj debati. “Ka ardhur koha që të krijohen grupe pune me njerëz të kualifikuar, kjo e pasuar me demokraci të brendshme”, – u shpreh ai. Në lidhje me fushatën zgjedhore, deputeti socialist theksoi se ekonomia dhe rimëkëmbja e vendit duhet të jenë pikat më kryesore. “Shtyllat kryesore të fushatës së Partisë Socialiste duhet të jenë detajimi i programit dhe mënyra se si do qeverisë Partia Socialiste, ndryshe nga demokratët, deklaroi Malaj. Ndërkohë lidhur me koalicionet, ai bëri të ditur se PS mbetet i hapur për aleanca, por se sipas tij këto të fundit nuk duhen bërë thjesht sa për të fituar zgjedhjet, por duhet që t’i sjellin stabilitet qeverisë.

 

Koja: Koalicioni i opozitës të mos ndërtohet mbi pazare të pista

Partia Socialiste e Moderuar mblodhi kryesinë në të cilën diskutoi strategjinë elektorale, ku kryetari i kësaj partie Gjergji Koja shprehu nevojën e një koalicioni të gjerë për të mundësuar fitoren e së majtës. Duke nënvizuar se PS duhet të qartësojë pozicionin e saj në raport me aleatët, Koja pohoi se koalicioni i ardhshëm i opozitës duhet të ndërtohet mbi bazën e marrëveshjeve dhe jo pazareve të pista. “PSM e konsideron koalicionin me PS si një bashkëpunim politik strategjik afatgjatë në dobi të interesave jetike të shqiptarëve. Prandaj PSM mendon se ka ardhur koha që PS të mbledhë koalicionin e të gjitha forcave progresive që duan ndryshimin, dhe t’i japë jetë dhe dinamizmin e duhur këtij koalicioni përmes marrëveshjeve para e pas zgjedhore jo si pazare të pista politike, por si garanci për ta rikthyer vendin në rrugën e stabilitetit politik dhe ekonomik, si edhe në rrugën e rimëkëmbjes sociale”, – tha Koja. Ndërkohë, duke folur rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kreu i PSM-së nënvizoi: “Viti që lamë pas shënoi edhe një dështim spektakolar të të gjithë spektrit politik shqiptar për të vendosur më në fund rregulla loje demokratike e transparente përmes një sistemi të ri zgjedhor proporcional kombëtar që do të garantonte barazinë e votës, dhe një numërim elektronik të shpejtë e të pacenueshëm të votave, që do t’u paraqiste shqiptarëve në kohë rekord fituesin e merituar. Mbetëm, për fat të keq, përsëri peng i mungesës së thellë të besimit mes palëve, edhe pse kjo nuk do të na pengojë që të fitojmë më 23 qershor përmes një koalicioni të gjerë politik të së majtës, misioni rindërtues i të cilit nuk mbaron, por fillon ditën pas zgjedhjeve”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency