Vrasja e 23 viteve më parë, Selim Struga kërkon parashkrim të dënimit

0
264

Sonja Caka

selimGjykata e Tiranës kishte pranuar kërkesën për parashkrim të vendimit 15 vjet burg, Apeli ndryshoi vendimin dy muaj më parë. Gjykata e Lartë do të japë verdiktin për vuajtjen e dënimit ose parashkrimin e tij

 

Duhet parashkruar apo jo vendimi me burg prej 15 vitesh për Selim Strugën. Ky do të jetë vendimi që do të duhet të marrë në vijim Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë për çështjen në ngarkim të Selim Strugës, i akuzuar dhe dënuar për një vrasje të 23 viteve më parë në Kombinat, ndërkohë që aktualisht gjendet i burgosur dhe në pritje të ekstradimit nga SHBA, ku ndodhej prej 20 vitesh. Pas vendimit të vitit 2001 që e dënonte me burgim për vrasjen e Gëzim Çelmetës, në gusht të vitit të kaluar, po e njëjta gjykatë pranoi kërkesën e vëllait të të dënuarit, për parashkrimin e vendimit dhe lirimin nga vuajtja e dënimit. Por, Prokuroria nuk ka qenë dakord me këtë vendim dhe për këtë arsye e ankimoi vendimin duke e dërguar në Apel, i cili pranoi kërkesën e organit të akuzës dhe ndryshoi vendimin, duke lënë në fuqi vendimin me 15 vjet burg ndaj Strugës. Tashmë, çështja ka kaluar në Gjykatë të Lartë dhe dosja është regjistruar dy ditë më parë për t’u shqyrtuar në vijimësi nga Kolegji Penal me relator gjyqtarin Gani Dizdari.

Ngjarja

Nga aktet në dosje, rezulton se më datë 21.6.1989 rreth orës 17:00, i dënuari Selim Struga ka vrarë me thikë shtetasin Gëzim Çelmeta. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të lokalit të quajtur “10 Korriku”, të ndodhur në rrugën “Qemal Stafa”, Tiranë. I dënuari ka qenë duke pirë me shtetasit Muhamet Nezaj dhe Fatmir Maçkën në një tavolinë e në pije e sipër dikush nga shokët përreth tavolinës ka thyer një shishe. Ndërkohë, në të njëjtin lokal kanë qenë ulur dhe viktima, Gëzim Çelmeta dhe shoku i tij, Bujar Rama. Këta të fundit, duke parë gjendjen e alkoolizuar të tavolinës ngjitur me ta, kanë marrë rrugën për të dalë jashtë. Në momentin e daljes, njëri nga personat e ulur në tavolinë me Selim Strugën ka debatuar me shtetasin Bujar Rama. Ky fakt, ka përfshirë dhe personat e tjerë në debat, i cili shumë shpejt ka degjeneruar në një situatë të acaruar. Në këtë moment, Selim Struga i është afruar nga prapa viktimës dhe e ka goditur me mjet të fortë shpues, i cili është plagosur dhe më pas ka vdekur ne spital. Mbi këtë bazë, nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 21.6.1989 është regjistruar procedimi penal nr. 575 për veprën penale të “Vrasjes” parashikuar nga neni 83 i Kodit Penal të vitit 1977. Në përfundim te hetimeve, meqenëse nuk është bërë e mundur ndalimi i shtetasit Selim Struga, urdhëruar me aktin nr. 840 prot., datë 26.6.1989, nga ana e organit të akuzës, bazuar në nenin 97/2 të Kodit të Procedurës Penale të vitit 1979, më datë 21.8.1989 është vendosur pezullimi i procedimit penal. Me vendimin e datës 10.10.2000, organi i akuzës duke marrë në konsideratë ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale me Ligjin nr. 7905 datë 21.3.1995, ku parashikohej hetimi dhe gjykimi i të pandehurve në mungesë, ka vendosur rifillimin e hetimeve dhe më datë 17.1.2001 ka vendosur marrjen sit ë pandehur të Selim Strugës për veprën penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga 76 i Kodit Penal. Ky procedim është hetuar dhe gjykuar në mungesë të të pandehurit, dhe në përfundim, Selim Struga me vendimin nr. 800 date 4.12.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është dënuar në mungesë me 15 vjet burg për veprën penale të “vrasjes me dashje”, të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. Ky vendim nuk është ankimuar e për rrjedhojë ka marrë formë të prerë më datë 14.12.2001.

Arrestimi

Selim Struga është arrestuar nga autoritetet policore në SHBA, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana e autoriteteve policore shqiptare, me qëllim mundësimin e ekzekutimit të vendimit të dhënë në vitin 2001. Për këtë qëllim, nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, më datë 2.12.2011 është depozituar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit kërkesa për llogari të vendimit nr. 800 datë 4.12.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilën është kërkuar arrestimi dhe ekstradimi i të dënuarit Struga, ashtu siç parashikohet dhe në traktatin e ekstradimit midis SHBA dhe Republikës së Shqipërisë, hyrë në fuqi më datë 14.11.1935. Për këtë qëllim, kërkuesi është arrestuar më datë 8.12.2011, fakte të pasqyruara në shkresën e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Divizioni kundër Krimeve. Selim struga ndodhej prej 20 vitesh në Amerikë. Sipas akuzës, vendimi prej 15 vitesh burg është ekzekutuar pak ditë para se të ezaurohej afati i parashkrimit të tij.

Detaj

15 vite burg u dënuaSelim Strgua për vrasjen në vitin 1989 të shtetasit Gëzim Çelmeta

Durrës

Vjedhja e parave të vjehrrit, “Arrest me burg” për Xhindin

Gjykata e Durrësit ka lënë dje në burg Ismail Xhindin, të dashurin e 18-vjeçares Fatma Buziu, e cila tashmë ndodhet në burg për vjedhjen e parave nga kasaforta e të atit. Në seancën e djeshme gjyqësore, trupi gjykues ka caktuar masën e sigurisë, “Arrest në burg” për Ismail Xhindin, i cili akuzohet se në bashkëpunim me të dashurën e tij vodhi 88 mijë franga zvicerane dhe 4 milionë lekë të reja në banesën e babait të të dashurës, Shkëlqim Buziu. Sipas prokurores së çështjes, ekzistojnë prova për implikimin e Xhindit në vjedhjen e parave, ndërkohë që ky i fundit ka mohuar përfshirjen në këtë vjedhje. Dy ditë më parë, gjykata e Durrësit dha masën “Arrest me burg” edhe për Fatma Buziun, e cila në sallën e gjyqit u shpreh se është penduar për veprimin e saj. Arrestimi i 18-vjeçares, është bërë nga efektivat e policisë më 3 janar pasi vërtetuan, se në periudhën korrik-dhjetor të vitit që lamë pas, në një kasafortë në banesën e të atit të saj Shkëlqim Buziu, ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash. Në momentin e arrestimit, policia bën të ditur se në cilësinë e provës materiale 18-vjeçares i është bllokuar shuma prej 600 mijë lekësh të reja.

 

Apel

Mungon Ilir Xhakja, shtyhet për të 4-ën herë vendimi

Gjykata e Apelit të Durrësit ka shtyrë sërish vendimin ndaj Ilir Xhakes, i cili akuzohet për vrasjen e Qerim Malokut në vitin 1998. Trupi gjykues vendosi ta shtyjë vendimin për Xhaken për më 23 janar, pas mosparaqitjes së të akuzuarit në sallë. Sipas gjykatës, Ilir Xhakja nuk është njoftuar për seancën e djeshme gjyqësore, duke bërë që për të 4-ën herë të mos jepet vendimi ndaj tij. Nga ana e trupit gjykues nuk ua dha asnjë shpjegim mbi arsyet e mosnjoftimit të të pandehurit mbi seancën e djeshme, duke u mjaftuar vetëm me vendimin për shtyrjen e vendimit. Prokuroria ka kërkuar 24 vite burg ndaj tij, ndërkohë që në vitin 2002 gjyqtari Neritan Tabaku, i dha pafajësinë Ilir Xhakes për këtë krim. Vrasja e Qerim Malokut ka ndodhur në 26 korrik të vitit 1998 në vendin e quajtur Katund Sukth ndërsa për vrasjen e tij akuzohet pikërisht Ilir Xhakja. Ndërkohë mbi Xhaken rëndon akuza e vrasjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, ngjarje kjo e ndodhur në shtator të vitit të kaluar.

Tiranë

Iu fik makina mbi shinat e trenit, “Arrest me burg” taksistit Hysenaj

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Arrest me burg” për taksistin Qani Hysenaj, i cili akuzohet për aksidentin e ndodhur pak ditë më parë mbi shinat e trenit, ku treni përplasi automjetin-taksi ku ndodhej motër e vëlla. Si pasojë vdiq pasagjerja 21-vjeçare ndërsa u plagos rëndë vëllai i saj 3-vjeçar. Përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë u cilësua drejtuesi i taksisë informale, 61-vjeçari Qani Hysenaj, pasi punonte i palicencuar. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, ku gjeti vdekjen Kristjana Ndosha dhe u plagos rëndë vëllai i saj 20 vjeç. Sipas akuzës, Qani Hysenaj, banues në rrugën “Siri Kodra”, gjatë drejtimit të mjetit të tij tipi “Ford Focus”, me targë TR 7358 U, te mbikalimi i hekurudhës është ndaluar mbi traversat e hekurudhës te rruga “Jordan Misja”. Për pasojë, nga pamundësia për të ndezur mjetin që i ishte fikur, i cili nga këqyrja e kryer ka rezultuar pa kontroll teknik, është përplasur nga treni i udhëtarëve me lokomotivën nr. T 6691059, të linjës Durrës – Tiranë. Për pasojë, nga kjo përplasje ka gjetur vdekjen shtetasja Kristjana Lush Ndosha, 21 vjeçe, banuese në Pukë, e cila ka qenë pasagjere duke udhëtuar në mjetin e tij bashkë me vëllain e saj 20-vjeçar, Mikel Ndoshaj. Shoferi i taksisë, sipas akuzës, pavarësisht se e ka parë trenin që po i afrohej, duke tentuar vazhdimisht të ndizte makinën, nuk u ka kërkuar pasagjerëve që të zbrisnin që të largoheshin nga shinat.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency