Valë inspektimesh në 9 prokurori priten masa disiplinore në këshill

0
159

Elton Qyno

lalal ramaProkurorët, si në provim, japin shpjegime përballë inspektorëve për gabimet e bëra gjatë hetimit

Në skaner, shkeljet për caktimin e masave të sigurimit, afatet e hetimit dhe mbrojtja e dosjes në gjyq

 

Një fushatë e gjerë inspektimi është ndërmarrë nga Prokuroria e Përgjithshme në rreth 9 prokuroritë më të mëdha të vendit. Duke u bazuar në një formulë të ideuar dhe projektuar nga kryeprokurori Adriatik Llalla, inspektorët që prej tri ditësh kanë marrë në shqyrtim dhjetëra dosje hetimore në prokuroritë e rretheve Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë, Fier, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Ndryshe nga herët e tjera, mësohet se e veçanta e këtij inspektimi të ndërmarrë nga kryeprokurori i ri është se dosja kontrollohet në prani edhe të prokurorit që ka kryer veprime hetimore mbi të. Nisur nga kjo situatë, prokurorët dhe inspektorët janë përballë njëri-tjetrit, duke konstatuar gabimet dhe ndjekur në mënyrë korrekte të gjitha vendimet e marra gjatë periudhës së hetimit të çështjes. Një skemë e tillë inspektimi është duke u praktikuar në Prokurorinë e Tiranës, ku inspektorët i kanë bërë me dije prokurorëve në kohë reale, gabimet e kryera gjatë hetimit, por edhe këshillat se si duhet të ishte ndjekur në rastet e caktimit të masave të sigurimit, shtyrjes së afateve hetimore, pushimin apo pezullimin e dosjes. Në pamje të parë kjo valë e gjerë inspektimi në prokuroritë e rretheve, ka për qëllim luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e nivelit të performancës hetimore nga ana e prokurorëve. Por ndryshe nga kjo, këtyre të fundit, paraqitja përballë inspektorëve, i duket sikur ndodhen përballë një provimi universitar.

Priten masa disiplinore

Inspektimi që ka nisur nga një grup pune prej 6 prokurorë dhe që drejtohet nga kryeprokurori Adriatik Llalla, pritet të nxjerrë persona përgjegjës, për sa i përket shkeljes së ligjit dhe ndërmarrjes së vendimeve të dyshimta nga ana e tyre. Si rezultat i kësaj, pas përfundimit të raportit të inspektimit në të gjitha prokuroritë e rretheve, pritet një valë tjetër, ku këtë herë do të jetë ajo e nisjes së procedimeve disiplinore në Këshillin e Prokurorisë, për këdo prokuror që ka shkelur ligjin dhe ka marrë veprime të dyshimta korruptive. Tashmë inspektimi është në fazën fillestare të tij dhe ende nuk dihet nëse inspektorët kanë gjetur shkelje që në kontrollin e parë apo jo. Ndërkohë, veç këtij inspektimi, në zyrën e prokurorit të Përgjithshëm ekzistojnë edhe disa raporte inspektimi të kryera në disa prokurori të vendit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Tashmë këto raporte janë duke u shqyrtuar nga ana e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili është zotuar që para se të merrte mandatin se luftën kundër korrupsionit do ta niste si fillim nga vetë institucioni që drejton dhe më pas, këtë betejë do ta shtrinte edhe në institucionet e tjera të vendit, duke bërë arrestimin e personave të papërgjegjshëm me ligjin.

Njësitë task-forcë

Ato që janë vënë nën lupën e kontrollit të inspektorëve, janë edhe 7 njësitë antikorrupsion task-forcë, të cilat janë krijuar posaçërisht për hetimin e veprave penale me karakter korruptiv. Veç këtij sektori, në kontroll janë edhe sektorë të tjerë, si ai i veprave penale të vjedhjes, mashtrimit dhe vrasjes. Në shumicën e rasteve, inspektorët janë duke verifikuar me imtësi masat e sigurimit, afatet e zgjatjes së hetimeve, kohën e komunikimit të akuzës dhe shumë detaje të tjera që kryhen gjatë fazës hetimore. Ky është inspektimi i parë që merret në shkallë kaq të gjerë, ndërkohë që gjatë periudhës së drejtimit të prokurorisë nga Ina Rama, inspektimet kryheshin në prokurori të veçanta, për shkak edhe të numrit tepër të kufizuar të inspektorëve që kishte Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë drejtimit të saj, si rezultat i këtyre inspektimeve, kryeprokurorja Ina Rama ka vendosur shkarkimin e 4 prokurorëve, të cilët aktualisht kanë fituar gjyqin dhe që prej dy ditësh janë rikthyer në punën e tyre të mëparshme.

 

Qëlloi Gruevskin me hurma e vezë, Çopa merret i pandehur

Drejtuesi i forumit “Rinia Aktive”, që disa muaj më parë qëlloi me vezë, domate dhe hurma eskortën e Kryeministrit Maqedonas Nikolla Gruevski, është marrë i pandehur duke u akuzuar për veprën penale “Veprime të dhunshme ndaj vendeve të punës të personave të mbrojtur ndërkombëtarisht”. Prokurori Gjon Kodra ka mbyllur hetimet ndaj Taulant Çopës dhe se aktualisht çështja në ngarkim të tij i ka kaluar për shqyrtim gjykatës së Tiranës. Çopa gjatë periudhës së hetimeve ka pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se ishte ai që kishte qëlluar eskortën e Kryeministrit maqedonas Gruevski dhe se këtë gjë e kishte kryer në shenjë proteste lidhur me masa e ashpra dhe heqjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

 

Korrupsioni tek kolaudimet, pranga ish-shoferit të drejtorit

Tetë muaj pas skandalit të korrupsionit në Kontrollin Teknik të Automjeteve në Durrës, policia ka vënë në pranga ish-shoferin e drejtorit të KTA, Mendu Shazivari, 34 vjeç. Gjykata e Durrësit ka marr ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ngjarja u bë publike në 25 maj të vitit të kaluar ku pas nëpërmjet përgjimeve telefonike u zbulua rrjeti i korrupsionit për kontrollin teknik. Nëntë punonjës të KTA, Durrës u arrestuar pasi lëshonin certifikatat e gjendjes së kontrollit fizik të automjeteve në këmbim të shumave të mëdha të parave për mjete që nuk plotësonin kushtet teknike. Gjatë hetimit, Prokuroria e Durrësit zbuloi edhe një rrjet prostitucioni.

Bulqizë, varet 22-vjeçari, policia e akuzonte për vjedhje të dy pulave

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Shupenzë të Bulqizës, ku një 22-vjeçar, pasi është shoqëruar nga policia si i dyshuar për vjedhjen e dy pulave në fshat, është gjendur i varur afër shkollës së fshatit, disa orë pasi ishte liruar nga komisariati. Viktima quhet Drilon Demaj, i cili në gjendje të rënduar psikologjike, ka vendosur t’i japë fund jetës së tij, duke u varur në një pemë, dy orë pasi ishte lënë i lirë nga efektivët e komisariatit të Bulqizës. Familjarët e viktimës, të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, kanë akuzuar efektivat e policisë, të cilët e kishin shoqëruar në komisariat me forcë 22-vjeçarin. Sipas tyre, një grup policësh e kanë marrë me forcë nga shtëpia djalin e tyre Drilon Demaj, të cilit, pasi i kanë bërë presion për pranimin e akuzës së vjedhjes së dy pulave, nuk kanë mundur ta bindin që të pranonte krimin. Nisur nga kjo situatë, ata e kanë mbajtur edhe disa orë të tjera të shoqëruar në komisariat, ndërkohë që në orët e para të mëngjesit kanë vendosur ta lirojnë nga dhomat e shoqërimit. Teksa ishte duke u kthyer në banesë, 22-vjeçari me turpin që i kishte rënë në supe, ka vendosur t’i japë fund jetës, duke u varur në një pemë afër një shkolle. Trupi i pajetë i tij është gjetur nga kalimtarët e rastit, të cilët kanë bërë njoftimin e policisë për të hetuar rrethanat e ngjarjes. Pasi kanë konstatuar identitetin e viktimës, efektivët e komisariatit të Bulqizës, por edhe shefi i këtij institucioni, kanë vendosur të heshtin rreth kësaj gjendjeje tepër të rëndë. Lidhur me ngjarjen në fjalë, tashmë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet për të parë pozicionin e efektivave që vendosën të mbanin në qeli 22-vjeçarin e vetëvrarë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency