Kolektori i ri për Tiranën, projekti gati për tetë muaj

0
154

kolektoriBasha: Rruga dhe kolektori, një tjetër premtim i mbajtur, do të përmirësojë cilësinë e jetës së 3 mijë banorëve

 

Kolektori i ri në Tiranë, projekti i cili pritet të jetë gati për tetë muaj, ka nisur të marrë jetë prej ditës së djeshme me nisjen e punimeve në Rrugën e Kokonozëve. Ndërtimi i këtij kolektori, por edhe rikonstruksioni i plotë i kësaj rruge do t’u japë fund situatave problematike që kanë përjetuar 3000 banorët e kësaj zone, si pasojë e kanalit të hapur, i cili është kthyer në një burim sëmundjesh. “Një nga problemet kryesore që kanë ngritur banorët kanë qenë kanali që lidh rrugën “Dalip Topi” me rrugën “Marie Kraja”. Kolektori, në fakt, ka qenë një burim sëmundjesh, papastërtish dhe një ambient i pakëndshëm për qytetarët e Tiranës që banojnë në këtë zonë.

Punimet

“Sot (dje) kam kënaqësinë e veçantë të inspektoj fillimin e punimeve, jo vetëm për mbulimin e kanalit, pra ndërtimin e kolektorit me parametrat më të mirë të mundshëm, por edhe ndërtimin e një rruge mbi këtë kolektor me një gjerësi prej 7 metrash dhe dy trotuare nga dy metra, mbi 150 fidanë pemë”, – tha Lulzim Basha, kryetar i bashkisë. Ky investim jep zhvillim kësaj pjese të qytetit, pasi është një rrugë e rëndësishme lidhëse për qytetin tonë. Sakaq, stafi teknik ka punuar për hartimin e projektit në një kohë rekord, për tu dorëzuar banorëve të kësaj zone një vepër moderne, që do të përmirësojë cilësinë e jetës për ta, për fëmijët e tyre dhe do ta afrojë më shumë këtë zonë të qytetit, me konceptin tonë të Tiranës moderne e evropiane.

Investimi

“Banorët më kanë falënderuar për fillimin e punimeve dhe unë dua t’u them edhe publikisht këtyre banorëve, sikundër edhe të gjithë banorëve të Tiranës, bashkëqytetarëve të mi, që falënderimet nuk janë me vend. Bashkia po bën detyrën e saj, ashtu siç duhet ta bëjë dhe ashtu siç do të vazhdojë të bëjë, për t’iu gjendur pranë qytetarëve, me buxhetin që vjen nga taksat e tyre dhe për t’i kthyer këto taksa në përfitime, në kuptimin e rritjes së cilësisë së jetës anembanë qytetit të Tiranës. Përveç përmirësimit të cilësisë së jetës për mbi 3000 banorë të kësaj zone, këto investime do i japin parametra të tjerë zhvillimi kësaj pjese të qytetit, pasi është një rrugë e rëndësishme lidhëse për qytetin tonë. Dua edhe një herë të përgëzoj të gjithë stafin teknik që punoi për hartimin e projektit në një kohë rekord, të përgëzoj firmën që ka fituar kontratën, për mobilizimin e shpejtë dhe t’i kërkoj të punojë pa ndalim dhe pa vonesa, për t’u dorëzuar banorëve të kësaj zone një vepër moderne, që do të përmirësojë cilësinë e jetës për ta, për fëmijët e tyre dhe do ta afrojë më shumë këtë zonë të qytetit, me konceptin tonë të Tiranës moderne e evropiane”, – u shpreh kryebashkiaku. Vlera e investimit është 66.7 milionë lekë dhe afati i mbarimit të punimeve është 8 muaj. Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin rrugor, zhvendosjen e linjave elektrike, punime për linjat rezervë për fibra optike si dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore.

Antenat celulare, pa taksa

Basha: Do të shqyrtojmë aktin e qeverisë

Dy ditë pasi kreu i qeverisë, Sali Berisha, kërkoi heqjen e taksave për antenat e celularëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka deklaruar se akti do të shqyrtohet dhe se zbatimi do të bëhet sipas ligjit. I pyetur gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e Rrugës së re të Kokonozëve dhe kolektorit të ri të Tiranës, Basha sa i takon taksave lokale për kompanitë celulare tha: “Do të shqyrtojmë kërkesën e shefit të qeverisë dhe çfarë do të pasojë pas kësaj. Nëse do të ketë një akt legjislativ nga qeveria dhe Parlamenti, normalisht që bashkia nuk ekziston jashtë rendit ligjor të Republikës së Shqipërisë. Do të shikojmë edhe një herë aktin tonë, përputhshmërinë e aktit tonë me legjislacionin aktual si dhe me standardin evropian, natyrisht në diskutim dhe frymë bashkëpunimi me qeverinë qendrore”. Kryeministri Berisha, dy ditë më parë në mbledhjen e qeverisë, deklaroi se vendosja e antenave të kompanive celulare në prona publike do të përjashtohet nga çdo lloj takse dhe nuk do të bjerë më pre e veprimeve abuzive të autoriteteve vendore, të cilat në shumë raste kanë vendosur mbi këto kompani taksa të padrejta. Antenat e komunikimit të kompanive celulare përjashtohen në vendosjen e tyre nga çdo lloj takse. Ato e kthejnë shpërblimin e vet disa herë më të madh se sa ajo që mendohet, ndaj dhe vendosja e këtyre antenave nuk do të mund të jetë subjekt tatimi as nga ato vendore, as nga ato qendrore, në asnjë pjesë, u shpreh kryeministri. Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Tiranës në mbledhjen e 24 dhjetorit miratoi taksën bashkiake për antenat e telefonisë celulare të cilat vendosen mbi tarracat e pallateve. Konkretisht ligji përcaktonte se niveli i kësaj takse është 2.000.000 lekë/antenë/vit. Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme, llogaritet si detyrim vjetor i taksapaguesit.

 

Gjimnazet

Tirana me parlament rinor

Tirana do të ketë parlament rinor përmes së cilit Bashkia e Tiranës do të vendosë si do të përdoren më së miri fondet që ky institucion ndan për gjimnazet dhe shkollat e mesme të kryeqytetit. Iniciativa është bërë publike dje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i ftuar në shkollën e mesme “Qemal Stafa”. Me rastin e kremtimit të marrjes së çmimit “Prizmi i Artë 2012”, për rezultatet më të larta të maturës shtetërore, kreu i bashkisë tha se ky parlament do të përbëhet nga presidentët dhe kryeministrat e qeverive studentore të 15 shkollave të mesme të Tiranës. “Kam zgjedhur këtë moment për të ndarë me ju dhe përmes jush me të gjithë komunitetin e gjimnazistëve të Tiranës vendimin tim, që duke filluar nga ky muaj, presidentët dhe kryeministrat e qeverive që ju keni formuar në shkollat e mesme të Tiranës, të formojnë parlamentin rinor të Bashkisë së Tiranës dhe nëpërmjet këtij parlamenti të vendosim se si do të përdorim më së miri ato fonde që Bashkia e Tiranës ka ndarë për gjimnazistët dhe shkollat e mesme të Tiranës. Unë e di që këto qeveri të gjimnazeve kanë disa funksione vendimmarrëse, por besoj se ky është funksioni i parë vendimmarrës, ku faktikisht do të merren edhe me shpërndarjen e vlerave monetare dhe mendoj se kjo punë mund të bëhet dhjetëra herë më mirë, në bashkëpunim me ata që ju përfaqësojnë juve, gjimnazistët e suksesshëm të qytetit tim, se sa thjesht nga burokracia bashkiake, sado e përgatitur të jetë”, – u shpreh Basha. Kryebashkiaku u premtoi gjimnazistëve edhe shpërblime të veçanta për më të mirët e konkurseve që organizon Bashkia e Tiranës, tashmë edhe me ndihmën e parlamentit rinor.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency