Lezhë, sherri në lokalin e natës qëllohet për vdekje 25-vjeçari

0
173

Elton Qyno

sherriAutori Mariglen Përgjini shpallet në kërkim. Dyshohet se u zunë për një femër

 

Një sherr banal, që kishte si motiv grindjen e dy të rinjve për një femër, i ka marrë jetën një personi 25-vjeçar në zonën e Lezhës. Krimi i rëndë është shënuar rreth orës 02:00 të mesnatës, ku viktima Martin Shtjefni, 25 vjeç, dhe autori i krimit, Mariglen Përgjini, 26 vjeç, ndodheshin në ambientet e një lokali nate në kryqëzimin e Shën Kollit në Lezhë. Nën efektin edhe të pijeve alkoolike, mes dy të rinjve që qëndronin në tavolina të ndryshme, ka lindur një debat, ku shkak mendohet se ka qenë një femër. Fillimisht dy protagonistët kanë shkëmbyer fjalë njëri me tjetrin dhe më pas kanë kaluar në goditje fizike. Në grindje e sipër, 26-vjeçari Mariglen Përgjini ka nxjerrë nga brezi një pistoletë, të cilën e mbante pa leje dhe me të ka qëlluar në drejtim të Shtjefnit disa herë. Plumbat e armës i kanë prekur organet jetësore dhe për pasojë, si rezultat edhe nga goditja e afërt, 25-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend. Ndërkohë, i plagosur ka mbetur një person që ndodhej në tavolinë me viktimën, i cili quhet Engjëll Nika. Aktualisht ai është jashtë rrezikut për jetën. Skena e krimit është parë nga dhjetëra persona që ndodheshin në ato momente në lokalin e natës, të cilët pas ngjarjes janë përpjekur t’i japin ndihmë Martin Shtjefnit, por ky i fundit nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.

Autori në kërkim

Pas krimit të rëndë, 26-vjeçari nga fshati Manati është larguar me shpejtësi me makinën e tij, duke bërë që policia të mos arrijë ta arrestojë. Përgjatë ditës së djeshme, efektivat e policisë së Lezhës kanë kryer dhjetëra kontrolle në banesa të të afërmve të autorit të krimit, por pa rezultat. Në vendngjarje policia ka bërë shoqërimin e disa personave, të cilët pasi kanë treguar me imtësi rrethanat e krimit në lokalin e natës, janë lënë sërish të lirë nga ana e policisë. Në vendngjarje policia ka sekuestruar disa gëzhoja të pistoletës, ndërkohë që trupi i pajetë pas kryerjes së aktit të ekspertimit mjekoligjor, i është dorëzuar familjes, të cilët dje kanë kryer dhe ceremoninë e varrimit. Aktualisht ndaj autorit të këtij krimi policia ka nisur hetimet në mungesë dhe se materialet hetimore ja ka referuar prokurorisë së rrethit për akuzën e Vrasjes me dashje dhe “Armëmbajtjes pa lejë”.

Mjekët në vendngjarje

Mjekët e spitalit rajonal të Lezhës kanë qenë ata që kanë mbërritur të parët në vendin e ngjarjes. Si pasojë e një telefonate urgjente të bërë nga të pranishmit në lokalin e natës, një autoambulancë ka mbërritur me shpejtësi në vendngjarje, duke shkuar më parë se efektivat e policisë. Teksa kanë konstatuar trupin e pajetë të 25-vjeçarit Shtjefni dhe vrimat e plumbave që ndodheshin në trup, mjekët kanë mësuar se kishin të bënin me një vrasje dhe jo me një incident për dhënie ndihme mjekësore, siç ishin njoftuar në telefon. Në këtë moment vëllai i viktimës, Petrit Shtjefni, ka qëlluar me grusht infermierin Arben Marku. Nisur nga kjo situatë, ata kanë bërë lajmërimin e policisë, ku specialistë të sektorit kundër vrasjeve kanë mbërritur në vendngjarje, duke administruar në dosjen hetimore të gjitha provat. Gjatë ditës së djeshme policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e autorit të krimit duke i kërkuar atyre të bashkëpunonin, me qëllim vetëdorëzimin e tij, por ata kanë pohuar se nuk kishin asnjë informacion lidhur me vendndodhjen e djalit të tyre.

Dy të arrestuar

Gjatë mbrëmjes së djeshme, policia e Lezhës ka bërë arrestimin e dy personave për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Dy të ndaluarit janë Engjëll Nika dhe Anton Toni, të cilët gjatë shoqërimit në polici s’kanë pranuar të tregojnë emrin e personit që qëlloi për vdekje Martin Shtjefnin.

 

Autori në kërkim

Durrës, sherr mes dy grupesh të rinj, një i plagosur

Banorët e qendrës së Durrësit janë zgjuar mesnatën e kaluar nga breshëritë e kallashnikovit, të cilat janë zbrazur nga dy grupe të rinjsh mes tyre. Sipas burimeve policore konflikti me armë ka ndodhur pas një sherri mes katër të rinjve në qendër të qytetit të Durrësit, dhe ka përfunduar me plagosjen e një prej tyre. Ngjarja është regjistruar në mesnatë ndërsa policia e cila ka ardhur me urgjencë në vendngjarje ka shpallur në kërkim Fatjon Nasufin, 24 vjeç, nga Durrësi, person me precedent të mëparshëm penal. Sipas policisë 24-vjeçari Fatjon Nasufi pas një konflikti për motive të dobëta mes tij dhe një grupi tjetër të rinjsh, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, duke qëlluar me breshëri automatiku ndaj 28-vjeçarit me iniciale S. B., i cili udhëtonte me mjetin e tij, së bashku me dy persona të tjerë. Për pasojë ka mbetur i plagosur në këmbë 25-vjeçari me iniciale R. M., i cili është dërguar në spital. Policia bën të ditur se po punohet për kapjen e 24-vjeçarit Fatjon Nasufi, si autori i kësaj ngjarje të rëndë.

 

Tre në kërkim

Kapet fuoristrada “Range Rover” e mbushur me 321 kg drogë

Një tjetër ngarkesë me 321 kg kanabis janë sekuestruar paraditen e djeshme në aksin rrugor Gjirokastër – Tepelenë. Sipas policisë së Gjirokastrës droga ka qenë në mjetin tip “Range Rover”, me targë TR 0962 I, i cili drejtohej nga një i ri nga Lazarati. Mjeti ishte i mbushur plot me pako me lëndë narkotike dhe shoqërohej nga dy mjete të tjera. Ata mundën të çanin postbllokun e policisë në Ujin e Ftohtë. Drejtuesi i mjetit braktisi “Range Roverin” në fushat e Luzatit. “Dy makinat e tjera shoqëruese kanë vijuar lëvizjen me shpejtësi të madhe në aksin rrugor në drejtim të Tepelenës,ku në dalje të qytetit Tepelenë njëra prej makinave është braktisur, dhe drejtuesi i automjetit është larguar me automjetin e dytë shoqërues dhe po vijon kontrolli, ku janë ngritur shumë postblloqe policie në të gjithë aksin duke bashkëpunuar edhe me Fierin dhe Vlorën për të bërë të mundur kapjen e automjetit shoqërues ku ndodhet dhe drejtuesi i metit tjetër shoqërues të braktisur”, – bën të ditur njoftimi i policisë.

 

Ngjarja në Fier

Vodhën 23 tubo nga ndërmarrja, arrestohet tre rojet

Tre roje të Ndërmarrjes së Qendrës së Logjistikës të Hidrokarbureve të prodhimit të rërës në Patos janë ndaluar nga policia pasi akuzohen për vjedhje me shpërdorim detyre. Sipas policisë së Fierit, Agur Saliaj, 63 vjeç, Petrit Malaj, 59 vjeç, dhe Bilbil Ahmetaj, 64 vjeç, janë ndaluar pasi është konstatuar vjedhja e 23 tubave me gjatësi 10-12 metra. Ata kishin si detyrë ruajtjen e tyre dhe se ishin punësuar nga firma si roje, nate dhe dite, por që në fakt në vend që të bënin detyrën, duke ruajtur veglat e punës dhe tubat e çelikut, rojet janë rikthyer vetë në zanatin e hajdutit, duke i marrë tubat dhe shitur ato për skrap. Arrestimi i tyre erdhi menjëherë pas kallëzimit të bërë nga ana e Ndërmarrjes së Qendrës së Logjistikës së Hidrokarbureve, pasi drejtuesit kishin konstatuar se çdo ditë e më tepër bëhej grabitja e tubave tepër të kushtueshme. Pas fillimit të hetimeve, policia në bashkëpunim edhe me prokurorinë e Fierit kanë bërë zbulimin e autorëve të vjedhjes dhe më pas tre personat e sipërcituar janë arrestuar.

 Azbi Hyka lihet në “Arrest në burg”, vrau Elidon Zotkajn

Vrau 21-vjeçarin, mbrohet autori në gjyq

“E vrava, se do të më qëllonte me pistoletë”

Vrasja e 21-vjeçarit Elidon Zotkaj në Berat ka mbyllur në qeli autorin e këtij krimi të rëndë, shtetasin 23-vjeçar Azbi Hyka. Seanca për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” është zhvilluar në masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura. Masa e arrestit u kërkua nga prokuroria, ndërsa pala mbrojtëse kërkoi masën “Detyrim paraqitjeje” për klientin e tij, me pretendimin se vrasja është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi viktima tentoi ta vriste me pistoletë. Ky version është theksuar gjatë seancës edhe nga vetë i arrestuari Azbi Hyka. Pavarësisht kësaj alibie të ngritur në sallën e gjyqit, trupi gjykues ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke vendosur të lerë në qeli autorin e këtij krimi të rëndë. Vrasja e Elidon Zotkajt ndodhi 3 ditë më parë, në lulishten në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat, ku 21-vjeçari u masakrua me thikë për vdekje nga 23-vjeçari Azbi Hyka, i cili ishte i shoqëruar nga 2 shokë të tij, që pas hetimeve rezultuan se nuk ishin të përfshirë në vrasje, por vetëm kishin marrë pjesë në sherrin fizik. Burimet zyrtare të policisë kanë deklaruar më pas se në vendngjarje është gjetur edhe një pistoletë, por pa e përcaktuar se kujt i përkiste ajo, ndryshe nga pretendimet e autorit të ngjarjes, sipas të cilit arma ishte e viktimës. Ndërkohë, strukturat policore dyshojnë se arma i përket autorit të krimit, por për të nxjerrë një konkluzion përfundimtar, lidhur me këtë çështje pritet ardhja e përgjigjes nga laboratori shkencor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency