A ka jetë në mars, fakte të veçanta për planetin misterioz

0
224

marsiClinton: Sot na flet neve guri 84001 për të gjitha ato miliarda vite dhe miliona kilometra. Ai na flet për mundësitë e jetës. Nëse këto zbulime vërtetohen, atëherë padyshim, ky do të jetë një vështrim i mahnitshëm mbi universin që shkenca ka mundur ndonjëherë ta nxjerrë në dritë. Megjithëse ky zbulim na premton përgjigje në pyetjen tonë më të vjetër, ai gjithashtu hap mundësinë e pyetjeve të reja, edhe më fondamentale. Ne do të vazhdojmë të dëgjojmë me kujdes se çfarë ka për të na thënë ky gur, pra, si t’i vijojmë kërkimet, si t’i përgjigjemi atij. Te këto gjëra kemi të bëjmë me pyetjet që janë të vjetra sa edhe vetë njerëzimi, por në të njëjtën mënyrë edhe shumë domethënëse për ardhmërinë tonë

 

Një gur i vogël që peshonte më pak se dy kilogramë, ndryshoi mendimin e shumë shkencëtarëve dhe hapi horizonte të reja për hulumtimin e jetës në planetin Mars. Ky meteorit, që u zbulua nga dr. Roberta Score dhe kolegët e tij nga National Science Foundation, më 27 dhjetor të vitit 1984, gjatë një ekspedite shkencore në Antarktik, për të cilin supozohej se ka rënë në Tokë para 13 mijë vjetësh nga planeti i Marsit, nuk përmbante vetëm mikrobe, por edhe një mesazh të fuqishëm: ne nuk jemi të vetmit! Pra, ekziston jetë edhe në Mars, ndoshta edhe në planetët e sistemeve tjera diellore, larg, shumë larg nga galaktika jonë “Rruga e Qumështit”

Shkencëtarët ia dhanë emrin, ose më mirë të thuhet një numër regjistri si ALH84001, sipas emërtimit të vendit ku u gjet meteoriti – Alen Hills, sipas vitit të gjetjes – 1984 dhe, pasi ky ishte guri i parë i gjetur që i takonte Marsit, iu shtua edhe shifra – 001. Sipas shkencëtarëve, ky meteorit duhej të ishte i vjetër rreth 4 miliardë vjet. Supozohet se nga ndonjë erupsion i tmerrshëm ose nga goditja e ndonjë meteoriti gjigant që ka ndodhur para disa miliona vitesh në Mars, ku një numër i madh gurësh është shkëputur nga sipërfaqja e Marsit dhe kanë lëvizur nëpër gjithësi, është edhe ky meteorit. Meteoriti, pas rrugëtimit të tij nëpër gjithësi, më në fund, pas disa miliona vitesh, ka rënë në Tokë.

Gjithashtu, supozohet se ky meteorit është pjesë e brendshme e kores së sipërfaqes dhe i takon kohës kur Marsi ka qenë më i nxehtë dhe me i lagësht. Këtë e vërteton, në konferencën e parë për shtyp lidhur me këtë meteorit, që u mbajt 12 vjet më vonë, më 17 gusht 1996, edhe shefi i NASA-s, Daniel Goldin. Ai thotë se pas formimit të këtij guri, në të çarat e tij ka hyrë ujë dhe ka llurbëtuar përbërjen e karbonateve. Në formimin e karbonateve kanë mundur të jenë të kyçur edhe organizmat e gjallë.

U deshën 12 vjet punë për ta identifikuar saktësinë e prejardhjes së këtij meteoriti dhe studiuar përmbajtjen e tij të brendshme. Në NASA vërtetojnë se brenda karbonateve të këtij guri kanë gjetur minerale të lidhura me organizmat mikroskopikë, disa molekula organike të ashtuquajtura: hidrokarbur aromatik policiklor(HAP), si dhe disa struktura të rralla njëtrajtësore, pak si të gjata, të cilat kanë ngjashmëri me bakteriet në Tokë.

Këto studime që ishin paraparë të botoheshin më 16 gusht 1996, në revistën shkencore “Science”, u konfirmuan nga vetë shefi i NASA-s, D. Goldin, edhe presidenti i atëhershëm, Bill Clinton, që pas disa vitesh do të jetë edhe miku më i madh i popullit tonë.

 

Clinton shënon disa rreshta të cilët dy javë më vonë, në konferencën e lartpërmendur të shtypit, me 17 gusht 1996, ku u bë prezantimi i rezultateve, do të transmetohen nga shumë mediume: “Sot na flet neve guri 84001 për të gjitha ato miliarda vite dhe miliona kilometra. Ai na flet për mundësitë e jetës. Nëse këto zbulime vërtetohen, atëherë padyshim, ky do të jetë një vështrim i mahnitshëm mbi universin që shkenca ka mundur ndonjëherë ta nxjerrë në dritë. Megjithëse ky zbulim na premton përgjigje në pyetjen tonë më të vjetër, ai gjithashtu hap mundësinë e pyetjeve të reja, edhe më fondamentale. Ne do të vazhdojmë të dëgjojmë me kujdes se çfarë ka për të na thënë ky gur, pra, si t’i vijojmë kërkimet, si t’i përgjigjemi atij. Te këto gjëra kemi të bëjmë me pyetjet që janë të vjetra sa edhe vetë njerëzimi, por në të njëjtën mënyrë edhe shumë domethënëse për ardhmërinë tonë”

Bërthama e hulumtimeve të këtij meteoriti ishte minerali i magnetitit, që është shumë i pranishëm edhe në Tokë. Ky mineral, që zakonisht krijohet tek proceset inorganike, u zbulua me ndihmën e mikroskopëve elektronikë në disa shirita skajorë në brendi të karbonateve. Bakteriet e magnetitit zakonisht janë të pranishme në vendet ujore dhe një grup i përcaktuar i tyre, krijojnë në qelizat e veta një zinxhir prej rreth 12 kristaleve të një madhësie prej 30-120 nanometra.

Faktet, se Marsi dikur ka poseduar fushë magnetike, që e dëshmuan të dhënat e regjistruara nga sonda Mars Global Surveyor, përkojnë me atë se atje ka pasur edhe bakterie që kanë mundur ta krijojnë atë material magnetik. Gjithashtu, prania e akullit në bashkëveprim me atmosferën, që është mjaft e pasur me dioksid karboni, ka mundur të krijojë predispozita të nevojshme për zhvillimin e mikrobeve të ngjashme me fosilet e gjetura në gurin ALH84001. Thomas Keprta thotë: “Ne besojmë, sipas hulumtimeve më të reja, se magnetiti në gurin ALH84001 më së miri mund të sqarohet si një përzierje e proceseve biologjike dhe inorganike, që kanë qenë aktive më herët në Mars” Ndërsa anëtari tjetër i grupit për hulumtimin e meteoritit, Simon Clemett, mendon: “Hipoteza jonë më e mirë është ajo se Marsi i dikurshëm ka mundësuar krijimin e bakterieve të cilat kanë shumë veti të përbashkëta mebakteriet e magnetitit të Tokës, sidomos me grupin MV-1”

 

Por, lind pyetja: a mund të përballojnë mikroorganizmat një udhëtim aq të gjatë nëpër gjithësi? Për skeptikët kjo është e pamundur, mirëpo eksperimentet shkencore pohojnë një gjë të tillë. Eksperimentet e bëra në Qendrën Gjermane të Fluturimeve Kozmike vërtetojnë se edhe meteoritët vetëm prej disa centimetrash iu ofrojnë baktereve embrionale mbrojtje të mjaftueshme për ta përballuar një distancë si ajo mes Marsit dhe Tokës.

Për t’i hulumtuar veprimet e rrezeve ultraviolete të Diellit, prof. G. Horneck me ekipin e tij nga Instituti për biologji rrezatuese, eksperimentoi me 50 milionë embrione të bakteries “Bacillus subtilis” Në gjendje të pambrojtur u shkatërruan të gjitha embrionet, mirëpo me një mbrojtje, si: argjilë, gurë ranor ose me materiale simuluese të sipërfaqes së Marsit dhe të formësuara si sferë, mbijetuan rreth 10.000 deri në 100.000 embrione të kësaj baterie, ndërsa ato të mbrojtura me gur ranor, mbijetuan gati të gjitha.

Gjithashtu, një ekip i përbashkët nga Amerika, Kanada dhe Zelanda e Re, zbuluan në sipërfaqen e Antarktikut mikroorganizma që i përballonin thatësisë dhe temperaturave ekstreme prej -35ºC, pra në kushte që janë të ngjashme me ato të Marsit. Shënimet për këtë zbulim, ata i botuan në revistën shkencore, “Icarus”

Jo vetëm në temperaturat ekstreme të ulëta, por, mikroorganizmat u zbuluan edhe në temperaturat ekstreme të larta. Mikrobiologu, Derek Lovley, me një grup biologësh nga Universiteti i Massachusettsit, zbuluan tek një burim i vjetër vullkanor, në kodrinat e Beverheadit, në shtetin e Idahos në SHBA, një koloni mikroorganizmash të ashtuquajtura “Archaea – Organizma”, me një formë të panjohur dhe plotësisht tjetër nga sistemet mikrobiologjike të njohura deri atëherë në Tokë. Këta mikroorganizma u zbuluan në një thellësi ujore prej 200 m dhe mbijetonin pa dritën e Diellit, pa oksigjen dhe pa ndonjë substancë organike në ujin e ngrohë që kishte një temperaturë prej +60ºC. Energjinë e tyre ata e thithin nga hidrogjeni dhe supozohet se janë krijuar para disa miliona vitesh, duke mbijetuar me sukses në ato rrethana ekstreme. Të dhënat të detajuara për këtë zbulim u publikuan më 17 janar të vitit 2002 në revistën “Nature”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency