Bilanci 2012 Kryeministri: Shqipëria, vend i zhvilluar; prioritet, mirëqenia e qytetarëve

0
161

Ina Jano

berishaShefi i qeverisë ekspozoi treguesit kryesorë ekonomikë për vitin që po lëmë pas. Shqipëria, e suksesshme në shumë drejtime

 

Kryeministri Berisha u takua pasditen e djeshme me gazetarët për të bërë një ekspoze për punën e qeverisë gjatë vitit që po lëmë pas në drejtime të ndryshme. Zoti Berisha tha se këtë vit vendi ynë ka arritur disa nga treguesit më të rëndësishëm dhe më themelorë për një shtet të zhvilluar. Në ekspozenë e tij përpara përfaqësuesve të medias dhe të këshilltarëve të tij, numri një i mazhorancës e quajti performancën e kabinetit qeveritar për vitin 2012 si të suksesshme. Ai tha se qeveria i realizoi të gjitha ato që kishte premtuar dhe madje implementoi strategjitë më të fundit dhe teknologjinë më të avancuar në të gjitha projektet e saj. Ndryshe nga herët e tjera Kryeministri në sallën e konferencave për shtyp, kishte vendosur edhe një video projektor dhe në këmbë përpara të pranishmëve prezantoi të gjithë treguesit kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit. Duke cituar pasazhe nga parathënia e librit të ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, dhe duke iu përmbajtur disa pikave kryesore, që shfaqeshin në një videoprojektor, kreu i qeverisë i renditi arritjet e qeverisë së tij në aspekte të ndryshme, duke theksuar se qëllimi madhor i qeverisë është shndërrimi i pasurisë kombëtare në mirëqenie për qytetarët.
“Gjatë këtyre viteve, në mënyrë të përsëritur, duke iu përmbajtur të vërtetave, u kam deklaruar shqiptarëve se nuk ka qëndrim më madhor sesa shndërrimi i pasurive të vendit në mirëqenie për ta. Shpesh jam akuzuar se po përdor nota euforike për këtë apo atë zhvillim. Por çdo gjë që e kam bërë e kam bërë në përmbajte të së vërtetës”, – tha Berisha. Sipas Kryeministrit, qëllimi i qeverisë është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. “Gjithë këto vite jam përpjekur për të sjellë në Shqipëri eksperiencat më të avancuara në fusha të ndryshme dhe t’i implementoj me përgjegjësinë më të madhe. Jemi përpjekur të marrim shembujt më të shkëlqyer në biznes, të përfitojmë nga eksperiencat më të avancuara për Shqipërinë dixhitale. Për herë të parë janë zbatuar eksperienca si përpunimi elektronik apo forma të tjera të regjistrimeve”, – tha Berisha. Pas ekspozesë të bërë nga vetë ai, lideri i mazhorancës mori edhe pyetje, ndoshta të fundit për këtë vit nga gazetarët, për t’u shprehur për çështje të ndryshme të fokusuara kryesisht në treguesit ekonomikë.
Drejtësia

Kryeministri vuri në dukje se përsosja e reformave në drejtësi është dhe mbetet qëllim madhor i kësaj mazhorance. “Tashmë që vendi ka një ekip të ri në drejtimin e KLD-së reformat në këtë fushë po ecin pa ndërprerë. Qeveria është e gatshme të bëjë gjithçka për garantimin e ligjit dhe të sigurojë drejtësi për qytetarët e saj”, – tha Berisha. Ndërkohë që fusha e drejtësisë është edhe një nga prioritetet e kreut të shtetit bujar Nishani, i cili e ka deklaruar këtë që në fjalimin e parë të mbajtur në Kuvend.

Investimet
Kryeministri bëri të ditur se “Shqipëria ka bërë progres në regjistrimin e biznesit. 7 vite më parë Shqipëria notonte mbi licenca dhe leje. 2/3 e tyre u kthyen në vetëdeklarime, 1/3 e tyre u grumbulluan në Qendrën Kombëtare të Licencave dhe Lejeve”. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për të qenë një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja. “Ka marrë mbi 1 miliardë dollarë investime. Vitin e shkuar OECD do të deklaronte se Shqipëria ka marrë investime të huaja më shumë se kapacitetet ekonomike të saj”, tha Berisha, duke shtuar se asnjë vend nuk ka bërë në një kohë më të shkurtër një ngritje më madhore në infrastrukturën rrugore dhe ujore, si dhe atë dixhitale. “Shqipëri që 6 vite më parë kishte një indeks 4% të hyrjes në internet sot e ka mbi 60%. Shqipëria asfaltoi, ndërtoi dhe rikonstruktoi mbi 10 mijë kilometra rrugë, më shumë se i gjithë rajoni i marrë së bashku. Sot Shqipëria ka një sistem shëndetësor që ka aksesin e 3-të në Europë, dhe ka rekrutimin arsimor më të zhvilluar”, – u shpreh Kryeministri.

Siguria
Një ndër pikat ku u ndal me tepër lideri i qeverisë ishte dhe puna e policisë në të gjitha drejtimet e saj. Ai theksoi se 7 vite më parë vendi ishte i kapur nga krimi. “Me një vendim të madh të të gjitha organeve për zbatueshmërinë e ligjit u arrit të shkatërrohen 204 grupe kriminale, duke e shndërruar Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurta në rajon e më gjerë. Natyrisht ky është një proces në vazhdim”,-vlerësoi Kryeministri.
Papunësia
Sipas Kryeministrit është e njohur tashmë botërisht se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur ulje të papunësisë, falë reformave të qeverisë. Shqipëria ka ruajtur një rritje konstante ekonomike edhe në kushtet e krizës. Në këtë aspekt ai tha se akuzat e opozitës bien poshtë nga të gjitha raportet ndërkombëtare.

Rruga e Arbrit
I pyetur se pse nuk po përfundon Rruga e Arbrit, Kryeministri Berisha sqaroi se shkak është bërë ndërtimi i tunelit në autostradën Tiranë – Elbasan, i paparashikuar më parë dhe që katërfishin shpenzimet. Por ai potencoi se, rruga e Arbrit do të përfundojë dhe është një prioritet tjetër i qeverisë. “Rrugën e Arbrit e kemi filluar dhe po e ndërtojmë ne. Ka ngadalësim të punimeve tek kjo rrugë, se autostrada Tiranë – Elbasan ka qenë e parashikuar fillimisht pa tunel. Por Rruga e Arbrit do ndërtohet me siguri. Pati një moment kritik 3 vite më parë, pasi kompania daneze që kishte marrë përsipër tunelin e Rrugës së Arbrit tha se nuk mund të bëhet tuneli sipas projektit të parë, se do mbetemi brenda, por në këtë kohë nisi tuneli tjetër, ai në Elbasan. Kanë ndryshuar disa plane, se projekti i Elbasanit na doli nga parashikimi ishte 4 herë më i shtrenjtë”, – sqaroi Berisha, deklaratë të cilën e kishte bërë edhe më parë.

Albpetroli

Kreu i qeverisë edhe në këtë konferencë të fundvitit ka deklaruar se tenderi për privatizimin e Albpetrolit ishte transparent, ndërsa nënvizoi se të ardhurat nga ky privatizim nuk janë përfshirë në buxhetin e vitit 2013 dhe do të përdoren në mënyra të tjera. “Tender transparent të gjitha ofertat u hapën para kamerave. Po ndiqet ligji dhe vetëm ligji. Ligji parashikon një muaj të drejtë për zgjatje afati, për kompaninë ofertuese është dhënë një muaj, por është i parashikuar. Buxheti prej 410 mld lekë nuk ka parashikuar qoftë edhe një qindarkë të vetme nga ky privatizim. Ky është qëndrimi ndaj çdo privatizimi, transparencë e plotë”, – shtoi ai.

HEC-et
Në kundërpërgjigje ndaj akuzave të kryesocialistit Rama, se privatizimi i 4 HEC-eve nuk është transparent dhe bëhet për të mbushur arkën bosh të qeverisë, Kryeministri Berisha mohoi gjithçka. “Lidhur me akuzat zoti Ramë është unik. Një ditë paraqitet si mister bllokatori, ditën tjetër si mister prokurori, të vetmen gjë që s’paraqitet kurrë është se çfarë do bëjë vetë, Mos e pyesni se do kërkojë që borxhi të vlerësohet si % e GDP”, – tha shefi i qeverisë. Sipas tij, ka pak rëndësi nëse Rama e njeh apo jo privatizimin, rëndësi ka, siç tha Berisha, që ai të njohë veten e tij. “Lidhur me hidrocentralet, mund të them se është një proces kryekëput transparent, ofertat janë hapur para kamerave televizive, konsulenti është tepër serioz. E njeh apo jo Rama procesin, e rëndësishme është të njohë veten e tij”, – shtoi Berisha.
Shpenzimet e 100-vjetorit
Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të gazetarëve në lidhje me faturën e shpenzimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. “Çdo qindarkë e fondeve publike, është e botuar online në thesarin e shtetit. Kane qenë të parashikuara rreth 500 milionë lekë, nuk besoj të jenë shpenzuar të gjitha, por çdo qindarkë e shpenzuar nga qeveria qendrore është e botuar në thesarin e shtetit shqiptar”, – deklaroi Berisha për të gjithë që janë të interesuar të shohin sesa ka shpenzuar ekzekutivit për jubileun e pavarësisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency