Berisha: PS qeveriset nga 99-sha, Rama, i pashpresë në 23 qershor

0
136

Ina Jano

bilanciGjatë 2012-ës qeveria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj, duke mos lënë vendin të kapet nga kriza. Shqiptarët e meritonin statusin

 

 

Në mbledhjen e fundit të qeverisë Kryeministri Berisha akuzoi kreun selinë rozë se ajo është duke u drejtuar nga 99-shat dhe se që tani kreu i opozitës ka filluar të ndiejë disfatën që e pret në 23 qershor. Ai u shpreh i sigurt se nëse Partia Socialiste do të qeverisej nga socialistët e vërtetë, atëherë ata nuk do ta kishin lënë vendin pa marrë statusin e kandidatit, sepse kanë punuar fort për integrimin, por në krye të kësaj force politike janë bllokmenët e rinj. “23 qershori do të shembë murin e bllokimit të zotit Rama dhe shqiptarët do të ecin të sigurt drejt integrimit. E mbajti peng për tre vite me radhë, do ta ketë barrë në qafë për gjithë jetën këtë që i bëri vendit, por demokracia kjo është, funksionon mbi bazën e rregullave paqësore dhe në këtë kontekst nuk ka zgjidhje përveçse zgjedhjet e përgjithshme, rrëzimin e murit të bllokimit me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe shpresën dhe besimin se socialistët do të kenë zërin e tyre, në mbrojtje të interesit kombëtar dhe shoqëror, pasi në fakt kanë fatkeqësinë më të madhe të qeverisen jo nga socialistë, por nga neobllokmenë dhe 99-sha sepse këtë nuk e bënin dot kurrë socialistët e vërtetë shqiptarë, ata të cilët 20 vite kanë kontribuar në ndërtimin e socializmit me qëndrimet e tyre, me veprimtarinë tyre, kanë kontributin e vet për ndërtimin e pluralizmit politik në Shqipëri”, – theksoi Kryeministri.

Ndërkaq, duke u ndalur në punën e qeverisë që ai drejton, zoti Berisha tha se në 2012-ën është realizuar një histori suksesi. Ai u shpreh se të gjitha reformat kanë ndikuar pozitivisht në jetën e qytetarëve të vendit dhe është plotësuar me besnikëri programi i parashikuar dhe siç nënvizoi kreu i mazhorancës është konsoliduar me tej fytyra njerëzore dhe zemra e dhembshur e një qeverie që edhe në kushtet e një krize evropiane ka bërë ç’është e mundur që ekonomia shqiptare të mos njohë recesion. Tuneli i Kërrabës ishte një gjërat që kishin ëndërruar gjatë gjithë kohës shqiptarët, dhe këtë vit u bë realitet, pasi në pranverën e 2013-ës ai do të inaugurohet. Kryeministri vlerësoi se si çdo vit qeveria ka rritur pagat dhe pensionet dh kjo është një praktikë që do të vijojë të ndiqet, ndërsa tha se një vëmendje e veçantë do të vijojë t’i mbetet arsimit dhe inaugurimit të shkollave të reja me infrastrukturën më moderne. Ndër duke u ndalur në një problem tjetër udhëheqësi demokrat u shpreh: “Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha në rrafshin ndërkombëtar për njohjen e Republikës së Kosovës. Shqipëria ka qenë dhe mbetet një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan. Në të gjitha fushat ka pasur një konsolidim të mëtejshëm të progresit. U shpallën rezultat e censusit të cilat treguan se kemi të bëjmë me një Shqipëri tjetër shumë, shumë më të avancuar. Sidoqoftë një bilanc përfundimtar do të bëjmë gjatë ditëve të para të vitit që vjen”.

100-vjetori

 

Sa u përket festimeve për 100-vjetorin e pavarësisë, kreu i qeverisë tha se ato ishin të denja për një vend që ka një shekull pavarësi. Duke falënderuar të gjithë ata që punuan që ditët e pavarësisë të mbeten në kujtesën e të gjithë shqiptarëve që festuan në të gjitha qytetet shqiptare, zoti Berisha tha se tashmë kanë mbetur pa u finalizuar disa çështje të rëndësishme dhe kjo ishte arsyeja se pse tri ditë më parë komiteti e shtyu mandatin e tij edhe me tre muaj të tjerë. “Kanë mbetur për përgjigje dhe finalizim ndërtimi i muzeut të Spaçit, kampi i përqendrimit më i tmerrshëm në të gjithë Evropën, në nderim të vuajtjes, sakrificës, martirizimit të qindra e qindra mijëra të burgosurve politikë, të burgosurve të ndërgjegjes së regjimit komunist. Ka mbetur Obelisku në nderim të martirëve të fjalës së lirë, të lirisë së lëvizjes, të besimit të lirë, pra të lirive dhe të drejtave që ne gëzojmë sot, por që mijëra e mijëra shqiptarë paguan me jetë dhe me rininë e tyre në regjimin diktatorial”, – pohoi shefi ekzekutivit. Ai tha se nuk duhet të mbetet jashtë memories historike edhe gjenocidi kulturor që kreu diktatori Hoxha duke mbyllur të gjitha institucionet e kultit. Duke mbetur në këtë pikë, lideri i qeverisë tha se ekzekutivit e ka në fokus edhe ndërtimin e objekteve të kultit, të dëmtuara gjatë diktaturës, pasi ato janë një trashëgimi kulturore e përjetshme e kombit shqiptar dhe në këtë pikë Kryeministri vlerësoi si të domosdoshme ngritjen e kishës së Vaut të Dejës, si kisha më e vjetër në vend. “Janë dhe një seri detyrash të tjera që ky komitet do të zgjidhë, siç është përpjekja më e fortë për rikthimin e eshtrave të Sami Frashërit, Mithat Frashërit, kokën e Ali Pashës. Se dje i gjithë shtypi ishte marrë me kokën e Ali Pashait. U kërkua të shkonte në Stamboll koka dhe vetëm se ishte kokë shqiptari. Dhe ne duhet ta kthejmë me të gjitha nderimet që i takojnë këtij burri të madh legjendar, diplomat, strateg, siç thamë pra, të merremi vesh me autoritetet e Tepelenës, ta varrosim në muze, por edhe në Tepelenë nuk po e përcaktoj vendin, por ai meriton një nderim pas kaq dekadash, një burrë që krijoi një oborr të ndritur që u vizitua nga personalitet më të mëdha të kulturës në Evropë, por edhe të diplomacisë, si Bonaparti, më i fuqishmi shtetar i planetit në atë kohë kishte vlerësimin më të madh dhe i kishte dërguar atij një nga gjeneralët më besnikë, Bajroni dhe shumë të tjerë. Ndaj dhe duhet ta rikthejmë kokën”, – pohoi numri një i mazhorancës.

Arsimi

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, lideri i mazhorancës dha porosi edhe për ministrin e arsimit. Ai tha se është e domosdoshme që të sponsorizohet televizioni shtetëror dhe të japë me satelit mësimin periodik të gjuhës shqipe dhe historisë kombëtare. “Krahas gjuhës shqipe do të jetë dhe mësimi i historisë kombëtare. Këto dy lëndë duhet të unifikohen bashkë me autoritetet e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe duhet të ketë cikle të vazhdueshme në mënyrë që shqiptarët kudo që janë të mund të ndjekin mësimin rrjedhshëm të gjuhës së tyre amtare dhe të historisë së tyre kombëtare”, – tha Berisha. Ai theksoi se të gjitha këto duhet të bëhen derisa të jetë afati i komitetit, pra deri në muajin mars,pasi më vonë hyn periudha elektorale.

 

Kryeministri: Rama t’i përgjigjet Fatos Nanos, duhen shpjegime për trafikun e ikonave

Kryetari i qeverisë, Sali Berisha, e ka ndarë edhe me miqtë në Facebook atë që ka deklaruar gjatë paradites në mbledhjen e qeverisë. Sipas Berishës, në 25 dhjetor ishte dita kur Rama duhet të kërkonte ndjesë për barbarinë e dikurshme të partisë shtet ndaj fesë dhe të jepte shpjegime për akuzën publike të Fatos Nanos për shitje ikonash të vjedhura në Paris. “Në Shqipëri, si askund tjetër gjatë diktaturës, në luftën e bllokmenëve kundër Zotit, u rrafshuan mijëra xhami, kisha, teqe, pra sipas konventave të OKB-së, u krye një gjenocid i vërtetë kulturor me shkatërrimin e thesareve përrallore të trashëgimisë tonë kulturore kombëtare. Asokohe, bllokmenët që ndërmorën këtë barbari, vodhën, plaçkiten qindra e qindra piktura, ikona e dekore të tjera nga këto institucione, kryevepra të gjenisë krijuese të kombit tonë në shekuj dhe që sot pinjollët e tyre, jo vetëm nuk i kthejnë, por janë pasuruar me tregtinë e tyre. Mendoj se dje ishte një rast që zoti Rama të kërkonte ndjesë publike për këtë trashëgimi të tmerrshme të partisë, që ai drejton dhe të jepte shpjegime për akuzën publike që zoti Fatos Nano, në momentin e katarsisit, i bëri për trafik të ikonave të vjedhura gjatë kohës që qëndroi në Paris. Më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë e urtë jona”, – shkroi dje Berisha në profilin e tij në Facebook.

 

 

PD: Rama të mos bllokojë integrimin dhe të deklarojë pasurinë

Nga Partia Demokratike erdhi dje një tjetër reagim në lidhje me deklaratat e kreut të opozitës sa i përket bllokimit të statusit. Kështu, Laura Vorpsi nga selia blu tha se Rama vijon që të mbetet në drejtim të kundërt me deklaratat e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat. Për demokratët, Rama, me qëndrimin e tij bllokues, vijon që t’u tregojë shqiptarëve se ndjenjat e tij dhe interesat personale janë më të forta se mirëqenia dhe integrimi i shqiptarëve në Bashkimin Evropian. “Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me qëndrimin e tij bllokues të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, provon se ndjek besnikërisht me mjete të tjera qëndrimet e dajës së tij famëkeq që persekutoi inteligjencën teknike shqiptare, Spiro Koleka, dhe që në dhjetor të vitit ‘90 kërkoi mbajtjen e pushtetit me gjak. Duke bllokuar votimin për statusin e vendit kandidat, z. Edi Rama dëshmon se ai nuk mund të ndalet para asgjëje që për interesa personale, antikombëtare, antishqiptare të shkelmojë ëndrrën evropiane të çdo shqiptari”, – vijoi Vorpsi. Partia Demokratike thekson në deklaratën e saj për mediat se të gjitha deklaratat e Ramës se ai është i pastrehë janë false dhe ai duhet të tregojë të vërtetën për qytezat me pallate që ka ndërtuar gjatë kohës kur ka qenë në krye të Bashkisë së Tiranës. “Edi Rama, politikani i vetëm me 3 mijë euro dhe i pastrehë, por që ka ndërtuar qyteza me mafien e tij prej 54 pallatesh, mendon i tmerruar se duke shpifur çdo ditë për të tjerët se do të mund të shpëtojë tmerrit të pasurive të fshehura të tij”, – thuhet në njoftimin për shtyp nga ana e PD-së. Ndërkohë, kjo forcë politike e mbyll deklaratën e saj me premtimin se do të zbardhë të gjitha pasuritë e kreut socialist Rama. “Partia Demokratike i rikujton Edi Ramës se çdo ditë që kalon përgjegjësia jote për murin e bllokimit të shqiptarëve bëhet më e rëndë mbi ty dhe partinë që drejton dhe se ata që shembën murin e bashkisë, presin me padurim të shembin murin e bllokimit, sikundër garanton se me asnjë shpifje apo trillim nuk do mund të fshehësh pasuritë e vjedhura për 11 vjet si ish-kryetar bashkie”, – përfundon deklarata.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency