Mashtroi 16 studentë me qiranë e një banese jo pronë e saj, 2.8 vjet burg 23-vjeçares

0
160

Sonja Caka

vendimiGjykata: Suada Kasa urdhërohet të mos kryejë detyra ku administrohen para

E pandehura, gjykatës: Mëshirë, jam e penduar. Nuk kryej më veprime të tilla

 

Dy vjet e 8 muaj burg i ka kushtuar mashtrimi i 16 personave një 23-vjeçareje, e cila u merrte para duke u lëshuar me qira një banesë e cila as nuk ishte e saja. Vendimi është dhënë pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, e cila ka dënuar me 4 vjet burg të pandehurën Suada Kasa, e cila qysh në fillim të procesit gjyqësor ka pranuar të gjykohet në gjendjen që janë aktet dhe ndaj saj të aplikohet gjykimi i shkurtuar. Ndaj dhe, në fund të procesit, gjykata e dënoi me 2 vjet e 8 muaj burg, ndërkohë që dënimi me burg iu pezullua dhe gjatë kësaj kohe e reja do të monitorohet nga Shërbimi i provës, i cili do ta ketë në survejim për 4 vjet. Gjithashtu, nga ana e gjykatës urdhërohet e dënuara Suada Kasa të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës, si dhe të vihet në provë për një afat prej prej 4 vjetësh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjykata vendosi edhe detyrimin e të dënuarës Suada Kasa që të mos kryejë detyra ku kërkohet administrimi i shumave të parave dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar. Më parë, gjatë seancës, prokurori i çështjes kërkoi dënimin e Suada Kasës me 4 vjet e 6 muaj burgim, duke aplikuar ndaj saj edhe gjykimin e shkurtuar. Ndërkohë që avokatja kërkoi një dënim nën minimumin e parashikuar nga ligji. Vetë e pandehura 23-vjeçare deklaroi para gjykatës se “ndihem thellësisht e penduar”, duke shtuar se premtonte se nuk do të përsëriste veprime të tilla në të ardhmen. Në përfundim të pendesës së saj, Kasa kërkoi mëshirë nga gjykata.

Akuza

Suada Kasa, 23 vjeçe është dërguar si e pandehur në Gjykatën e Tiranës, pasi akuzohet se ka mashtruar të paktën 16 persona, duke u marrë qira për një banesë që nuk ishte pronë e saj. Sipas akuzës, e pandehura merrte parapagim nga 30 deri në 45 mijë lekë, dhe më pas humbte çdo kontakt me ta. Akuza që rëndon ndaj 23-vjeçares është për veprën penale të “mashtrimit më shumë se një herë”. Sipas akuzës, “skema” e përdorur për mashtrim nga 23-vjeçarja nga Kruja ishte vënë në zbatim prej saj në kryeqytet. “Preja” ishin kryesisht studentë nga rrethet, të cilët kërkonin një ambient banimi me qira në kryeqytet. Kanë qenë kallëzimet e këtyre të fundit që kanë vënë në lëvizje policinë. Në deklarimet e saj para hetuesve mësohet se 23-vjeçarja ka pranuar mashtrimin duke u justifikuar me faktin se e bënte për arsye ekonomike. Sipas akuzës, Kasa merrte një hyrje me qira në një prej lagjeve të Tiranës, kryesisht në zonën pranë “21 Dhjetorit”, pranë “Zogut të Zi” ose në rrugën “Don Bosko”. Në vijim, sipas hetimeve, për të njëjtën adresë që kishte marrë me qira, ajo e vendoste në gazetat e njoftimeve si ambient të lirë, duke u hequr si zotëruesja e tij. “Loja” vazhdonte edhe më pas, kur të interesuarit e kontaktonin dhe ajo u ofronte çmime më të lira. Sipas hetimeve, dyshohet se ajo u kërkonte të interesuarve parapagim për 3-4 muajt e parë. Më pas, bëhet me dije se ajo humbiste çdo kontakt më “klientët”, të cilët e kuptonin mashtrimin kur pronari i vërtetë i banesës u kërkonte qiranë.

Akuza

Suada Kasa akuzohet për për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” më shumë se një here, bazuar në nenin 143/2 të Kodit Penal

 

Vendimi

Theu masën e arrestit, sërish “arrest shtëpie” për Shqevin

Gjykata e Tiranës ka lënë sërish me “arrest shtëpie” të përndjekurin Perikli Shqevi, i cili akuzohet se i ka vënë flakën shokut të tij, gjatë kohës që protestonin. Arsyeja e vendosjes së kësaj mase të dytë ishte thyerja e masës së sigurisë së vendosur më parë nga gjykata, pasi u gjet nga agjentët e policisë jashtë banesës së caktuar për të zbatuar masën. Para gjykatës, personi nën hetim deklaroi se e theu masën e vendosur “arrest shtëpie” pasi u ndje i detyruar për të shkuar në ceremoninë e varrimit të mikut të tij, Karamuça, i cili vdiq pak ditë më parë nga një sëmundje e pashërueshme. Pasi ka dëgjuar pretendimet e prokurorit dhe ato të avokatit dhe klientit të tij, gjykata caktoi sërish masën “arrest me burg” për Perikli Shqevin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency