Basha Gjallërim të aktiviteteve, investime në ambiente sportive

0
177

foto per Bashen

Qytetit të Tiranës do t’i rikthehet gjallërimi falë aktiviteteve sportive, ku përmes shtimit të investimeve në ambiente, do të ketë kalendar të veçantë për zhvillimin e lojërave sportive, si futboll, volejboll dhe basketboll. Deklarata ka ardhur nga kryebashkiaku Lulzim Basha gjatë dorëzimit të certifikatave në kampionatin e minifutbollit mes shkollave të mesme të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës, organizatorja e këtij aktiviteti, ku morën pjesë më shumë se 100 nxënës, nga 10 shkolla të mesme të Tiranës dhe konkretisht “Partizani”, “Don Bosko”, “Petro Nini Luarasi”, “Sami Frashëri”, “Harry Fultz”, “Besnik Sykja”, “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, “Tirana Jonë”, “Andon Zako Çajupi”. Kupën e këtij kampionati e fitoi shkolla “Andon Zako Çajupi” e cila mundi në finale shkollën “Ismail Qemali”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, dhe futbollistët e njohur të Tiranës dhe kombëtares, si Mema, Fortuzi, Alimehmeti, Patushi, Tola, Riza, Çela etj. kanë qenë spektatorë të kësaj finaleje dhe kanë dhënë certifikatat për ekipet pjesëmarrëse. “Ne kemi bërë sot, si Bashki e Tiranës, një përpjekje të dytë modeste, për t’u treguar të gjithë qytetarëve të Tiranës që për ne futbolli nuk është vetëm ekipi bardh e blu por është aksesi i qytetarëve në sport, futboll, pak më parë në basketboll, së shpejti në volejboll, ku edhe Ton Tuk Seferi do ketë shansin të na tregojë edhe njëherë talentin e tij të vërtetë e jo të fshehur të futbollit dhe nëpërmjet këtyre garave që nuk do i ndahen kalendarit në verë, dimër, pranverë apo vjeshtë, t’i kthejnë qytetit një cilësi të munguar jetese”, – u shpreh z. Basha. Kryebashkiaku Basha tha se Bashkia e Tiranës do të vijojë me prioritet, investimet në gjallërimin e jetës sportive në kryeqytet si dhe ndërtimin e ambienteve sportive. “Ne do të vazhdojmë të dedikojmë resurse, jo vetëm për organizim kampionatesh por edhe për ndërtim apo rindërtim fushash, për të gjithë ata të rinj që tërhiqen nga sporti dhe që do të tërheqin në fushat sportive të kryeqytetit brezat e ardhshëm dhe bashkëmoshatarët, që sot u mungojnë këtyre fushave”. Të gjithë ekipeve pjesëmarrëse në këtë kampionat iu dorëzuan certifikata, komplete sportive dhe topa futbolli.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency