Makinat e sekuestruara “përplasin” mazhorancën dhe opozitën në Komisionin e Sigurisë

0
216

Florenc Drizari

Ristani: Informacionet e paraqitura nga deputetët s’janë të sakta, Dogjani: Përgjigju pyetjeve, s’je në KQZ

 

komisioni i siguriseKomisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi me votat e mazhorancës projektligjin për destinacionin e mjeteve të konfiskuara, ndërsa opozita votoi kundër. Sipas draftit të qeverisë, mjetet rrugore të konfiskuara apo të bllokuara nga policia deri në 30 dhjetor 2010, do të kalojnë ne administrim të Rezervave të Shtetit. Por gjatë diskutimit në parim të nismës së qeverisë, palët replikuan me akuza të ndërsjella mes tyre lidhur me të dhënat e paraqitura në komision dhe synimit për të cilën ndërmerret kjo iniciativë. Deputetët e opozitës akuzuan përfaqësuesit e ministrisë së Brendshme po dërgohen për skrap rreth 4500 mjeteve të konfiskuara në komisariate për tu përdorur për qëllime përfitimit. Sipas deputetit socialist Gazmir Bizhga, për këtë fenomen duhet hartuar një tjetër ligj. “Duhet të ketë një projektligj të saktë për mënyrën sesi duhet të procedohet me mjetet që do të sekuestrohen, si ato motorike ashtu edhe ato detare. Për arsye sepse duket se ky fenomen do të vazhdojë të përsëritet dhe brenda pikave të bllokimit do të rrinë mjetet e hallexhinjve sepse ata që kanë para do të paguajnë inspektorët përkatës deri në nivelet më të larta dhe do ti nxjerrin mjetet e luksit”, tha deputeti Bizhga. Por nga ana e tij, zv.ministri i Brendshëm Arben Ristani sqaroi se problemi është i zgjidhur me një urdhër të vetë ministrit që pas vitit 2010 dhe kjo iniciativë bëhet për të liruar hapësirat e komisariateve të policisë. “Po flasim për një situatë që është e zgjidhur. Flasim për mjete që janë mbi 10-vjeçare që kanë mbetur stok. Nuk bëhet fjalë për situatë aktuale. Nuk është problemi tek vlera që mund të merret nga skrapi sesa për të zgjidhur gjendjen dhe për të liruar territoret e komisariateve”, – tha Ristani.

Debati Ristani – Dogjani
Projektligji “Për trajtimin dhe destinacionin e mjeteve rrugore e lundruese te konfiskuara, si pasoje e sekuestrimit, ndalimit apo bllokimit nga policia e shteti deri në datën 30.12. 2010”, shkaktoi debate mes zv.ministrit të Brendshëm Arben Ristani dhe deputetit socialist Asllan Dogjani, lidhur me paraqitjen analizës së ministrisë për përdorimin e mjeteve. Nga ana e tij, Arben Ristani shpjegoi se heqja e mjeteve të sekuestruara bëhet për të liruar ambientet e komisariateve, ndërsa deputeti Dogjani tha se nuk ka të dhëna të qarta për dëmtimin e mjeteve dhe për mënyrën sesi do të trajtohen ato nga ministria. “Mendoj që kur bëhet një projektligj, ata që e bëjnë, bëjnë edhe një analizë se përse bëhet ky projektligj. Një analizë që duhet të ishte bërë ka të bëjnë më gjendjen e tyre në të cilën janë. Ju duhet të kishit një informacion në lidhje me gjendjen e këtyre automjeteve”, – u shpreh Dogjani. Ndërkohë, Ristani sqaroi se nuk është në detyrën e komisariateve të vlerësojnë gjendjen e mjeteve dhe i quajti të pavërteta të dhënat që paraqiti deputeti socialist lidhur për dëmtimin e mjeteve në ambientet e policisë. “Nuk kam dijeni që një qytetar të jetë ankuar ligjërisht për mjet që i është zhvatur. Besoj se informacioni që dha deputeti është i pavërtetë. Besoj se është një informacion e pavërtetë, për mos të thënë një gënjeshtër”, – tha Ristani. Por kjo deklaratë e tij, mjaftoi që deputeti i opozitës, Asllan Dogjani, ta akuzojë atë për mungesë transparence, duke përmendur edhe funksionin e tij të mëparshëm si kryetar i KQZ-së. “Atje tek KQZ-ja mund të jesh mësuar ndryshe… këtu zotëri përgjigju pyetjeve. Nëse s’ke informacion, s’ke informacion. Unë kam kontaktuar me qytetarët dhe këto që t’i them janë të vërteta. Ndërsa ju keni ardhur dje. Më mirë të thuash nuk e di, por ti nuk mund të më thuash që janë gënjeshtra”, – deklaroi Dogjani. Ndërkaq, pas shqyrtimit nen për nen, Komisioni i Sigurisë miratoi me shumicë të thjeshtë votash projektligjin për destinacionin e mjeteve të konfiskuara.

 

Debatet për makinat e konfiskuara në Komisionin e Sigurisë

Arben Ristani: Janë një sasi e madhe mjetesh që kanë mbetur aty. Flasim për mjete që nuk janë në ndjekje penale dhe administrative. Na duhet patjetër të lirojmë territoret e komisariateve dhe të merren të ardhura nëse mund të merren nga ato mjete.
Asllan Dogjani: Mendoj që kur bëhet një projektligj, ata që e bëjnë, bëjnë edhe një analizë se përse bëhet ky projektligj. Një analizë që duhet të ishte bërë ka të bëjë më gjendjen e tyre në të cilën janë. Ju duhet të kishit një informacion në lidhje me gjendjen e këtyre automjeteve.
Leonard Demi: Nuk është objekti thotë zoti Ristani.
Arben Ristani: Mjetet duhet të kalojnë tek zyrat e shtetit, ata kanë detyrë t’i vlerësojnë dhe jo komisariatet. Nuk kam dijeni që një qytetar të jetë ankuar ligjërisht për mjet që i është zhvatur. Besoj se informacioni që dha deputeti është i pavërtetë. Besoj se ëshë një informacion e pavërtetë, për mos të thënë një gënjeshtër.
Leonard Demi: Z. Bizhga e ka fjalën.
Asllan Dogjani: Një sekondë. Shiko ti zotëri, këtu s’ke ardhur këtu të më thuash mua është gënjeshtër apo jo. Këtu ke ardhur për t’iu përgjigjur pyetjeve. Nëse s’ke informacion… (ndërhyrje nga deputetët pa mikrofon…). Atje tek KQZ-ja mund të jesh mësuar ndryshe… këtu zotëri përgjigju pyetjeve. Nëse s’ke informacion, s’ke informacion. Unë kam kontaktuar me qytetarët dhe këto që t’i them janë të vërteta. Ndërsa ju keni ardhur dje. Më mirë të thuash nuk e di, por ti nuk mund të më thuash që janë gënjeshtra…
Leonard Demi: Z. Dogjani! Bizhga e ka fjalën. Këtu nuk kemi ardhur të ofendojnë njëri-tjetrin por këtu kemi ardhur të diskutojmë projektligjin. Të gjitha qëndrimet që janë jashtë objektit të ligjit nuk janë të mirëpritura për diskutim.
Gazmir Bizhga: Duhet të ketë një projektligj të saktë për mënyrën sesi duhet të procedohet me mjetet që do të sekuestrohen, si ato motorike ashtu edhe ato detare. Për arsye sepse duket se ky fenomen do të vazhdojë të përsëritet dhe brenda pikave të bllokimit do të rrinë mjetet e hallexhinjve sepse ata që kanë para do të paguajnë inspektorët përkatës deri në nivelet më të larta dhe do ti nxjerrin mjetet e luksit.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency