Dy shpërthime të fuqishme kanë tronditur qytetin e Elbasanit dhe atë të Peshkopisë, pasi sasi të konsiderueshme tritoli ishin vendosur në dy prona që u përkisnin dy shtetasve. Të dyja ngjarjet kanë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes, ku persona ende të paidentifikuar kanë vendosur tritol në një dyqan që tregtonte hidrosanitare në qytetin e Elbasanit si dhe në një makinë që ishte parkuar buzë një rrugë në zonën e Peshkopisë. Burime pranë Policisë së Shtetit, thanë se të dyja ngjarjet janë duke u hetuar nga drejtoritë policore respektive dhe se aktualisht në Elbasan dhe Peshkopi janë shoqëruar dhjetëra persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë sërisht të lirë nga strukturat hetimore. Vendosja e tritolit në dyqanin e pajisjeve hidrosanitare, ka si pistë hetimore atë të konkurrencës dhe borxheve të pashlyera nga ana e administratorit të dyqanit, ndërkohë që vendosja e eksplozivit në makinë sipas policisë lidhet me konflikte të vjetra të pronarit të mjetit. Për të dyja ngjarjet policia nuk ka arritur të bëjë asnjë ndalim të autorëve të krimit, ndërkohë që po punohet maksimalisht për grumbullimin e provave dhe identifikimin me qëllim arrestimin e autorëve të këtyre dy akteve të rënda të vendosjes së tritolit. Ngjarja e parë kriminale është regjistruar rreth orës 02:30 të mëngjesit në një dyqan hidrosanitaresh në lagjen “28 Nëntori” në qytetin e Elbasanit. Dyqani pak kohë më parë ishte dhënë me qera nga biznesmeni Ilir Dushku, tek një person tjetër, i cili më pas e ka vënë në punë duke tregtuar produkte hidrosanitare. Mirëpo siç duket për shkak të konkurrencës me dyqane të tjera afër zonë, kanë lindur dhe xhelozitë e para, të cilat më pas janë shoqëruar me përdorimin e tritolit.