Florenc Drizari
Kuvendi rrëzoi me shumicë votash 5 amendamentet e opozitës për buxhetin e shtetit
Kuvendi i Shqipërisë miratoi mes debatesh projektbuxhetin për vitin 2013. Buxheti i shtetit kaloi me 72 votat e mazhorancës ndërkohë që opozita votoi kundër. Miratimi i buxhetit në Parlament u shoqërua edhe me disa ndryshime të paraqitura nga institucione të tjera në vend për rritje fondesh. Kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, përmblodhi në 10 pika të gjitha kërkesat për rritje fondesh nga institucionet duke ia dorëzuar ato Kuvendit për votim. Edhe pse kërkesat për shtesa fondesh kishin kaluar më parë në sitën e komisioneve përgjegjëse, kuvendi miratoi në tërësi ndryshimet e kërkuara. Kështu, Ministria e Transporteve përfitoi 500 milionë lekë për projektet rrugor, Ministria e Bujqësisë 300 milionë lekë, Ministria e Shëndetësisë 100 milionë lekë si dhe disa institucione të tjera qendrore. Shtesa në fonde përfituan edhe institucione të tjera qendrore, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme, KQZ-në, KLSH-në etj.
Propozimet e opozitës
Gjatë seancës së djeshme Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi me shumicë votash pesë propozimet e opozitës për pika të veçanta të neneve të projektbuxhetit. Propozimi i parë ishte për nenin 9 të projektbuxhetit dhe u bë nga deputetja e majtë Mimi Kodheli. Deputetja Kodheli propozoi qëKëshilli i Ministrave të paraqesë në Kuvend një plan të ri buxhetor në momentin që këto para bëhen objektive, duke e lidhur këtë me privatizimin e Albpetrolit. Por ministri i Financave Ridvan Bode tha se formulimi për nenin 9 është standard dhe është përdorur historikisht që në kohën e lidhjes së marrëdhënieve me FMN, duke përfshirë këtu edhe qeverisje të majta. Sipas tij, asnjëherë nuk janë përfshirë pjesë e buxheteve të ardhurat nga privatizimet. Ndërkohë, propozimi i dytë kishte të bënte me nenin 10 dhe u parashtrua nga deputeti Erion Braçe. Sipas tij, opozita është kundër ndarjes së parave dhe e quan këtë një shpërndarje jo të drejtë. “Çdo qeveri mundohet që përmes shpërndarjes së parave ti propozojë parlamentit një mënyrë për të realizuar objektivat e qeverisë. Për fat të keq parlamentit nuk i lihet mundësi për të bërë këtë gjë. Janë ndarë paratë në mënyrë të padrejtë”, tha Braçe. Por amendimi i deputetit Braçe u quajt demagogji nga kreu i financave të vendit, Ridvan Bode. “Kështu siç është amenduar amendimi është thjesht pamflehtë, sepse kështu siç është formuluar buxheti flet me shifra. Një propozim i tillë në sallën e parlamentit nga deputetë që pretendojnë se janë pjesë e Komisionit të Ekonomisë dhe kanë një pjesë jo të vogël në parlament, kështu është e kotë të flasësh për amendament”, – tha Bode. Por deputeti Braçe vijoi më tej duke paraqitur propozime edhe për nenin 17, i cili sipas tij, i jep të drejtën qeverisë të rialokojë fonde që brenda ministrisë apo për programe të ndryshme edhe jashtë ministrisë. “Ka një sërë raportesh të institucioneve joqeveritare të cilat vënë në dukje këtë fakt. Që lista e shpenzimeve kapitale që i vihet në dispozicion parlamentit përmbushet gjatë vitit. Kjo çështje bëhet edhe më e mprehtë në një vit elektoral”, – tha Braçe. Por propozimi i tij nuk mori votat e mjaftueshme në Kuvend.
Ndërkaq, debate mes palëve riktheu edhe neni 15 i projektbuxhetit, nen i cili për opozitën nuk duhet të ishte hequr nga drafti. “Ky nen nuk duhet votuar sepse bie në kundërshtim me kartën e autonomisë vendore të cilën qeveria e ka firmosur. Ju si qeveri keni detyrimin që disa vendime duhet ti respektojmë. Ky nen ka dy paragrafë, që nuk duhen miratuar, si: paragrafi që ka të bëjë me rentën minerare dhe paragrafi thotë se në fund të nëntëmujorit, Ministria e Financave, në qoftë se bashkitë dhe komunat nuk do të kenë rikujtuar faturat e kompanisë CEZ, do t’i marrë automatikisht nga granti i pakushtëzuar fondet për t’ia dhënë kësaj kompanie”, – tha deputeti socialist Bashkim Fino. Lidhur me këtë propozim, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave ishin kundër dhe me votat e mazhorancës drafti u rrëzua.
Zbardhet lista e institucioneve që përfitojnë fonde shtesë në buxhet
Në emër të Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho lexoi në mënyrë të përmbledhur 10 kërkesat e paraqitura për fonde shtesë nga institucionet buxhetore, duke dorëzuar ato Kuvendit të Shqipërisë për votimin përfundimtarë. Në listën e kërkesave të paraqitura në parlament nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, përfshihen shtesa në fonde për Prokurorinë e Përgjithshme, KQZ-në, për disa ministri si dhe bëhen ndryshime për Pushtetin Vendor sipas rezultateve të dala nga Censusi. Kërkesat e institucioneve janë të renditura si më poshtë
1. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në programin e transportit rrugor përfshihet projekti sistemim dhe asfaltime në rrugën Lushnjë – Berat – Çorovodë me vlerën 500 milion lekë, duke rialokuar fonde nga projekte te tjera.
2. Ministrisë së Bujqësisë i shtohen shpenzime për investime me 300 milion lekë, nga të cilat 200 milion lekë me financim të huaj në programin menaxhimin e infrastrukturës së kullotjes.
3. Ministrinë e Shëndetësisë shtohen shpenzime operative me 100 milionë lekë, të cilat do të përdoren për transplantimin e organeve.
4. Ministrinë e Punës, shtohen shpenzimet për investime me 114 milionë lekë për regjistrin e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë në punë, si dhe për një projekt për popullsinë rome.
5. Ministrisë së Teknologjisë dhe Inovacionit i shtohen shpenzimet me 55 milion lekë dhe ato korrente me 150 milion lekë që do të përdoren për programin shoqëria e Informacionit. 40 milionë lekë për ndërtimin e qendrës për përballimin e fatkeqësive natyrore. Projekti i plotë i kësaj qendre kushton 1 miliardë lekë dhe shtrihet në 10 vjet.
6. Prokurorisë së Përgjithshme i shtohen 30 milion lekë shpenzime për koston lokale për projektin e menaxhimin të rasteve dhe si personelin me pesë persona.
7. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i shtohen shpenzimet për investime me 27 milionë lekë për rikonstruksionin e magazinës së materialeve zgjedhore.
8. Kontrollit të Lartë të Shtetit i shtohen shpenzime për personelin me 10 milionë lekë për të përballuar rritjen e pagave të punonjësve si dhe shpenzimet operative me 5 milionë lekë për trajnimin dhe kualifikimin e stafit.
9. Fondet e parashikuara për partitë dhe shoqatat rialokohen brenda shumës së parashikuar duke ruajtur raportet e vitit 2012. Mbi bazën e kësaj ndarjeje rezulton: Partitë 189 milionë lekë dhe shoqatat 9 milionë lekë, ndërsa shoqatat e veteranëve 2 milionë lekë.
10. Transferta e Pakushtëzuar për Pushtetin Vendor korrigjohet me numrin e popullsisë sipas Censusit.
Rusmali kërkon fonde shtesë për Avokatin e Popullit
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, kërkoi nga Ministria e Financave miratimin e fondeve shtesë për Avokatin e Popullit. Pak minuta para votimit nen për nen të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, Rusmali tha se shtesa në personel prej gjashtë vetash për Avokatin e Popullit është e rëndësishme për komisionin dhe për projektet që ky institucion ka me partnerët e huaj. “Prokurorisë së Përgjithshme i është miratuar një shtesë fondi për personel, të cilin Prokuroria e Përgjithshme nuk e ka kërkuar, ndërkohë që Avokatit të Popullit nuk i është miratuar një shtesë fondi për personel, ndërsa Avokati i Popullit ka kërkuar ti shtohen gjashtë veta në personel që për atë dhe për Komisionin e Ligjeve janë të rëndësishme. E para, personel për krijimin e sektorit për mbrojtjen e fëmijëve dhe personel për krijimin e tre zyrave lokale të Avokatit të Popullit në tre rrethe të rëndësishme sipas një projekti bashkëpunimi me Avokatin e Popullit të Danimarkës. Është mirë që kjo gjë të rishikohet ashtu siç është miratuar në Komisionin e Popullit”, – tha Rusmali. Pas kësaj kërkese, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli sqaroi se shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme kishte ardhur të premten e kaluar. Ndërkohë që ministri i Financave Ridvan Bode u shpreh se kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme ka ardhur edhe në qeveri dhe bëhet fjalë për një detyrim ligjor strikt ndaj këtij institucioni.
VOTIMI NË PARLAMENT – 124 DEPUTETË TË PRANISHËM
Nenet nga 1 deri tek neni 5 votohen me 71 vota pro dhe 51 kundër.
Neni 6.
70 pro (Nuk voton Ridvan Bode)
53 kundër
Neni 7.
72 pro
53 kundër
Neni 8.
72 pro
53 kundër
Neni 9. Amendamenti i PS-së – Mimi Kodheli
73 pro
60 kundër
(Amendamenti i PS-së rrëzohet me 72 kundër dhe 57 pro)
Neni 10. Amendamenti i PS – Erion Braçe
71 pro
61 kundër
(Amendamenti i PS-së rrëzohet me të njëjtin numër votash)
Neni 11.
72 pro
61 kundër
Neni 12.
72 pro
59 kundër
Neni 13.
72 pro
62 kundër
Neni 14.
72 pro
61 kundër
Neni 15. Amendament PS – Bashkim Fino
71 pro
61 kundër
(Amendamenti i PS-së rrëzohet me 70 kundër dhe 60 pro)
Neni 16.
72 pro
60 kundër
Neni 17. Amendament – Erion Braçe
72 pro
61 kundër (Gazmend Oketa voton kundër)
Neni 18. Amendament i PS-së, Mimi Kodheli
72 pro
60 kundër
(Amendamenti i PS-së rrëzohet me 73 kundër plus votën e Oketës dhe 59 pro)
Neni 19.
72 pro 59 kundër
Neni 20.
72 pro
60 kundër
Në tërësi për “Projektbuxhetin e vitit 2013”
72 pro
60 kundër
Debatet në Kuvend për pesë amendamentet e PS-së
Neni 9 – propozim nga
Mimi Kodheli:
Propozimi im i parë për amendimin e nenit 9 i projektbuxhetit të vitit 2013, vjet i nxitur nga një fakt që ka të bëjë me mënyrën e përdorimit të parave që kanë të bëjnë me një nga privatizimi i ndërmarrjeve më strategjike në vend, kompanisë ish-kombëtare Albpetrol.
Propozimi ynë konsiston me detyrimin që Këshilli i Ministrave të paraqesë në Kuvend një plan të ri buxhetor në momentin që këto para bëhen objektive. Plan që duhet të përfshijë: 1. Uljen e borxhit publik. 2. Pagimin e faturave të prapambetura lidhur me kontratat e investimeve publike si dhe tre, rritjen e kufirit të shpenzimet kapitale në arsim, shëndetësi dhe bujqësi.
Ridvan Bode: Formulimi që bëhet në nenin 9, është formulimi standard që është përdorur historikisht që në kohën që kemi pasur marrëveshje me FMN edhe nga buxhetet e majta. Asnjëherë nuk janë përfshirë pjesë e buxheteve të ardhurat nga privatizimet. Ato do të përdoren sipas një formule për rritjen e investimeve publike dhe uljen e borxhit. Tre pikat që deklaroi opozita janë të përfshira në nenin 9.
Neni 10.
Ridvan Bode: Nuk kemi të bëjmë me një amendament, kemi të bëjmë thjesht me një përpjekje për demagogji për të hapur diskutimet që u bënë një javë më parë. Kështu siç është amenduar amendimi është thjesht pamflehtë, sepse kështu siç është formuluar buxheti flet me shifra. Një propozim i tillë në sallën e parlamentit nga deputetë që pretendojnë se janë pjesë e Komisionit të Ekonomisë dhe kanë një pjesë jo të vogël në parlament, kështu është e kotë të flasësh për amendament.
Neni 15.
Bashkim Fino: Unë jam që ky nen duhet abroguar dhe nuk duhet votuar fare.
Jozefina Topalli: Për cilin nen e ke fjalën?
Bashkim Fino: Nenin 15. Ky nen nuk duhet votuar sepse bie në kundërshtim me ligjin 8682 për organizimin e pushtetit vendor. Ky nen nuk duhet votuar sepse bie në kundërshtim me kartën e autonomisë vendore të cilën qeveria e ka firmosur. Ju si qeveri keni detyrimin që disa vendime duhet ti respektojmë. Ky nen ka dy paragrafë që nuk duhen miratuar si, paragrafi që ka të bëjë me rentën minerare dhe paragrafi thotë se në fund të nëntëmujorit, Ministria e Financave, në qoftë se bashkitë dhe komunat nuk do të kenë rikujtuar faturat e kompanisë CEZ, do t’i marrë automatikisht nga granti i pakushtëzuar fondet për t’ia dhënë kësaj kompanie.
Jozefina Topalli: Z. Fino, nuk pashë as oral të kishte amendamenti, gjithsesi ne po ia hedhim në votë. Z. Bode dëshironi fjalën? Nuk ia vlen thotë. Z. Bode është kundra.
Neni 17.
Erion Braçe: ky nen i jep të drejtën qeverisë të rialokojë fonde që brenda ministrisë apo për programe të ndryshme edhe jashtë ministrisë. Ka një sërë raportesh të institucioneve joqeveritare të cilat vënë në dukje këtë fakt. Që lista e shpenzimeve kapitale që i vihet në dispozicion Parlamentit përmbyset gjatë vitit. Kjo çështje bëhet edhe më e mprehtë në një vit elektoral.
Ridvan Bode: Shqetësimi që ngre opozita për nenin 17 është jo realist dhe nuk ka sens. Ky nen ka qenë i tillë gjithmonë edhe në qeverisjen e majtë. Ajo qe ne kemi kufizuar është përqindja. Ka qenë në vlerën 20 për qind dhe tani është 10 për qind… mendoj se kjo është një zhurmë që bëhet këtu në parlament dhe nuk ka të bëjë me faktin se qeveria merr kompetencë. Sigurisht që përdoruesit e buxhetit duhet të kenë një fleksibilitet.
Neni 18.
Mimi Kodheli: Në këto kushte mendoj se duhet të biem dakord që të mund të gjejmë mekanizma të tjerë, institucione të pavarura që të mund të vënë nën mbikëqyrje papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie. Banka e Shqipërisë mund të ngarkohet pikërisht nga Kuvendi që të llogarisë borxhin publik në raport me GDP. Banka e Shqipërisë mund të detyrohet me ligj ta njoftojë Kuvendin në çdo rast kur qeveria e shkel kurimin e borxhit publik. Banka e Shqipërisë mund të miratojë pasi të ketë hartuar një kuadër shumë të qartë për mënyrën e përllogaritjes së borxhit publik në raport me GDP-në. E sjellim këtë propozim të bindur se PS është një forcë e përgjegjshme që nuk kërkon të ulet në tryezën e qeverisë për të vazhduar të marrë borxhe.
Ridvan Bode: Së pari t’i kalosh Bankës Qendrore të një vendi çështjet e borxhit, të menaxhimit dhe të financimit, të llogaritjeve të mbajtjes së borxhit është të jesh shumë larg dhe përtej obskurantizmit që thash. Ka qenë një kohë kur borxhi publik mbahej nga Banka e Shqipërisë dhe financohej nga Banka e Shqipërisë, dhe ky ishte regjimi totalitar. Me themelimin e Bankës Qendrore si një institucion i pavarur nga ky parlament, detyra e Bankës së Shqipërisë nuk është të financojë borxhin publik të deficitit të qeverisë, por është të garantojë stabilitetin e çmimeve dhe të mbikëqyr sistemin financiar dhe bankar..
Kjo është alternativa e Partisë Socialiste. Ju që s’kini për të ardhur kurrë në pushtet, mendoni se kur të vini ndonjë ditë, mundet ju ti riktheheni modelit dhe të financoni deficitin dhe borxhin publik nga Banka e Shqipërisë. kjo është platforma juaj financiare dhe monetare, binjakëzimi i Bankës Qendrore dhe deficitin dhe borxhin.
Kjo është beteja që po bën Evropa prej dy-tre vjetëve, dhe të gjithë e kanë marrë vesh që kanë një ndarje. Banka Qendrore Evropiane nuk lidhet me deficitet dhe borxhet e vendeve të veçanta, ju po e riktheni dhe paralizoni në mënyrë të menjëhershme. Rilindja juaj monetare, rikthimi tek sistemi i regjimit diktatorial.
Jozefina Topalli: në 20 vite rresht kurrë nuk kam dëgjuar një amendament më të rrezikshëm. Gjënë më të padëgjueshme se e bën opozitë këtë, që të hedhë në erë të gjithë sistemin, nuk kam parë… Ky ishte amendamenti më i çuditshëm i botës. Se opozita bën të tilla amendamente, anarki totale doni ju. Harrojeni, harrojeni! S’ju lë njeri!