Përplasja për SHIU-n, PS: Po na përgjoni. Imami: Nuk jemi në traktatin e Varshavës

0
145

Florenc Drizari

Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për “Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes”, me 68 vota pro të mazhorancës dhe 48 kundër të opozitës, ndërkohë që palët zhvilluan debate të ashpra gjatë diskutimeve të fundit lidhur me draftin. Opozita hodhi sërish akuza ndaj krerëve të Ministrisë së Mbrojtjes për përgjime ndaj saj dhe të ambasadave në Shqipëri nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë, ndërsa përfaqësuesit të këtij institucioni përgënjeshtruan deklaratat e bëra duke i quajtur ato si shpifje. Debatet për projektligjin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes vijuan mes deputetëve të opozitës dhe ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Fillimisht ishte deputeti socialist Taulant Balla, i cili akuzoi ministrin Imami për përgjime ndaj opozitës dhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ndërsa ky i fundit tha se veprimtaria e agjencisë është e mirëpërcaktuar edhe në kuadër të NATO-së dhe se nuk është më koha e Traktatit të Varshavës. “Projektligji që sillet për këtë agjenci të inteligjencës është një përpjekje e fundit e Arben Imamit për të fshehur urdhrat, keqpërdorimin e SHIU-t në funksion të dy çështjeve. E para është përgjimi i opozitës dhe i ambasadorëve të huaj në Tiranë, dhe e dyta është armatimi antikushtetues i SHIU-t. Synohet që përmes këtij projektligji, ndryshimit të emërtesës, por edhe të organizimit të këtij institucioni të mbrohet me ligj kontrolli parlamentar i këtij institucioni”, – tha Taulant Balla. por deklaratat e deputetit socialist u hodhën poshtë nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami. Sipas tij, opozita vazhdon të thotë gjëra të paqena. “Vazhdon shpifja e vazhdueshme, përgjimi i opozitës, përgjimi i ambasadave. Nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës, nuk përgjohen ambasadat. Nëse do të vazhdoni me këtë mënyrë, vazhdoni. Siguroj që përgjimet e kësaj natyre as janë bërë, e as do të bëhen. Të gjitha institucionet shtetërore kanë një ligj që përcakton format e përgjimit. Sigurisht që, edhe SHIU si një veprimtari inteligjence, në përputhje me ligjin vepron në zonën e tij të interesit, por këto kurrsesi nuk mund të bëhen pengesë për një ligj të ri”, – tha ministri i Mbrojtjes.

ARBEN IMAMI

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami gjatë diskutimit të projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes në Kuvendin e Shqipërisë, shpjegoi kompetencat e këtij shërbimi, duke nënvizuar se ato nuk bien ndesh me Shërbimin Informativ Kombëtar, SHISH-n. “Kjo agjenci inteligjence, në ndryshim nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), ka juridiksionin dhe kompetencat e saj, të cilat do t’i referohen fushës së mbrojtjes dhe personelit ushtarak apo civil që lidhet me mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe në këtë kontekst do të vazhdojë të funksionojë gjithë veprimtaria e krijuar deri tani, duke marrë parasysh veçoritë e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes”, – tha Imami.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, objekti i projektligjit është përcaktimi i misionit, organizimit, funksionimit dhe veprimtarisë së Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM), si dhe rregullimi i pozitës juridike, administrative. “Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes përcaktohet si agjenci e inteligjencës, kundërinteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes, e cila është në funksion të misionit kushtetues të Forcave të Armatosura dhe veprimtarisë së Ministrisë së Mbrojtjes, dhe vepron në përputhje me Kushtetutën dhe me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë. Misioni i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes është mbështetja e Forcave të Armatosura dhe autoriteteve të drejtimit dhe komandimit strategjik të Forcave të Armatosura, me produkt inteligjence dhe kundërinteligjence për sigurinë, në nivel strategjik dhe operacional, në kohë paqe, lufte, krize, gjendje të jashtëzakonshme ose fatkeqësie natyrore”, – deklaroi ministri i Mbrojtjes Arben Imami.

VOTIMI NË KUVEND (118 deputetë të pranishëm në sallë)

1. Miratimi i Konventës “Për konfliktet e ligjeve në lidhje me formën e disponimeve testamentare”
117 vota pro
0 kundër
0 abstenim

2. Projektligji “Për përgjimin e telekomunikimeve”, të ndryshuar

68 vota pro
50 kundër
0 abstenim

3. Projektligji “Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes”

68 vota pro
48 kundër
1 abstenim, Etem Ruka

4. Projektligji “Për transportin e rrezikshëm të mallrave”

117 vota pro
0 kundër
0 abstenim

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency