Topalli, deputetëve të PS-së: I dogjët shanset e integrimit, pas 23 qershorit as gjysma juaj s’do jetë në sallë

0
165

Florenc Drizari

“Keni për të më kujtuar pas 23 qershorit, kur ju as nuk do të jeni deputetë në pjesën më të madhe tuajën”

 

Tri ditë pas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave i BE-së për mosdhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërisë, deputetët e mazhorancës dhe të opozitës u përfshinë në debate të ashpra deri në akuza personale mes njëri-tjetrit, lidhur me përgjegjësisë për refuzimin e statusit. Gjatë zhvillimit të diskutimeve të lira pas votimit të ligjeve dje në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetarja Jozefina Topalli tha se qëndrimi i opozitës penalizoi shqiptarët në marrjen e statusit. lidhur me këtë çështje Kryeparlamentarja tha se axhenda evropiane duhet të bashkonte klasën politike shqiptare, por sipas saj përgjegjës është lidershipi i PS-së. “Më shumë se gjysma prej jush nuk do të jeni deputetë, nuk do të jeni deputet dhe do ju vrasin dy herë ndërgjegjja, të paktën për tre sekonda të shtypnit tri herë butonin për ti dhënë Shqipërisë statusin, mund ta kishit bërë. Keni për të më kujtuar pas 23 qershorit kur ju as nuk do të jeni deputet në pjesën më të madhe tuajën. Nuk ka për një lider të rëndësishme siç është partia juaj, që të ndahet nga axhenda e BE-së që është axhenda e gjithë shqiptarëve, nuk ka dështim më të madh. Është fundi i politikës. Tre sekonda të votonit dhe Shqipëria do të kishte statusin”, – tha Kryeparlamentarja Topalli. Nga ana e tyre, deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën për nivelin e lartë të korrupsionit dhe rritjen e kriminalitetit në vend. Sipas tyre, qeveria nuk i ka përmbushur tetë detyrat Brukseli ka përcaktuar për qeverinë.

DEBATI TOPALLI – BUSHATI

Diskutimet e lira dje në Kuvendin e Shqipërisë shkaktuan debate të ashpra mes Kryeparlamentares Topalli dhe deputetëve të opozitës lidhur me çështjen e statusit të kandidatit që u refuzua tre ditë më parë nga Brukseli. Deklarata e z. Bushati i cili akuzoi qeverinë për mos realizimin e përgjegjësive të caktuara nga BE-ja, sollën edhe reagimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topallit, e cila i quajti shpifje thëniet e deputetit socialist. “Zgjedhjet janë kusht sepse sistematikisht këtu formohet vullneti. Çfarë keni bërë ju në luftën kundër krimit të organizuar? A e keni pyet veten kur erdhi Hillary Clinton në Parlament? Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë kërcënim për Shqipërinë. Për kë e tha, për ne që jemi në opozitë?”, – tha Bushati. Por sipas Topallit këto deklarata janë shpifje dhe për bllokimin e statusit, ai si kryetar i Komisioni të Integrimit duhet të jepte dorëheqjen. “Ke ba çdo përpjekje për ta lidh me kryetarin tënd statusin me zgjedhjet, por dështuat. Dështove, aq sa kishe mundësi për të ba e bane. E latë vendin pa status. Dhe ku e ke ti fytyrën si kryetar i Komisionit të Integrimit. Po të isha në vendin tënd do të kisha dorëzu mandatin dhe do të kisha ik në shtypi. Po ku ta gjesh fytyrën tënde mor djalë. Po të flasim sipas gjuhës parlamentare”, – tha Topalli. Më tej debati mes zonjës Topalli dhe deputetit socialist Ditmir Bushatit, kaloi në akuza personale dhe përfshirjen e emrave të familjarëve në ligjërata. Pothuajse gjatë gjithë kohës së zhvillimit të debatit të lirë në sallën e Kuvendit, nuk mungoi tensioni politik dhe akuzat reciproke mes palëve, lidhur me mbajtjen e përgjegjësisë për dështimin e tretë radhazi për Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

 

DEBATET NË KUVEND

Valentina Leskaj: Një qeveri serioze do të vinte këtu me një ndjenjë përgjegjësie për vonesën e integrimit. Të ekspozojë përpara shqiptarëve për dështimin e saj, sepse kushdo e kupton se sa i rëndësishëm është ky refuzim për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pa dyshim që qeveria jonë është larg këtyre skrupujve…
Jozefina Topalli: A të votojmë tri ligjet Val, meqë po gënjen? A të votojmë tri ligjet që janë në rend të ditës?
Valentina Leskaj: Mos më ndërpre fjalën! Mos më ndërpre fjalën!
Jozefina Topalli: Jo, jo, ju mund të gënjeni 5 minuta rresht, por meqë po flet për integrimin, unë të propozoj zonjë, ty që të vika keq, voto tani. Zonjë, hajde dhe voto tri ligjet, i ke në rend të ditës.
Valentina Leskaj: Atëherë kjo është një arsye më shumë pse Shqipëria nuk integrohet…
Ditmir Bushati: Zgjedhjet janë kusht sepse sistematikisht këtu formohet vullneti. Çfarë keni bërë ju në luftën kundër krimit të organizuar? A e keni pyet veten kur erdhi Hillary Clinton në Parlament? Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë kërcënim për Shqipërinë. Për kë e tha, për ne që jemi në opozitë?
Jozefina Topalli: Jo mor, jo, gënjen! Ju vetëm gënjeni.
Ditmir Bushati: O Jozefinë, të lutem se ti je personi i fundit që mund të flasësh për këtë gjë.
Jozefina Topalli: jo mor zotëri jo, gënjen.
Ditmir Bushati: …Për shkak të abuzimit me politikën në këtë sallë
Jozefina Topalli: Gënjen!
Ditmir Bushati: Por edhe për shkak të injorancës tënde proverbiale që më vjen ndot edhe ta kujtoj se je edhe nga një qytet që ka vlera dhe tradita.
Jozefina Topalli: Ke ba çdo përpjekje për ta lidh me kryetarin tënd statusin me zgjedhjet, por dështuat. Dështove, aq sa kishe mundësi për të ba e bane. E latë vendin pa status. Dhe ku e ke ti fytyrën si kryetar i Komisionit të Integrimit. Po të isha në vendin tënd, do të kisha dorëzu mandatin dhe do të kisha ik në shtëpi. Po ku ta gjesh fytyrën tënde mor djalë. Po të flasim sipas gjuhës parlamentar (Bushatit i përfundon koha)… shtojani dhe një minutë. Kryetari i Komisionit të Integrimit që nuk ka votu tri ligjet që ishin kushte. Se ku e çon fytyrën nuk e di. Nuk e di.
Ditmir Bushati: Jozefinë, unë jam çun xhentil me gratë dhe shumë i edukuar edhe me kolegët, besoj se e kam shumë të vështirë të flas edhe zonjë, prandaj po të flas në emër.
Jozefina Topalli: Je një rrenacak. Ty as të njof hiç fare. E di si është puna ti djalë. Përpara dy ditësh…
Ditmir Bushati: Vazhdo e përdor mikrofonin.
Jozefina Topalli: Dëgjo! Rrofshin ato që të shpëtuan kokën e babait tënd. Që si mi iku nga Komiteti i Partisë 20 vite më parë. Prandaj ti nuk pranon integrimin dhe prandaj nuk voton tri ligjet. Kaq kishit në dorë me ba. Po të kishit ligjet për heqjen e vizave nevojën e tre të pestave, as ato viza nuk do të ishin heq. Unë sa herë që të gënjeni do ju them që gënjeni. Gënjeni dhe i keni ba damin më të madh Shqipërisë. Do ju them një gjë sinqerisht. Më shumë se gjysma prej jush nuk do të jeni deputetë, nuk do të jeni deputet dhe do ju vrasë dy herë ndërgjegjja, të paktën për tri sekonda të shtypshit tri herë butonin për t’i dhënë Shqipërisë statusin, mund ta kishit ba. Keni për të më kujtuar pas 23 qershorit, kur ju as nuk do të jeni deputetë në pjesën më të madh tuajën. Nuk ka për një lider, të rëndësishme siç është partia juaj, që të ndahet nga axhenda e BE-së që është axhenda e gjithë shqiptarëve, nuk ka dështim më të madh. Është fundi i politikës. Tri sekonda të votoshit dhe Shqipëria do të kishte statusin.
Ditmir Bushati: Do të doja që të mos më ndërprisnit dhe të tregoj që minimalisht nxjerr mësime sepse ta thashë herë tjetër dhe po ta përsëris. Je në progres-raport dhe e ke nxi veten tënde dhe postin që mban, sepse kur flet ti për integrimin, më duket sikur Luizi kur flet për diplomacinë. Më duket sikur më kujton Ledin që flet për Bankën e Shqipërisë apo Gjonin që flet për çështjet konsullore.
Jozefina Topalli: Apo ty që më flet për kthimin e komunizmit.
Ditmir Bushati: Mos u fut nëpër këto çështje moj e dashur, sepse ti je njësoj si Luizi. Ai i bie gajdes e bën diplomaci, Gjoni bën sikur bën çështje konsullore dhe ti do të më tregosh sikur merr vesh nga parlamentarizmi dhe sikur ke lexu një libër në jetën tënde. Më vjen keq dhe ndihem shumë i turpëruar që ti vazhdon të abuzosh me atë post. Por mbas 23 qershorit ne do të respektojmë, si në opozitë do të jesh…
Jozefina Topalli: Je i sigurt që s’do të jesh në opozitë sërish?
Ditmir Bushati: Faleminderit!
Jozefina Topalli: Hajt me ner qofsh. Ndoshta ti mund të jesh, për këtë shërbim që i bën kryetarit tënd, por 2/3 e këtyre deputetëve nuk do të jenë dhe të vetmen gjë që do të shënoni në CV tuaj parlamentare ishte se për trI sekonda nuk i dhatë shansin vendit për të marrë statusin e vendit kandidat. Kaq ishte. Sa për çështje emrash të familjes, unë nuk e çoj veten, sepse kam aq shumë mor djalë, të njof aq mirë mor djalë, me dhëmbë e me dhëmballë, por unë s’jam ti. Se familja ime nuk është familja jote. Iku si mi. Prandaj nuk voton tri ligjet për statusin. Të ndahesh nga axhenda e BE-së është e rëndë. Të gjithë socialistët bashkohen me axhendën e BE-së. Nuk ka dallim demokrat, socialist në axhendën e BE-së, përveç kryetarit tuaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency