Berisha në takimin e PPE-ve: Tri ligjet mbahen peng nga Rama, muri i bllokimit shembet në 2013-ën

0
148

Ina Jano

Bllokimi i ligjeve, PPE do të shqyrtojë situatën e krijuar në vend

Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën

 

Tri ligjet për integrimin e Shqipërisë u bllokuan nga Edi Rama, por shqiptarët do t’i japin përgjigjen e merituar në 23 qershor, për të rrëzuar murin e bllokimit. Kështu u shpreh dje gjatë takimit të Partive Popullore Evropiane, Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Shefi i mazhorancës shqiptare nënvizoi se tri ligjet janë duke u mbajtur peng nga kreu i opozitës shqiptare, i cili nuk i votoi ato. “Këto tri ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës, i cili beson se duke bllokuar statusin për shqiptarët dëmton qeverinë dhe do të thosha ai bën një kalkulim shumë, shumë të gabuar. E vërteta është se shqiptarët kanë të gjithë fuqinë dhe potencialin për të shembur çdo mur. Ashtu siç rrëzuan murin e bashkisë, siç rrëzuan murin e Berlinit dhe e festuan, tani do të rrëzojnë edhe murin bllokimit, të zotit Rama”, – pohoi kreu i qeverisë në prononcimin e tij për mediat pas drekës së zhvilluar në Bruksel. Gjithashtu ai bëri me dije se rasti shqiptar u trajtua në mënyrë të veçantë, në samitin e Partive Popullore Evropiane, përfaqësuesit e të cilave pasi dëgjuan ekspozenë e bërë nga shefi i qeverisë shqiptare, diskutuan gjerësisht mbi rastin në fjalë. Kryeministri njëherazi edhe kreu i Partisë Demokratike, konfirmoi për mediat se PPE do ta shqyrtojë në mënyrë të veçantë situatën e krijuar në Shqipëri, e cila siç tha udhëheqësi demokrat është një bllokim absurd për interesat e pushtetit të një individi të veçantë. “Mora sigurinë se Partia Popullore Evropiane do të shqyrtojë në mënyrë të veçantë këtë situatë të krijuar nga ky bllokim absurd i një njeriu që e bën atë për interesa të karriges së tij të pushtetit”, – u shpreh Berisha për çështjen në fjalë. Ai tha se për Shqipërinë, Komisioni Evropian ka bërë një raport pozitiv, por ka përcaktuar votimin e tri ligjeve si një detyrim, në mënyrë që t’i bëjë rekomandimin përfundimtar Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

Kreu i ekzekutivit gjithashtu bëri me dije se një nga temat e trajtuara gjatë samitit të zgjeruar të Partive Popullore Evropiane ishte edhe zhvillimet në vend dhe në rajon. Kryeministri u tha të pranishmëve në drekë se një re albanofobie mbizotëron në rajon, pavarësisht se ai disa herë e ka shprehur qartësisht se vendi ynë nuk ka pretendime territoriale ndaj vendeve të tjera. “Në takimet që pata me kolegët e mi, unë i njoha ata me të gjitha zhvillimet, me situatën në rajon, e cila me gjithë përparimin e njohur sërish vuan nga albanofobia, një faktor ky i dëmshëm për bashkëpunimin dhe klimën bashkëpunuese në rajon. Albanofobia është një qëndrim që i ka rrënjët në padrejtësitë më të mëdha të bëra ndaj shqiptarëve dhe më pas përpjekja për t’i legjitimuar këto padrejtësi në forma nga më të ndryshmet. Edhe një herë theksoj se Partia Demokratike mbetet tërësisht e vendosur në projektin e saj: Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Kjo është përgjigja më e shkëlqyer që merr albanofobia në rajonin tonë”, – tha Kryeministri. Takimin në PPE, Kryeministri Berisha e shoqëroi edhe me një status në faqen e tij në rrjetin social Facebook, ku shpjegoi takimin e pasur me homologët e tij.

Në punimet e këtij samiti, ku ishin pjesëmarrës Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy, i Luksemburgut Jean Claude Juncker, i Hungarisë Viktor Orban, i Polonisë Donald Tusk, i Suedisë Frederik Reinfeld, i Portugalisë Pedro Passos Coelho, i Sllovenisë Janez Jansa, dhe ai i Greqisë Antonis Samaras, u diskutua për çështje qendrore të Bashkimit Evropian dhe për problemet e vendeve të veçanta.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency