Qeveria dhe Bashkia e Tiranës, në “këmbë” kundër dhunës në familje

0
150

Driçim Çaka

Për përfaqësuesit ndërkombëtarë Shqipëria ka bërë hapa para kundër dhunës në familje, kur vite më parë një term i tillë nuk ekzistonte


Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës në Familje ka bërë që strukturat përgjegjëse të dënojnë çdo rast dhune, duke theksuar se do të ketë dënime maksimale ndaj çdo dhunuesi. Kryeministri Berisha e ka vlerësuar 10 dhjetorin si ditën më të rëndësishme në ditët ndërkombëtare, sepse ka të bëjë me çështjen më themelore të qytetarit, liritë dhe të drejtat e tij, çështje kjo e përjetshme dhe që nuk mund të hiqet kurrë ndonjëherë nga axhenda e çdo qytetari. “Dhuna është krim! Vepro tani! Një burrë i vërtetë nuk e lëndon kurrë një grua!”, ishte konferenca që mblodhi aktorët shqiptarë dhe të huaj të cilët vlerësuar arritjet e qeverisë në vitet e fundit. Për ministrin e Punës, Spiro Ksera, duhet të vazhdohet beteja më e vështirë për shoqërinë tonë, një betejë shumëdimensionale, një betejë fisnike për të prishur një herë e përgjithmonë këtë mur famëkeq për t’u dhënë grave dhe vajzave shqiptare një betejë më të madhe, të drejta më shumë, pabarazi më të vogla.

Të gjithë kundër dhunës

Për Kryeministrin Berisha, administrata shqiptare dominohet ndjeshëm nga vajzat dhe gratë dhe performanca e tyre është e shkëlqyer. “Në tërësi ato janë më të preferuara, për shkak të aftësive të tyre dhe dëshmojnë një përgjegjësi të lartë. Qeveria, me ndërhyrjet e saj, ka bërë që një diferencë e papranueshme gjinore që ekzistonte në rroga, që ekzistonte në vitin 2005, prej 36 për qind, të zbresë në vitin 2008-2009 në 17.7 për qind, afërsisht në mesataren e Bashkimit Evropian që është 17.6 për qind, si dhe të lërë pas mbi 10 vende anëtare të BE-së”, – theksoi shefi i qeverisë. Nga ana tjetër, Ksera e krahason dhunën në të njëjtën shkallë si me një epidemi, “epidemi që përhapet me shpejtësi, një fenomen që vepron pas një muri që është ngritur prej shekujsh nga veprimet më të errëta të njeriut”.

Vlerësimi

Edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë Shqipëria ka bërë hapa para kundër dhunës në familje, kur vite më parë një term i tillë nuk ekzistonte. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. Alexander Arvizu, vlerësoi traditat shumë të mira me të cilat krenohen me të drejtë shqiptarët, duke theksuar se dhuna me bazë gjinore sigurisht që nuk është prej tyre, madje është diçka e turpshme për shoqërinë. Për kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, z. Ettore Sequi, dhuna nuk njeh kufij e kultura dhe këtë e vërteton edhe studimi, sipas të cilit 7 në 10 gra në gjithë botën pranojnë se kanë pësuar dhunë të paktën një herë në jetën e tyre. Ambasadori Sequi siguroi se BE do të vazhdojë mbështetjen për Shqipërinë në mënyrë që të merren masat e nevojshme në luftën kundër dhunë në familje.

 

Tabaku: Strehim dhe punësim për gratë e dhunuara

Bashkia e Tiranës i ka dhënë një rëndësi të veçantë 10 dhjetorit, Ditës kundër Dhunës në Familje. Sipas nënkryetares së bashkisë, Jorida Tabaku, po krijohen të gjitha kushtet për çdo person të dhunuar, në mënyrë që të kryejë rehabilitimin sa më shpejtë.

Prej datës 25 nëntor deri në 10 dhjetor, një grup vullnetarësh, studentë të universiteteve të ndryshme të Tiranës, kanë qenë aktivë në komunikim me persona që kanë qenë apo janë subjekt i dhunës, sikundër kanë shpërndarë materiale sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave, apo fëmijëve si target grupet më të ekspozuara ndaj dhunës në familje. Në shenjë mirënjohje për këta të rinj nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, u ka shpërndarë disa certifikata mirënjohjeje. “Bashkia e Tiranës me të gjitha politikat sociale që ka në dorë, do të përpiqet të mbështesë maksimalisht këtë grup, të cilët ndoshta janë më vulnerabël, duke u kujdesur që t’ju ofrojmë mundësi të barabarta dhe më të mira madje, duke filluar që nga strehimi, duke vazhduar me mundësitë e punësimit, me asistencën psikologjike dhe sociale nëpërmjet qendrave sociale që Bashkia e Tiranës ka”, – theksoi znj. Tabaku gjatë takimit me studentët si dhe me shoqatën “Në Dobi të Gruas Shqiptare”, që është një nga shoqatat që po ndihmon Bashkinë e Tiranës

 

 

Çfarë është arritur

-Është bërë ngritja e mekanizmit të bashkërendimit të punës për referimin e rasteve me pushtetin vendor

-Janë bërë ndryshimet në Kodin Penal për ashpërsimin e dënimit për dhunuesit

-Janë marrë iniciativa konkrete nga ana e Parlamentit

-Është miratuar VKM për integrimin gjinor në programin buxhetor afatmesëm

-Është bërë funksionimi i Qendrës Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave

-Është ratifikuar Konventa e Këshillit të Evropës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, e cila, për herë të parë, na detyron të kompensojmë financiarisht viktimat e dhunës

-Janë minimizuar pabarazitë e pagës ndërmjet burrit dhe gruas

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency