Basha: 100 mijë euro për riparimin e 1 mijë shtëpive në Mitrovicë

0
166

Fondi do të akordohet nga Bashkia e Tiranës për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës në veri të Mitrovicës dhe 3.5 milionë lekë për sekretariatin e Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare

 

Për riparimin e 1023 shtëpive të dëmtuara gjatë luftës së Mitrovicë, Bashkia e Tiranës do të akordojë një fond prej 100 mijë eurosh. Fondi i bashkisë i bashkohet nismës së Komunës së Mitrovicës “Ndihmo dhe ti”, e cila ka për qëllim mbledhjen e fondeve për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre, të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.

Buxheti

Në buxhetin e vitit 2013, Bashkia e Tiranës ka akorduar një fond të veçantë prej 100 mijë eurosh, e cila do t’i shtohet fondit të përgjithshëm të mbledhur nga Komuna e Mitrovicës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ia premtoi akordimin e ndihmës financiare kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në muajin shtator gjatë një takimi zhvilluar në Bashkinë e Tiranës.

Kuvendi

Në buxhetin e viti 2013, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, ka ndarë edhe një fond të veçantë për sekretariatin e Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare, ngritur me 26 nëntor në Tiranë prej 3.5 milionë lekësh, ku do t’i vihen në dispozicion nga Bashkia e Tiranës këtij sekretariati, i cili do të koordinojë punën, përcaktojë axhendën dhe organizojë takimet e Kuvendit Kombëtar. Kuvendi i përhershëm i organizuar sipas përvojave më të mira ndërkombëtare evropiane  do të shërbejë për të çuar më përpara, praktikat më të mira të mirëqeverisjes lokale dhe njësimin kombëtar, pavarësisht se ku jetojnë qytetarët tanë. Kuvendi Kombëtar i Njësive Vendore Shqiptare synon që nëpërmjet kësaj ndjesie të ribashkimit kombëtar, të çojë përpara aspiratën e qytetarëve tanë për identitet evropian dhe për shkurtimin e distancës së bashkimit në Bashkimin Evropian. Krahas ngritjes së flamurit në Tiranë, 26 nëntori do të kujtohet edhe si dita e vendimit për krijimin e Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare. Krijimi i kuvendit u formalizua me miratimin e të zgjedhurve vendorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi e Presheva.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency