Adriatik Kelmendi
“Koha ditore”
Në fakt, nuk mund të thuhet se e kanë shumë të qartë pse ky shtet nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Qëndrimi zyrtar është se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, se rasti i Kosovës mund të nxisë hungarezët që jetojnë atje ta shpallin pavarësinë e tyre, dhe se rumunët kanë aleatë të vetëm në rajon – serbët.
Kjo, për më tepër, shpjegohet në masën më të madhe vetëm si një qëndrim personal i presidentit Traian Basescu, që nga viti 2008, i cili pastaj është vazhduar të mbahet me inerci, kryesisht për shkak se Rumania ka aq shumë çështje të brendshme me të cilat duhet të merret, saqë Kosova s’është fare temë që nga shpallja e pavarësisë.
Përfaqësues të partive politike rumune, pjesëtarë të shoqërisë civile, medias e botës akademike, pajtohen se vështirë se qëndrimi zyrtar i Bukureshtit ndaj Kosovës ka ndonjë bazë.
Në qoftë se ka pasur dilema deri më 20 korrik 2010 se pavarësia ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, kjo është hedhur poshtë fuqishëm me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka konfirmuar OK-in për aktin e Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008.
Po ashtu, hungarezët që jetojnë në Rumani kurrë nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim separatist që do ta trazonte vendin. Hapi i tyre më “i rëndë”, i cilësuar si provokim, kanë qenë mbishkrimet e vëna ilegalisht në gjuhë hungareze në një provincë të banuar me shumicë nga hungarezët. S’ka pasur asnjëherë ndonjë konflikt, s’ka pasur asnjëherë ndonjë përpjekje për shpallje të pavarësisë, madje as konsensus të hungarezëve lidhur me këtë çështje. Për më tepër, subjektet politike të komunitetit hungarez marrin pjesë aktive në jetën politike rumune, me përfaqësim në Parlament dhe në Qeveri.
Së fundi, edhe miqësia me serbët gjithsesi është tejçmuar. Më herët gjatë këtij viti, Rumania befasisht kishte bllokuar iniciativën e Brukselit për t’i dhënë Serbisë statusin e kandidatit për Bashkim Evropian. Bukureshti ishte i zemëruar për shkak se Beogradi kishte refuzuar që t’i njohë si minoritetin rumun dhe popullatën vllehe në Serbi. Kurse, gjatë bombardimeve të NATO-s, Rumania kishte vënë në dispozicion territorin e saj për nevoja të operacioneve bombarduese në ish-Jugosllavi.
Pra, cila është arsyeja atëherë e mosnjohjes së Kosovës nga Rumania?
Përgjigjja sigurisht se më së tepërmi qëndron tek mungesa e informimit të drejtë të popullatës rumune lidhur me çështjen e Kosovës, mungesa e debatit intelektual për politikën e jashtme për shkak të fokusimit në probleme të brendshme politiko-ekonomike, neglizhenca e institucioneve të Prishtinës për të gjetur kanale komunikimi me Bukureshtin si dhe, ndoshta, mostrajtimi serioz i kësaj çështjeje nga shtetet sponsorizuese e mbështetëse të pavarësisë.
Kjo, për shkak se ka shumë arsye që sidomos Rumania ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe asnjë të mirëqenë që të ndodhë e kundërta.
Argumentet për njohje, që lehtësisht shkrijnë ato rumune kundër njohjes, janë plot dhe në të mirë të vetë këtyre dy vendeve, rajonit dhe të proceseve integruese evropiane, e shtrihen që nga historia e deri te aktualiteti.
Këto mund të mbështeten lehtë edhe nisur nga disa shembuj të shpejtë.
Nga historia:
– Vasile Lupu, me etni shqiptare, në vitin 1634 ishte bërë princ i Moldavisë rumune.
– Rilindja Kombëtare e shqiptarëve për liri nga Perandoria Otomane kishte prezencë të madhe në Rumani. Kjo bëri që Abetarja e parë shqiptare, e përpiluar nga Naum Veqilharxhi, të botohej në Bukuresht më 1844.
– Asdreni, që jetonte në Bukuresht, shkroi Himnin e Flamurit, nën melodinë e këngës rumune të kompozitorit Ciprian Porumbesku.
– Në vitin 1912, në mbledhjen e mbajtur në Hotelin Athenee Palace në Bukuresht, Ismail Qemali me të tjerë adoptuan rezolutën e parë në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë, para se të niseshin drejt Vlorës për ta shpallur atë.
Nga politika:
– Kosova është njohur nga 96 shtete të botës, përfshirë shtetet më të zhvilluara dhe demokracitë më të mëdha.
– Kosova është njohur nga 22 anëtare të BE-së dhe.
– Kosova është njohur edhe nga shumë shtete që kanë grupe etnike ose territore që luftojë për pavarësi, angazhohen për pavarësi, ose që pritet të dalin në referendum për pavarësi. Në mesin e këtyre janë Mbretëria e Bashkuar me rastin e Skocisë, Italia me Tirolin Jugor dhe programin separatist të Lega Nord, Franca me baskët, Belgjika me kundërthëniet flamane-valone e deri te Kanadaja me Quebeckun e shumë të tjera në mbarë botën.
– Kosova është njohur edhe nga të gjitha shtetet fqinje (natyrisht përveç Serbisë), ku hyn edhe Mali i Zi me 30 për qind popullatë serbe dhe Maqedonia, dy aleatet më të mëdha të Serbisë.
– Kurse, me njohjen e Kosovës nga Rumania, Bukureshti do të ngrinte lart miqësinë me një shtet të ri historikisht mik, si dhe me të gjitha shtet ku jetojnë shqiptarët, pra me Shqipërinë, me Maqedoninë, Malin e Zi etj., si dhe nuk do të bëhej pengesë e proceseve integruese të rajonit në BE e NATO, gjë që nga të gjitha këto vende shihet si një rrugë drejt një të ardhmeje më të mirë të përbashkët.
Pse atëherë të mos ndodh njohja shpejt?
(Autori ka qëndruar për një vizitë lobuese në Rumani bashkë me një delegacion nga Kosova, në kuadër të programit “Communicating with Europe” mbështetur nga Foreign Office-i britanik, ministria e Jashtme e Kosovës, Këshilli Britanik dhe KFOS. Një version i këtij shkrimi do të botohet në gazetën kryesore të përditshme rumune “Adevarul”)