Çështja “Cana” përfshin të gjithë

0
177

Altin Vorpsi

Fakti që flitet për njërin prej lojtarëve më të mirë të të gjithë kohërave të Shqipërisë justifikon gjithçka. Mediat prej kohësh, saktësisht që kur Cana la Marsejën për Sandërlendin, kanë filluar që të interesohen edhe më shumë për këtë lojtar. Gjatë eksperiencës së tij në Francë, ai asnjëherë nuk u vu në pikëpyetje, madje si tek PSG edhe tek Marseja mbajti edhe shiritin e kapitenit. Problemet filluan kur kaloi në Premier Ligë tek Sandërlendi, ku u cilësua si shumë i ashpër, për shkak të numrit të lartë të kartonëve që mori. Të njëjtin fund pësoi edhe në Itali. Vetëm se kësaj here nuk janë kartonët e shumtë, por skemat e trajnerëve të Lacios që luajnë me vetëm një mesfushor qendre. Këtu nuk duhet të harrojmë edhe eksperiencën një-vjeçare që pati në Turqi me Gallatasarain, ku edhe aty nuk u aktivizua me rregullsi.

 

Shumë pak

Është aktivizuar vetëm 233 minuta në 15 ndeshje kampionat dhe kjo mezi kapërdihet nga një futbollist si Cana, i cili kërkon gjithnjë të jetë në fushë dhe protagonist. Një nga arsyet se përse ai u largua nga Gallatasaraji ishte edhe fakti se muajt e fundit po luante gjithnjë e më pak. Mesfushori nuk u ndie sezonin e shkuar, kur për shkak të vështirësive me përshtatjen në futbollin italian luajti pak. E njëjta situatë po përsëritet edhe tani, ndaj kapiteni i Shqipërisë duket se po “bluan” në mendje edhe opsione të tjera. Është 28 vjeç dhe nuk ka ndër mend të presë që të luajë kur dëmtohen Biava, apo ndonjë tjetër te Lacio, që të mund të aktivizohet.

 

Tare

“Cana është një lojtar i madh dhe jo më kot bën pjesë në projektin e një klubi të madh si Lacio. Është e vërtetë që ai nuk ka luajtur aq sa pritej, por kjo ka ndodhur se ai ka pasur vështirësi në përshtatjen me futbollin italian. Vështirësi, të cilat gradualisht po i kalon. Unë mund t’ju them se ai është pjesë e projektit dhe se ndiej një përgjegjësi edhe për shqiptarët e tjerë që luajnë me të rinjtë e Lacios, si Admir Bilali dhe Thoma Strakosha”, – ka thënë ish-kapiteni i Shqipërisë, Igli Tare, pak javë më parë. Drejtori sportiv i Lacios pati dhënë sinjale se nuk dëshiron që Cana të largohet, por duket se futbollisti është lodhur me stolin e tepërt edhe këtë sezon.

 

De Biazi

I fundit që është shprehur për këtë temë ka qenë edhe komisari teknik i Shqipërisë, Xhani de Biazi. Tekniku italian e njeh shumë Canën që e konsideron si liderin e vërtetë të përfaqësueses sonë: “Nëse nuk luan titullar, atëherë është e vështirë të gjejë motivimin e duhur. Nuk arrij të kuptoj pse Cana nuk po përshtatet me futbollin italian, për kombëtaren është një lider”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency