Meta: Politika të lërë konfliktet dhe t’i rikthehet votimit të ligjeve

0
154

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i bëri thirrje dje të gjithë politikës që të lërë mënjanë retorikat boshe dhe të votojë 3 ligjet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, të cilat do i hapnin dritën jeshile, Shqipërisë, për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Nga Patosi unë dëshiroj tu bëj një apel të gjitha forcave politike, në veçanti Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste: Është e rëndësishme t’i fillojmë mbarë 100 vitet që vijnë duke reflektuar në të ardhmen vullnetin e qytetarëve shqiptarë për tu bashkuar dhe për të zgjidhur problemet e tyre, për t’i dhënë fund retorikave konfliktuale dhe bllokimeve artificiale sepse Shqipëria duhet të ecë më shpejt në rrugën e progresit, të integrimit evropian dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve të saj. Ky është kontributi më i mirë që mund të japë çdokush për lartësimin e emrit të Shqipërisë në Evropë dhe në botë por njëkohësisht edhe për lartësimin e dinjitetit dhe të krenarisë së çdo qytetare shqiptar, kudo ku ai është”, – tha kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ndërkohë sipas tij, sfida e LSI-së është përkrahja e biznesit fason, të atij të mesëm dhe të vogël dhe forca që ai drejton do të përdorë një sistem taksash që favorizon punësimin. Kreu i LSI-së në këtë takim ishte i shoqëruar edhe nga Ministri i Jashtëm Edmond Panariti, i cili duke folur për të drejtat e emigrantëve tha se është në bisedime me Athinën zyrtare për të zgjidhur përfundimisht çështjen e certifikatave që pengojnë lëvizjen e lirë të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. ndërsa sa i përket votimit të ligjeve ministri Panariti nënvizoi: “Ju e dini që LSI ka pasur dhe mban një qëndrim shumë konstruktiv, inkurajues për kompromisin që duhet të ekzistojë midis dy forcave kryesore politike, midis dy kampeve për të bërë të mundur avancimin e procesit të reformave, kalimin e ligjeve të cilat kërkojnë mbështetje me 3/5”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency