Qeveria shqiptare, kërkesë për hetim ndaj prokurores Carla Del Ponte

0
134

Ina Jano

Shqipëria do të kërkojë hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me gjyqin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj

 

Qeveria shqiptare do të kërkojë një hetim ndërkombëtar për prokuroren Carla Del Ponte, duke qenë se ajo ishte akuzuesja kryesore sa i përket gjyqit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Lajmi është bërë i ditur ditën e djeshme në një njoftim për shtyp të publikuar në faqen zyrtare në internet të Këshillit të Ministrave. Referuar këtij njoftimi, thuhet se qeveria shqiptare do të mbështesë vendimin e shtetit të Kroacisë që ka bërë një kërkesë të ngjashme dhe do tu propozojë instancave më të larta ndërkombëtare që të hetojnë në lidhje me prokuroren e famshme Del Ponte për të zbuluar arsyen e vërtetë të lotimit të fuqishëm të saj kundër ish-kreut të qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj. “Në bazë të këtyre deklaratave qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’u kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë dhe ndërmarrin një hetim të pavarur ndaj ish-prokurores së TPNJ, Carla Del Ponte, në lidhje me pretendimet e ngritura për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-kryeministrit të Kosovës, z. Haradinaj, dhe u kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje”, – citohet nga deklarata. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave bën një paralelizëm edhe me shtetin e Kroacisë, qeveria e të cilit ka vendosur që të kërkojë kohë më parë të njëjtën gjë nga instancat ndërkombëtare. Gjykata e Hagës shpalli të pafajshëm gjeneralin Gotovina dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa gjatë hetimit kryeprokurorja Del Ponte kishte insistuar për fajësinë e tyre. “Opinioni publik shqiptar është tronditur thellë nga deklaratat e fundit të prokurorëve të famshëm të TPNJ-së, që kanë ngritur akuzat ndaj Slloboban Millosheviçit si dhe ndaj autorëve të Masakrës së Sebrenicës, në të cilat pohohet se akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga prokurorja Carla Del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash, duke mos marrë parasysh dhe anashkaluar rekomandimin e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë të TPNJ-së dhe shkarkimin e tyre nga çështja”, – vlerëson qeveria shqiptare. Ndërkohë, mazhoranca nuk ka harruar të përshëndesë edhe vendimin e pafajësisë për herë të dytë të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Gjithashtu qeveria, me në krye Kryeministrin Sali Berisha, ka risjellë në vëmendje edhe qëndrimin e mbajtur nga Haradinaj. “Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet vendimin e pafajësisë për herë të dytë të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një procesi hetimi prej kaq vitesh nën akuza të përsëritura nga ish-prokurorja e Përgjithshme e TPNJ znj. Carla Del Ponte. Qeveria shqiptare risjell në vëmendje dhe përshëndet rishtazi qëndrimin e ish-kryeministrit Haradinaj ndaj kërkesave të TPNJ, dorëheqjen e tij nga posti i Kryeministrit dhe paraqitjen e tij para TPNJ, qëndrimin e tij ndaj thirrjes për së dyti për të njëjtat akuza ndonëse për to ishte shpallur i pafajshëm nga TPNJ”, – përfundon njoftimi nga Kryeministria.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency