Supersfida Në Gjermani të gjithë sytë drejt titanëve Mynih dhe Dortmund

0
130

Ndeshja e shumëpritur midis dy skuadrave që prodhojnë futboll të bukur. E gjithë vëmendja është te përballja, e cila, me sa duket, do të sjellë dhe verdiktin për më të fortin. Deri tani Bajern Mynih ka përparësinë e të qenit përpara me pikë, por Dortmundi po tregohet kockë e fortë në Ligën e Kampioneve.

 

Për të treguar vazhdimësinë e ligës gjermane gjatë këtyre viteve me të fundit nuk mund të ecim para pa theksuar rivalitetin midis Dortmundit dhe Mynihut. Progresi i bërë nga të dyja skuadrat i ka sjellë dhe shkëlqimin e dikurshëm ligës gjermane. Në Champions Bajerni, skuadra me më pak fat këto vitet e fundit, është detyruar që të jetë nën hijen e skuadrave italiane, angleze dhe spanjolle, kjo jo sepse është skuadër më e dobët porse në finalizim ka qenë e pafat. Këtë vit gjithçka është ndryshe, pasi skuadra ndihet më e sigurt në vetvete dhe ka më shumë eksperiencë në të tilla kompeticione. Ndërkohë, Borusia, edhe pse e re në këtë kompeticion, ka hyrë më këmbë të mbarë dhe me anë të lojtarëve të rinj po tregon një grintë dhe një besueshmëri në forcat e saj. Në Bundesligë të dyja skuadrat po tregojnë rivalitet të madh për fitoren e titullit. Me një Bajern që zotëron vendin e parë, por që duhet të ruhet nga “armiqtë”, të cilët këto javët e fundit po japin maksimumin për t’u ngjitur në tabelë. Ndryshe nga dy vitet e fundit, kur Borusia ishte në krye të kampionatit, këtë radhë letrat janë në favor të bavarezëve, që janë komod përballë çfarëdo lloj rezultati. Por të verdhët janë të uritur dhe skuadra e Jup Hejnkesit nuk lëshon pikë lehtësisht. Në kuotën e 37 pikëve dhe me fitoren e realizuar ndaj Frajburgut me rezultatin 2-0 në mesjavë, duket se bavarezët janë dhe kampionët e dimrit, kur kanë mbetur dhe 4 ndeshje nga mbyllja e sezonit për vitin 2012. Risia këtë vit për skuadrën e Filip Lamit me shokë është dhe ardhja e Havi Martinezit dhe kosovarit me pasaportë zvicerane Xherdan Shaqiri. Në ndeshjen e kaluar, kur spanjolli shënoi gol të shtunën, e gjithë skuadra vrapoi drejt tij për ta përgëzuar bashkë me trajnerin Hejnkes dhe drejtorin teknik Matias Samer. Larg në kohë duket edhe debati Riberi-Roben dhe gjithçka është lënë pas. Interesante te skuadra është edhe tredhëmbëshi sulmues i formuar nga të rinjtë Myler, Shaqiri dhe Toni Kros. Nga një skuadër e ftohtë tashmë gjermanët janë kthyer në një skuadër dinamike, e freskët dhe e uritur për gola. Ndërkohë, në krahun tjetër qëndron e njëjta situatë. Synimi i Jurgen Klopit është vetëm një dhe jepet në formë urdhri: “Mundni Bajernin”. Kjo, sepse tashmë rreziku është më i madh, pasi mungesa e pikëve është e madhe dhe duhet një mrekulli për t’i rikuperuar. Forma e kampionëve këtë fillim sezoni ka qenë e dobët. Shume pikë janë lënë pas dore dhe Borusia qe viktima e humbjeve ndaj skuadrave si Frankfurti apo Hanoveri. Dështimi i radhës erdhi në barazimin me Fortuna Dyseldorfin këtë fillim jave, duke e thelluar hendekun në 11 pikë. Ky fillim sezoni i dobët erdhi edhe për shkak të fokusit që skuadra ka për trofeun Champions. Paraqitjet e shkëlqyera ndaj Ajaksi apo galaktikëve të Real Madridit kanë justifikuar në njëfarë mënyre barazimet e kryera ndaj Dyseldorfit dhe Frajburgut. Klopi i ka të përcaktuara prioritetet, për të është e rëndësishme të ngjisë reputacionin në ligën e “të mëdhenjve” dhe deri tani nuk ka zhgënjyer. Si rezultat i këtyre ngjarjeve, presim një përballje midis titanëve të uritur për sukses. Mynihu kërkon që të forcojë pozitën dhe t’u tregojë dhëmbët të gjithëve që është kampioni absolut i këtij sezoni, duke e çuar diferencën në 14 pikë. Kjo do t’i jepte mundësi që të ishte i qetë dhe të shikonte drejt Ligës së Kampioneve. Ndërsa në krahun tjetër, qëndron Levandovski dhe Gëtze me shokë, të cilët duan të forcojnë pozitat e tyre në tabelë. Nëpërmjet kësaj fitoreje ata do të mund edhe të shihnin një fije drite për titullin e Bundesligës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency