Rrugë në nderim të Leopold Bertoldit, Berisha-Basha: Mirënjohje për mbrojtësit e pavarësisë

0
139

Blerta Mrishaj

Basha: Nderojmë ministrin e Jashtëm që qëndroi vendosmërisht për pavarësinë e Shqipërisë

Berisha: Vendosim në piedestal një copëz të ndaluar të historisë sonë

Neugebauer: Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Austrisë, sepse Evropa do të ishte e paplotë pa Shqipërinë

 

Një rrugë e re në kryeqytet mban emrin “Kont Leopold Bertold”, në nderim të ministrit të Jashtëm të Perandorisë Austro-Hungareze, i cili bashkëpunoi me Ismail Qemalin për të shpallur pavarësinë e vendit. Rruga e re lidh bulevardin “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi”, dhe me fillimin e zonës e Shkozës ka përfunduar së asfaltuari dhe tashmë është plotësisht e kalueshme. Ndërhyrjet në këtë rrugë kanë nisur muaj më parë dhe sipas bashkisë do t’i japë zgjidhje trafikut në këtë aks, dikur i rënduar. Rrugës iu pre shiriti dje dhe i pranishëm ishte Kryeministri Sali Berisha, kryebashkiaku Lulzim Basha dhe zv.presidenti i Parlamentit Austriak, z. Fritz Neugebauer.

Përurimi

Kreu i qeverisë vlerësoi Austrinë si një shtet që ka mbështetur Shqipërinë në procesin e saj integrues, ndërsa deklaroi: “Nuk është e rastit që qeveria federale e Austrisë të ishte e para qeveri në Evropë që do të përshëndeste fitoren e forcave demokratike. Nuk është e rastit që Austria, miqtë të shquar të shumtë të saj do të bënin gjithçka për të lehtësuar dhembjet e varfërisë dhe mjerimit të trashëguar nga diktatura më e egër komuniste dhe do vinin në një sistem ndihmash humanitare, ndër më efecientët, në zonat më të varfra të vendit. Ata do të bënin gjithçka për të ndihmuar shkolla, sistemin shëndetësor, për të inkurajuar turizmin, për të ndihmuar komunitetet. Qeveria austriake gjatë këtyre viteve ka dhënë një ndihmë të çmuar në mbarë vendin, por ndihma më e madhe që ky vend mik i ka dhënë Shqipërisë është inkurajimi i investitorëve të saj, ndër më seriozët, dhe që sot janë shndërruar në investitorët kryesorë të vendit, në fushat më kryesore të zhvillimit të ekonomisë. Historitë e suksesit të tyre në Shqipëri janë të shumta, ndaj dhe u shpreh mirënjohjen më të thellë. Mbështetja e Austrisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian ka qenë e plotë. Gjatë presidencës së saj Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Austria ishte një nga mbështetësit kryesorë për heqjen e vizave”, – deklaroi Kryeministri Berisha.

Bashkia

Kryebashkiaku Basha tha se ndërhyrjet në këtë aks janë pas 11 viteve mungesë dhe punimet janë bërë sipas standardeve më të mira infrastrukturore. “Pas afro 11 viteve, ne arritëm të hapim një arterie të re dhe të rëndësishme për qytetin tonë, e cila do t’i kursejë mundim, stres dhe para qytetarëve të Tiranës dhe do të zbukurojë dhe përmirësojë cilësinë e jetës mbi 3 mijë banorëve të rrugës së re, rrugës “Konti Leoplod Bertold”. Ndërtimi i kësaj rruge u bë me parametra evropiane dhe ky është standardi, nga e cila bashkia e Tiranës nuk do të tërhiqet. Ndaj nuk është e rastësishme që për datën dhe ditët historike që po kalojmë, vendosëm që kësaj rruge të standardit evropian, t’i vëmë një emër të nderuar të një personaliteti historik, të cilin ndonëse errësira ideologjike e fshiu për 50 vjet nga librat e historisë, këtu në Shqipëri, ne sot e rizbulojmë dhe e nderojmë, emrin e ministrit të Jashtëm të një perandorie, e përbërë nga dy vende miq, Austria dhe Hungaria, i cili qëndroi vendosmërisht për pavarësinë e Shqipërisë”, – tha Basha. Ndërsa zv.presidenti i Parlamentit Austriak, z. Fritz Neugebauer, tha: “Kjo arritje e ish-ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë është një tregues i mirë dhe një frymëzim për ne që edhe ne ta mbështesim Shqipërinë në procesin e saj të integrimit evropian. Natyrisht që kjo rrugë është e vështirë, e anëtarësimit, por të jeni të sigurt që Shqipëria do të ketë gjithmonë në këtë rrugë mbështetjen e fuqishme të Austrisë. Kjo rrugë është mjaft e vështirë, por unë dua t’ju siguroj që Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Austrisë, sepse Evropa do të ishte e paplotë pa Shqipërinë në familjen e saj. Prandaj ju uroj gjithë të mirat në të ardhmen”.

Investimi

Rruga do t’u shërbejë 3000 banorëve të njësisë bashkiake nr. 1 dhe është plotësisht e aksesushme për automjetet dhe kalimtarët. Nga ana e tyre, të deleguarit e Austrisë, duke falënderuar bashkinë për kujtesën e Leopold Bertoldit, thanë se Evropa duket jo e plotë pa Shqipërinë, duke garantuar se politikisht, por edhe me projekte do ta mbështesin vendin tonë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency