Ditari kinez i Marçelo Lipit: Trafiku, çfarë bezdie

0
167

Altin Vorpsi

Tekniku që drejtoi Italinë drejt Kupës së Botës numër katër, ai që fitoi pesë tituj kampionë me Juventusin, ka nisur pak muaj më parë një tjetër aventurë, që mund të konsiderohet e suksesshme. Titulli kampion dhe triumfi në Kupën e Kinës nuk janë një rastësi për Guangzhou Evergranden, skuadrën që drejtohet nga një teknik i madh si Marçelo Lipi. “Marko Polo” i botës së futbollit ka firmosur me këtë ekip një kontratë që do ta mbajë në Kinë dy vite e gjysmë për shifrën rekord të 26 milionë eurove. Lipi shkoi në Kinë për të predikuar futboll, në një vend ku kjo lojë ende nuk është aq popullore.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, Marçelo Lipi rrëfen për aventurën e tij më të re. Në Kinë, tekniku që udhëhoqi Italinë drejt triumfit në Kupën e Botës në vitin 2006, ka marrë përsipër që të bëjë të madhe një tjetër skuadër. Që në vitin e parë tek Guangzhou, Lipi, përveç famës së vet, i ka dhënë edhe tituj këtij ekipi. Sa u përket përshtypjeve të para teknikut në fjalë, duket se është habitur nga disiplina e kinezëve kur tregon: “Ata vendosën këto ditë se cili do t’i udhëhiqte dhjetë vitet e ardhshme. Kështu i tërë shteti ndaloi. Një miliard e katërqind milionë persona, jo katër maçokë”.

 

Në çfarë sensi thoni se ndaloi gjithçka?

Siç ju tregova dhe më lart, fizikisht. Domethënë, nuk kam parë lëvizje për plot 15 ditë. Kina është një vend i madh në të gjitha kuptimet e fjalës. Do t’ia këshilloja kujtdo që ta vizitonte. Mbi të gjithë, teknikëve italianë.

 

Keni nxjerrë ndonjë mësim?

Kam mbërritur këtu në Kinë më 17 maj 2011. Ditari im i Orientit është ende i paplotësuar. Kështu, mund t’ju them se tani për tani flas vetëm me përshtypjet e para që kam krijuar. Kam kuptuar nëse kinezët punojnë për një qëllim – dhe janë të aftë të bëjnë diçka të tillë – mund të realizojnë çdo ëndërr.

 

Lipi, le t’i kthehemi frazës që thatë më parë. Çfarë deshët të tregonit me vendin që ndaloi?

Ndryshoi programi i fuqisë që drejton. Këtu ndodh një herë në dhjetë vite. Gjithçka është e programuar dhe mua më bëri shumë përshtypje. Për kinezët vetëm ky event kishte rëndësi këto ditë.

 

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje?

T’ju jap një shembull?

 

Sikur.

Kampionati ndaloi. Dhe unë mendova të rikuperonim disa ndeshje ndërkohë.

 

Përgjigjja?

As që bëhej fjalë. Kina po merrej me diçka tjetër.

 

Shumë bukur. Në Kinë futbolli nuk paska aq shumë rëndësi pra.

Futbolli ka rëndësi, por jo sa shteti. Asgjë nuk mund të krahasohet me fuqinë qendrore. Këtu kam përshtypjen që çdo shtëpi kontrollohet nga lart. Të ankohesh është e kotë.

 

E frikshme.

Është një sistem me të mirat dhe defektet e veta, por funksionon.

 

Cili ka qenë impianti i parë me Guangzhoun?

Në javën e parë u gjenda përballë tri ndeshjeve radhazi. Dy ishin të vlefshme për kampionat, ndërsa njëra ishte për Kupë Kampionesh. Unë dhe stafi im nisëm gjithçka me kokën ulur. Futbollistët na ndoqën menjëherë.

 

Robotë që u bindeshin urdhrave tuaja pra. Ky është maksimumi për një teknik apo jo?

Janë shumë ndryshe nga ne, por nuk janë autonomë. Japin maksimumin. Të dëgjojnë. Mësojnë. Rriten.

 

Pra, individi nuk ka shumë rëndësi. Objektivi është në qendër të vëmendjes, apo jo?

Keni pjesërisht të vërtetë. Në sportet individuale kinezët janë fantastikë. Unë, për shembull, punoj shumë me ta sa i përket organizmit, agresivitetit dhe ritmit.

 

Ju trajtojnë si një marsian apo si një mjeshtër?

Ata janë të habitur që më shohin mua këtu. Më quajnë profesori.

 

Ylli i skuadrës, argjentinasi Konka, paguhet sa ju.

Ato para ai mund t’i marrë vetëm në Kinë. Për të fituar këtu duhen lojtarë që janë rritur brenda vendit. Ne kemi shtatë kinezë në ekip. Ata luajnë edhe në kombëtare, ndërkohë që në Shangai me lojtarë si Drogba dhe Anelka kanë përfunduar në vendin e 11 kampionatin.

 

Në Kinë masa ka mundur individualitetin barabar perëndimor. Në futboll dhe ekonomi. Këtu kanë ende shumë rrugë për të bërë, por jam i sigurt se do t’ia dalin.

 

Sa persona vijnë në stadiume të dielave?

Dyzet mijë persona. Gjithmonë.

 

Po ju jetoni në Kanton, që numëron 17 milionë banorë.

Duket si një fole milingonash. Herë-herë ndihem si i humbur. Dhe nëse gabon oraret, atëherë je i mbaruar. Gjithsesi, stadiumi gjithmonë është plot. Sa i përket anës estetike, ai është shumë i bukur.

 

Po tifozët janë gjaknxehtë?

Varet. Në Liaoning fituam 3 – 0 dhe turma në shtyu që të qëndronim mbyllur në dhomat e zhveshjes për plot 40 minuta. Në qytete të tjera kalojmë pa u ndier shumë.

 

Nga Kupa e Kampioneve aziatike ju eliminoi Al Ittihad.

Dhe në Evropë dikush shkroi se unë rrezikoja vendin e punës. Absurde.

 

Si rrodhën ngjarjet?

Në ndeshjen e kthimit dominuam gjithçka. Goditëm shtylla, traversa dhe i shkuam shumë afër golit të tretë, ndërkohë që ata me vetëm një goditje në portë na shënuan dhe na eliminuan. Atë ditë mbaj mend se tifozët na mbështetën shumë, po ashtu edhe gazetarët në konferencën për shtyp na duartrokitën.

 

Botë tjetër.

Një botë që vlerëson punën. Kinezët kanë bërë shumë hapa para. Kujtoj se vitin e parë tek Juventusi fitova kupën dhe kampionatin, ndërkohë që vitin e dytë arrita të merrja Ligën e Kampionëve dhe Kupën Interkontinentale. Tani unë nuk them se mund të mposht Barçën, por të paktën të dominojmë në Azi.

 

Bosi juaj, Mr. Xu, është njeriu i tetë më i pasur në Kinë.

Është një njeri shumë i mirë. Unë jetoj në një nga qytezat e tij. Ai ka shumë dëshirë që ne të bëjmë mirë. Më ka dhënë gjithçka në dorë. Palestra, fushat e stërvitjes, terapitë, unë merrem me gjithçka.

 

Keni internet në shtëpi?

Po, kam. Nuk mund të klikoj Youtube, por për të tjerat mbaroj punët që kam.

 

Kur do të ktheheni në Itali?

Javën tjetër. Në fillim do të takoj kryebashkiakun dhe krerët e Partisë Komuniste të Kantonit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency