Amnistia Bum kërkesash për përfitim në gjykata, sot lirimet e para nga burgjet

0
226

Sonja Caka

Dënimet alternative, përfitojnë rreth 1 mijë të dënuar. Burgjet, pritet të përfitojnë 220 të dënuar, 160 të dënuarve u zbritet ¼ e dënimit

 

Amnistia e dhënë për 100-vjetorin e pavarësisë pritet të sjellë një bum kërkesash në gjykata nga të dënuarit. Përfitues do të jenë të gjithë ata të dënuar që plotësojnë kriteret e vendosura në ligj. Madje, sipas burimeve zyrtare nga Shërbimi i Provës, edhe të dënuarit që kanë përfituar nga dënimet me kusht, lirinë do e përfitojnë vetëm pasi prokuroria t’i drejtohet gjykatës me urdhër ekzekutimi, nga do të ketë një numër të madh përfituesish, si në persona të dënuar, të liruar me kusht, ashtu dhe persona nën hetim, të cilët veprën penale e kanë kryer para datës 31 gusht të këtij viti. Burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve bëjnë me dije se janë afro 220 të dënuar që përfitojnë nga amnistia, të cilët do fillojnë të shohin dritën e lirisë qysh sot, mëngjesin e 28 Nëntorit, ndërsa mes tyre një numër i pakët si përfitues janë gra dhe të mitur. Sipas burimeve zyrtare nga burgjet, rreth 220 persona me liri të kufizuar do të përjashtohen nga ndjekja penale, vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit, sipas kritereve të dispozitave të ligjit të amnistisë, ndërsa 160 të tjerë, u zbritet ¼ e dënimit të mbetur. Ndërkohë që, po sipas të njëjtave burime, ka nisur prej disa ditësh të vetëdorëzohen në komisariate mjaft të dënuar për vepra penale që kapen nga amnistia dhe të cilët janë dënuar në mungesë. Bëhet fjalë kryesisht për vepra penale që i kap Kodi Ushtarak, si dezertimet, të cilët, pas këshillimit me të afërmit dhe avokatët e tyre, janë dorëzuar nëpër komisariate dhe janë bërë përfitues të amnistisë.

Kërkesat

Në festën jubilare të 100-vjetorit të pavarësisë do jenë plot 2546 persona, të dënuar apo dhe duke u ndjekur nga Shërbimi i Provës që do të përfitojnë amnisti. Por jo vetëm, pasi përfitues do të jenë edhe shumë persona të tjerë të cilat janë nën hetim apo çështja gjyqësore nuk u ka filluar ende të gjykohet, të cilët plotësojnë kriteret dhe që vepra penale është regjistruar deri në datën 31 gusht 2012. Por, kërkesat për personat që gjenden në burg apo ndodhen në liri me kusht duhet të depozitohen në gjykata, dhe pasi të shqyrtohen dhe të shihet nëse plotësohen kushtet, atëherë do vendoset lirimi apo jo. Ndërsa, për afro 1 mijë persona që ndodhen nën hetim dhe veprat penale për të cilat akuzohen i kap amnistia, me vendim të organit të akuzës, atyre u pushohen hetimet. Përzgjedhja e kategorisë së personave që përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në këto kritere; përkatësisht lloji dhe masa e dënimit – deri në dy vjet; koha e mbetur e dënimit – deri në 1 vit; mosha aktuale e personit të dënuar – 55 vjeç për gratë dhe 60 vjeç për burrat; mosha e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale – nën 18 vjeç.

Kush përjashtohet

Ligji parashikon edhe përjashtimin nga përfitimi i amnistisë të një kategorie të të dënuarve që vuajnë dënimin për kryerjen e veprave penale. Bëhet fjalë për krime kundër njerëzimit që përjashtohen nga çdo amnisti, pasi janë të paamnistueshme në të gjitha konventat – të tilla si krime kundër jetës të kryera me dashje; vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit; krime seksuale; vepra penale kundër lirisë së personit; vepra penale kundër moralit e dinjitetit; vepra penale kundër fëmijëve, martesës e familjes, vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike; krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues; krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera; vepra me qëllime terroriste; vepra kundër autoritetit të shtetit; vepra penale kundër drejtësisë; vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale. Gjithashtu, në rastin e personave të dënuar për shkak të përsëritjes së të njëjtës vepër penale, amnistia nuk aplikohet.

Të dënuarit që plotësojnë kriteret, përfitojnë edhe uljen e ¼ së dënimit

Duke mbajtur në konsideratë se amnistia ka në frymën e saj mundësinë e zbutjes së dënimit, projektligji parashikon se të gjithë të dënuarit që mund të plotësojnë kriteret për amnisti përfitojnë zbritje të ¼-s së dënimit të mbetur. Nga Amnistia për ulje dënimi në masën ¼ e saj përjashtohen personat e dënuar për vepra penale të krimeve kundër njerëzimit, të cilat konsiderohen si vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Plotësimi i kritereve, pushohen hetimet për veprat penale para 31 gushtit 2012

Ligji “Për amnistinë” parashikon që të pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat, si dhe për kallëzimet që ndodhin në këto organe dhe në organet e rendit publik për veprat penale të kryera deri në datën 31 gusht të vitit 2012, për të cilat, Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet apo një dënim më të lehtë. Parashikimi i datës 31 gusht 2012 lidhet me nxjerrjen e projektligjit për konsultim të jashtëm dhe është parashikuar për të parandaluar që gjatë periudhës së diskutimit të kësaj iniciative, rastet e kryerjes së veprave penale të lehta që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale, sipas këtij projektligji.

Mosplotësimi i kritereve, kush përjashtohet dhe kujt i ulet dënimi

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se të gjithë të dënuarve që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti sipas paragrafit 1 të këtij neni, u zbritet ¼ e dënimit të mbetur, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji. Në rastin e personave përsëritës, të dënuar për të njëjtën vepër penale, nuk zbatohet zbritja sipas këtij paragrafi. Neni 4 i ligjit përcakton kriterin parandalues për përfitimin e amnistisë, ku përjashtohen personat e dënuar për krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës të kryera me dashje, vrasje e mbetur në tentativë, vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, krime seksuale, vepra kundër lirisë së personit, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, vepra me qëllime terroriste, krime kundër autoritetit të shtetit, veprat penale kundër drejtësisë, veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, vepra të cilat janë të parashikuara në Kodin Penal. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.

Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti sipas këtij ligji:

* Personat e dënuar me burgim deri në dy vjet, për dënime të dhëna deri në datën 30 shtator 2012, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

* Personat e dënuar ndaj të cilëve gjykata me vendim të formës së prerë, ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

* Personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

* Personat e dënuar me burgim, të cilëve në datën 28 nëntor 2012, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 1 vit, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

* Të dënuarat femra që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

* Të dënuarit meshkuj, që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji;

* Të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 79, 101, 139, 140 e 141 të Kodit Penal.

Detaje

220 të dënuar përfitojnë lirim nga burgjet, pasi përfitojnë kriteret për amnisti

160 të dënuarve u zbritet 1/4 e dënimit, pasi përfitojnë nga amnistia, pasi nuk plotësojnë kriteret për lirim

1 mijë të dënuar përfitojnë nga amnistia, pasi janë duke u monitoruar nga Shërbimi i Provës

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency