Siguria 700 policë në gatishmëri për garantimin e rendit në festime

0
219

Elton Qyno

Policia e Tiranës bllokon qarkullimin në 10 rrugë. Garda dhe SHISH kalojnë në gjendje gatishmërie


Festimi i 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,ka vënë në gatishmëri forcat e policisë së Tiranës dhe Gardës së Republikës, të cilat janë ndërmarrë një plan masash për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë publike, në rrugët dhe sheshet ku do të zhvillohen festime zyrtare por jo vetëm. Në shërbim të këtij plani, mësohet se janë vënë në gatishmëri rreth 700 efektivë të policisë së Tiranës, të cilët do të qëndrojnë në rrugët e kryeqytetit për të shmangur çdo incident të mundshëm ndaj zhvillimit të festimeve dhe mes grumbujve të njerëzve që do të dalin në rrugët e kryeqytetit. Në mbështetje të 700 efektivave të policisë, janë vënë edhe strukturat e Gardës së Republikës dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, efektivat e të cilit do të jenë në teren, për të parandaluar çdo situatë të pakëndshme në rrugët e Tiranës. Për shkak të zhvillimit edhe të paradës ushtarake në Tiranë do të bllokohet qarkullimi në rreth 10 segmente rrugore, duke filluar nga ora 10:00 deri në 18:00. Nisur nga kjo situatë, Drejtoria e Policisë së Tiranës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve, që ditën e sotme të qarkullojnë në këmbë dhe të shmangin përdorimin e makinave.

SHISH dhe Garda në operacion

Në kushtet e një feste të tillë, ku do të marrin pjesë dhjetëra personalitete të vendit, por edhe të shteteve të tjera të huaja, në planin operacional janë përfshirë dhe institucionet si Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Garda e Republikës. Efektivë të këtyre dy institucioneve që numri i tyre shkon në më shumë se 400 persona, do të angazhohen duke dalë në teren për mbledhjen e informacioneve dhe evidentimin e personave me precedentë kriminalë dhe tendenca për të ndërmarrë akte kriminale ndaj personaliteteve por edhe qytetarëve të thjeshtë që do dalin në rrogë ditën e sotme për të festuar. Shumë rrugë, që lidhen me sheshin “Skënderbej”, por edhe me bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të mbahen të bllokuara, thuajse për gjatë gjithë ditës së sotme me qëllim, zhvillimin e festimeve. Bllokimi do të kryhet nga strukturat e policisë por edhe të Gardës së Republikës, e cila ka me ligj garantimin e sigurisë publike të personaliteteve diplomatike.

Në vëzhgim problematikët

Për të shmangur çdo incident të vogël, policia e Tiranës, nëpërmjet strukturave të saj, do të mbajë gjatë ditës së sotme në vëzhgim të gjithë personat që rezultojnë të jenë kontigjent kriminal dhe me prirje vjedhjen e personave të tjerë. Nisur nga kjo situatë agjentë civilë do të qëndrojnë në gatishmëri në rrugët e Tiranës, për të mbajtur në vëzhgim këtë lloj kategori personash, ndërkohë që shërbime të policisë rrugore do të qëndrojnë vetën në kryqëzimet e rrugëve duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve. Duket se këto masa, por në nivel më të zbutur do të qëndrojnë edhe në ditën e 29 nëntorit të çlirimit të vendit nga ushtritë nazifashiste. Për shkak të festave, i gjithë personeli i ministrisë së Brendshme, ka kaluar në gatishmëri të plotë me qëllim garantimin e sigurisë dhe rendin gjatë orëve të festimeve.

Rrugët ku s’lejohet lëvizja

  • Nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja automjeteve nga sheshi “Rilindja” deri tek sheshi “Skënderbej”.
  • Do të bëhet bllokimi e lëvizjes së mjeteve dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në segmentin rrugor të rrugës “Bardhok Biba”.
  • Do të bëhet bllokimi e lëvizjes së mjeteve dhe nuk do të lejohet parkimi i tyre në segmentin rrugor të rrugës “Urani Pano”.
  • Do të bëhet bllokimi e lëvizjes së mjeteve në segmentin rrugor nga kryqëzimi i rrugës “Barrikada” me rrugën “Dibrës, deri tek sheshi “Skënderbej”.
  •  Do të bllokohet lëvizja e mjeteve në segmentin rrugor nga Kryqëzimi i rrugës “Luigj Gurakuqi” me Rrugën e Barrikadave (tek kryqëzimi i 9-katsheve), deri tek sheshi “Skënderbej”.
  • Do të bllokohet lëvizja e automjeteve në segmentin rrugor kryqëzimi i bulevardit “Zogu i Parë” me rrugën “Fortuzi” deri tek sheshi “Skënderbej”.
  • Do të bllokohet segmenti rrugor nga kryqëzimi i Bulevardit “Dëshmorët e Kombit’ me Ministrinë e Mbrojtjes deri në sheshin “Skënderbej”.
  • Po ashtu do të bllokohet segmenti rrugor nga kryqëzimi i rrugës së “Kavajës” me rrugën “Kont Urani” deri në sheshin “Skënderbej”.
  • Do të ketë kufizime të lëvizjes së automjeteve përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

 

Mbipopullohen hotelet në Vlorë, vizitorët

strehohen në banesat e qytetarëve vlonjatë

Festimet e 100-vjetorit të pavarësisë kanë nisur disa ditë më parë në Vlorë, por dita e sotme është ajo ku festimet do të kulmojnë, duke organizuar në maksimum. Në drejtim të qytetin bregdetar kanë udhëtuar mijëra persona nga Kosova dhe shumë treva të tjera të Shqipërisë, por dhe nga shtete të tjera të botës, me qëllimin e vetëm për të qenë pjesë e festimeve në qytetin e Flamurit. Për shkak të numrit të madh të qytetarëve, të gjithë hotelet në Vlorë, kanë qenë të plotësuar dhe se duke mos gjetur vende në hotele, qytetarët e Vlorës kanë hapur dyert e shtëpive për të pritur vizitorët nga Kosova. Duke qenë se Vlora është mbimpopulluar, policia e këtij qyteti ka kaluar në gjendje gatishmëri me të gjitha strukturat e saj të rendit. Për ti hapur rrugë festimeve që do të kryhen ditën e sotme, janë marrë masa të rrepta sigurie. Gjithashtu të gjitha shërbimet e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë kanë kaluar në shërbim të përforcuar me forca policore shtesë deri në përfundim të aktiviteteve festive për 100-vjetorin të pavarësisë, për të garantuar siguri të plotë për zhvillimin e aktiviteteve. Gjithashtu në rrugën transballkanike kanë filluar të parkohen të gjithë autobusët e ardhur nga qytete të tjera të vendit dhe jashtë, parkime të cilat ruhen nga shërbime policore. I bëjmë thirrje dhe kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët që këto ditë të kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur qarkullimin me automjete. Drejtoria e Policisë qarku Vlorë fton gjithashtu të gjithë vizitorët që të shfrytëzojnë dhe të parkohen në 4 parkimet e mëdha të përcaktuara në qytet me qëllim që të shmanget në maksimum bllokimi i qarkullimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency