Ndeshja e pavarësisë Shqipëri – BE fton të hënën të gjithë shqiptarët

0
571

Rudina Hoxha

Sot në 18:30, diplomatët “kundër” skuadrës së shqiptarëve, 2 ditë para festës së 100-vjetorit

 

Java më e rëndësishme e 2012-ës për shqiptarët – Java e Pavarësisë – do të çelet me nismën ekskluzive të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Ettore Sequi, i cili është ideuesi i ndeshjes së pavarësisë që do të luhet ditën e hënë në stadiumin “Qemal Stafa” në orën 18:30 midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Të gjithë shqiptarët janë të ftuar të ndajnë këto emocione të forta që t’i fal vetëm sporti. Të paduruarit mund të shijojnë diçka nga ky spot http://youtu.be/TG8oTaAqE58

Stadiumi ynë legjendar, që për koincidencë shihet nga lart nga zyrat e Delegacionit të Bashkimit Evropian, do të jehojë frymën e bashkimit dhe të solidaritetit në këtë prag të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Tek e fundit kjo është edhe ideja mbrapa këtij aktiviteti të kuruar me kujdes nga ambasadori Sequi dhe me mbështetjen e Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë. Jo pa qëllim, ambasadori ka zgjedhur futbollin. Jo vetëm se ai është sporti më popullor në Evropë, por edhe sepse ai është gjithëpërfshirës. Politikanë të kampeve të ndryshme do t’i pasojnë topin njëri-tjetrit; ata do të komunikojnë për një qëllim të përbashkët.

Një risi e bukur do të jenë edhe fanellat e lojtarëve. Fusha e stadiumit do të zbukurohet nga lojtarët e dy skuadrave të cilët do të veshin uniforma të dizenjuara plot me krijimtari nga Bashkimi Evropian. Sidomos ato të skuadrës shqiptare, siç edhe pritej: sfondi i kuq flakë, ndërkohë që luhet me kokën dhe pjesë të trupit të shqiponjës.

Ambasadori Sequi, ndër të paktët diplomatë që tashmë ka treguar se di të luajë vërtet mirë në fushën e blertë, do të jetë kapiteni i skuadrës së BE-së, ndërsa skuadra e Shqipërisë do të drejtohet nga futbollisti i talentuar Erion Bogdani.

Kjo ndeshje miqësore do të sjellë së bashku diplomatë, politikanë, përfaqësues të medias e të artit si për të na vërtetuar edhe një herë se sporti bën atë që politika shpesh dështon ta bëjë me kryeneçësinë e saj.

Mes emrave pjesëmarrës janë nga politika: Bashkim Fino, Eduart Shalsi, Besnik Bare, Ditmir Bushati, Sokol Olldashi, Gent Strazimiri, Gazmend Oketa; nga mediat: Aleksandër Çipa, Bledar Zaganjori, Mero Baze, Mustafa Nano, Armand Mero, Patrik Sadikaj, Alfred Peza, Endri Xhafo; nga sporti: Alban Bushi, Ardian Cani, Redi Jupi, Helton Shkurti, Ervin Skela, Blendi Nallbani dhe Foto Strakosha; nga kultura, muzika e arti: Alban Skënderaj, Kristaq Skrami, Florjan Binaj, Julian Deda, Besjan Kallaku, Gazment Paja e të tjerë.

Ndërsa trajnerë do të jenë Astrit Hafizi dhe Giani de Biasi përkatësisht për skuadrën shqiptare dhe atë të BE-së.

Duket qartë se është simbolika e kësaj ndeshjeje – Shqipëria dhe Evropa nuk janë larg dhe se të shkosh në Evropë duhet angazhim nga çdo aktor – që e bëri ambasadorin Sequi të vazhdonte traditën e kësaj nisme që për herë të parë rezultoi shumë e suksesshme majin e kaluar në kuadrin e Muajit Evropian.

Të gjithë e mbajmë mend këtë ndeshje plot emocione, të luajtur më 31 maj 2012, që u mbyll me fitoren e skuadrës së Shqipërisë. Ndeshja u mbyll 2 me 2 dhe më pas ishin penalltitë që vulosën fitoren e skuadrës sonë. Ishte ky rast që tregoi se futbolli heq çdo barrierë. Mbas ndeshjes, të gjithë sa morën pjesë në të si futbollistët ashtu edhe spektatorët u argëtuan mjaft dhe shprehën dëshirën për të parë ndeshje të tjera të ngjashme. Shumëkush pa shumë diplomatë e politikanë të zbulonin talentin e tyre të fshehur – atë të gjuajtjes së topit si futbollistë të vërtetë dhe ne nuk e dinim që ata dinin të luanin aq bukur.

Të gjithë dëshiruam që një trofe i tillë, i fituar nga skuadra shqiptare, të kthehej në një traditë që, me sa duket, ambasadori Sequi e vuri në jetë. Tek e fundit kjo ndeshje do të jetë një hap tjetër i Shqipërisë drejt hyrjes në BE. Ajo do të tregojë edhe një herë se Shqipëria nuk është larg nga Evropa, ne e jetojmë atë në jetën tonë të përditshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency