Shans i humbur apo i djegur?

0
830

Xhevat Mustafa 

Parë dhe analizuar nga dëmet dhe rrjedhojat politike, ekonomike dhe financiare, të tanishme dhe të mëvonshme, përcaktimi “humbje e shansit” duket dhe del shumë larg së vërtetës. Më i saktë, më i drejtë dhe më i pranueshëm do të ishte termi “djegie”. Meqenëse njihen edhe raste vetëdjegiesh nga temperaturat e larta të motit apo nga qarqe të shkurtra në rrjetet elektrike, shumë më pranë së vërtetës do të ishte djegie e qëllimshme.

 

Kaloi edhe data 20 nëntor dhe tri ligjet që duheshin miratuar me konsensus mes pozitës dhe opozitës, si kusht apo si detyrim për të marrë në dhjetor Shqipëria statusin e vendit kandidat në BE, mbetën përsëri nëpër dosje. Formalisht, si peng i kolltukut të kryetarit të qarkut të Fierit, ndërsa në të vërtetë, të strategjive dhe interesave ngushtësisht partiake, pa përjashtuar edhe jashtëshqiptare. Kështu, këto tre ligje u lanë apo u shtynë për t’u miratuar atëherë kur t’u mbushet mendja Edi Ramës dhe Gramoz Rucit me shokë e shoqe, ose thënë shqip, atëherë kur nuk i shërben aq sa sot aspiratës mbarëqytetare dhe mbarëkombëtare për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për një hap tjetër të rëndësishëm drejt integrimit të plotë në BE. Duke qenë tashmë të mësuar me bojkote, bllokime dhe shtyrje votimesh dhe miratimesh me muaj dhe vite të një ligji apo pakete ligjesh nga ana e opozitës, me humbje dhe djegie shansesh të na dhuruar nga BE-ja dhe SHBA, shumëkush nga qytetarët e ka përjetuar pa befasi këtë akt të ri papërgjegjshmërie politike dhe kombëtare nga lideri i PS-së, Edi Rama.

Ashtu si prej vitesh, pas bojkotit të radhës, opozita do të vazhdojë fushatën e justifikimeve dhe e lojës së kungulleshkave për përgjegjësinë dhe fajin, duke u përpjekur t’ia lënë kopilin në derë Sali Berishës dhe pozitës në tërësi, si koalicion qeverisës. Kjo, nga ana e saj, ia kthen pa e lënë të prekë pragun.

Nga shumëkush prej qytetarëve dhe ndërkombëtarëve nuk është e vështirë për t’u kuptuar se cilët janë autorët, fajtorët, shkaktarët, përgjegjësit e humbjes edhe të shansit të tretë, të mos marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE, në mes-dhjetor të këtij viti. Kjo sepse ata as nuk janë kujdesur të mos lënë gjurmë dhe as e kanë çuar në mendje të vështrojnë pas. Edhe pse ky vit kishte edhe një simbolikë tjetër të madhe mbarëkombëtare, qenien vit i jubileut të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, refuzuesit apo bojkotuesit profesionistë nuk e vranë dhe ndryshuan mendjen. Refuzimi i konsensusit për miratimin e tre ligjeve apo për përmbushjen e tre kushteve të fundit të BE-së si dhe mbledhja e kryesisë së PS-së, më 20 dhjetor, e shndërruar në një gjyq inkuizicioni kundër Arben Malajt, dëshmojnë se për Edi Ramën dhe ata që i mbajnë iso, kolltuku i kryetarit të PS-së dhe i kryetarit të qarkut të Fierit vlen më shumë se sa statusi i vendit kandidat në BE, të paktën me rreth 80 milionë euro përfitim vjetor për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, qofshin demokratë apo socialistë. Mbështetur edhe në deklarimet e këtyre ditëve të Kastriot Islamit dhe të Arben Malajt, personalitete gjenetike dhe përfaqësues të denjë të PS-së dhe jo mish i huaj si kryetari i saj, qarku i Fierit ishte një sebep apo fije kashte, sa për t’u kapur Edi Rama si dhe një dëshmi tjetër e kundërvënies së tij të motshme dhe konsekuente ndaj aleancave strategjike të Shqipërisë me NATO-n, BE-në dhe me SHBA-në si dhe ndaj proceseve integruese të vendit.

Parë dhe analizuar nga dëmet dhe rrjedhojat politike, ekonomike dhe financiare të tanishme dhe të mëvonshme përcaktimi “humbje e shansit” duket dhe del shumë larg së vërtetës. Më i saktë, më i drejtë dhe më i pranueshëm do të ishte termi “djegie”. Meqenëse njihen edhe raste vetëdjegiesh nga temperaturat e larta të motit apo nga qarqe të shkurtra në rrjetet elektrike, shumë më pranë së vërtetës do të ishte djegie e qëllimshme. Le të bëjmë një argumentim të shkurtër. Humbja shpreh një akt pakujdesie, pavëmendjeje apo pavetëdijeje. Gjithashtu, humbja nënkupton edhe qenien viktimë e një vjedhjeje. Kurse nocioni dhe akti djegie, pa përjashtuar edhe rastësinë apo një shkaktar natyror, shpreh më shumë një veprim të ndërgjegjshëm njerëzor. Edhe kundërshtimi i konsensusit për të miratuar tri ligjet e fundit për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, parë nga të gjitha anët, është më shumë djegie e shansit të tretë, që na u dha nga BE-ja se sa humbje e tij. Edi Rama nuk mund të gjejë asnjë alibi. Ai nuk i ka as xhepat dhe as çantat e shpuara, aq sa t’i binin pa u ndjerë dhe pa u parë, dosjet e këtyre tri ligjeve. Prej rreth 12 vjetësh ai nuk ka udhëtuar asnjëherë në autobusët e linjave publike. Gjithashtu, deputetët e tij i kanë pasur dosjet e tre ligjeve prej muajsh mbi tavolinat e tyre respektive në sallën e kuvendit. Ua kanë kujtuar vazhdimisht edhe mediat shqiptare si dhe miqtë ndërkombëtarë, më së afërmi Hillary Clinton, Cecilia Malstrom, Stefan Fule, Hanes Svoboda, Eduard Kukan dhe gati çdo ditë, në Tiranë, Alexander Arvizu, Ettore Sequi dhe Eugen Wollfarth. Pra, harresa dhe humbja nga pakujdesia duhet të përjashtohen nga analiza e masës së përgjegjësisë dhe e ndëshkimit moral. Kështu që mbetet vetëm… djegia e qëllimshme, e paramenduar dhe e parallogaritur.

Nëse do ta quajmë djegie, janë të freskët rastet e ditëve me temperatura përvëluese të verës së këtij viti, kur u arrestuan disa fshatarë, si autorë të zjarrvënieve të qëllimshme në pyje, për të përfituar sipërfaqe kullotash. Vërtetë zjarri i Edi Ramës nuk ka flakë, tym dhe shkrumb, por, në fund të fundit, djeg një shans dhe interes popullor dhe kombëtar. Por, edhe në qoftë se do të binim në konsensus ta cilësonim dhe pranonim si humbje, parë nga çdo anë, del qysh sot, në të ardhmen edhe më shumë, se ka humbur rëndë Shqipëria dhe kombi. Edi Rama, të paktën deri në qershor 2013, ka shumë gjasa të jetë i zënë me llogaritjen dhe vjeljen e përfitimeve të tij personale dhe klanore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency