Sonja Caka
Afati i fundit për ankesa për personat e përjashtuar nga konkurrimi deri më 5 dhjetor, më 7 dhjetor publikohet lista përfundimtare. Ministria e Drejtësisë publikon procedurat, publikon datën për konkurrim dhe vendin, si dhe shpall listën e të përzgjedhurave për konkurrim për disa gjuhë të huaja
Ministria e Drejtësisë ka publikuar procedurat për konkurrim për përkthyes të licencuar për disa gjuhë të huaja, ndërsa ka shpallur edhe listën e të përjashtuarave nga ky konkurrim për mungesë dokumentacioni apo përvoje në përkthim. Gjithashtu, ky institucion ka përcaktuar datën, orën dhe vendin e konkurrimit, si dhe personat që janë përzgjedhur për të vijuar konkurrimin dhe ata që janë zgjedhur përkthyes pa pasur nevojën e një konkurrimi. Ministria bën me dije se konkurrimi për përzgjedhjen e përkthyesve të jashtëm të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2013 do të zhvillohet në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë më datë 10 dhjetor ora 10:00 në ambientet e këtij institucioni. Por, deri më datë 5 dhjetor, personat e përjashtuar kanë të gjitha mundësitë për të paraqitur ankesat dhe nëse do dinë t’i arsyetojnë ato, kanë mundësi që më datë 7 dhjetor të kenë mundësinë të përfshihen në listën përfundimtare. Dokumentet e nevojshme për t’u pranuar në konkurrim duhet të jenë origjinale ose kopje të noterizuara. Tarifa e provimit do të jetë në vlerën 5000 (pesë mijë) lekë. Kandidati bën pagimin e shumës përpara dorëzimit të dokumentacionit të aplikimit, në numrin e llogarisë bankare 0104030780 të Ministrisë së Drejtësisë, Dega e Thesarit Tiranë, Raiffeisen Bank. Një kopje të mandatit të pagesës kandidati e depoziton së bashku me dokumentacionin e aplikimit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Mandat pagesa tërhiqet pranë Sektorit të Financës në Ministrinë e Drejtësisë.
Përzgjedhja
Përzgjedhja kualifikuese e kandidatëve për konkurrim për çdo gjuhë do të kryhet nga Komisioni i Seleksionimit i përcaktuar me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, mbështetur në kriteret e përcaktuara në piken 9 të udhëzimit nr. 3165, datë 12.5.2004 (i ndryshuar). Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe përgatitjes së listave të kandidatëve që plotësojnë ose jo kriteret për të qenë përkthyes të jashtëm për çdo gjuhë të kërkuar, Komisioni i Seleksionimit duhet t’i përcjellë Sekretarit të Përgjithshëm për të shpallur në mjediset e MD-së listat përkatëse. Kandidatët që pretendojnë se plotësojnë kriteret kualifikuese për konkurrim kanë të drejtën e ankimit pranë Komisionit të Verifikimit, duke paraqitur motivet dhe dokumentet përkatëse, jo më vonë se data 5.12.2012, ora 16:00. Komisioni i Verifikimit shqyrton ankesën dhe merr vendim të arsyetuar lidhur me to. Pas shqyrtimit të të gjitha ankimeve, brenda datës 7.12.2012, Sekretari i Përgjithshëm miraton listën përfundimtare të kandidatëve që kualifikohen për të marrë pjesë në konkurrim, e cila publikohet në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe në faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Drejtësisë. Kandidatët e kualifikuar për pjesëmarrje në provim, të paraqiten në Ministrinë e Drejtësisë me dokument identiteti (kartë identiteti ose pasaportë të vlefshme). Nuk lejohet hyrja e kandidatit në sallën e provimit, kur kandidati mban çantë, dosje, mjete elektronike ose telefonike. Kandidati hyn në sallën e provimit vetëm me dokumentin e identitetit. Çdo material tjetër, lihet në ruajtje në një mjedis të posaçëm në Ministrinë e Drejtësisë, nga punonjësit me uniformë. Sendet e lëna në ruajtje i kthehen kandidatit menjëherë pas përfundimit të provimit, pas verifikimit nga ana e tij të rregullsisë së sendeve të lëna në ruajtje.
Përkthyesit
Rezultatet e provimit afishohen brenda 3 ditëve nga zhvillimi i provimit, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, për të paktën 24 orë. Lista vjetore e përkthyesve të autorizuar për përkthimin e dokumentacionit zyrtar në Republikën e Shqipërisë, si dhe për përkthimin verbal në konferencat zyrtare gjatë vitit 2013, i dorëzohet Ministrit të Drejtësisë për miratim më datë 15 dhjetor, pra 5 ditë pas përfundimit të konkursit, dhe do t’u përcillet institucioneve qendrore dhe atyre vendore brenda datës 09 janar 2013. Qytetarët shqiptarë duhet t’u drejtohen vetëm këtyre përkthyesve të miratuar nga Ministria e Drejtësisë, për çdo përkthim të dokumenteve që u duhen për brenda apo jashtë vendit.
Dokumentet
a. Formulari i Aplikimit (për plotësim pranë MD-së),
b. Curriculum Vitae (CV),
c. Pasaportë ose kartë identiteti,
d. Raport mjekësor (i aftë për të punuar)
e. Diplomë dhe listë notash,
f. Dëshmi mbi provimin e gjuhës përkatëse
g. Librezë pune,
h. Referencë/rekomandim nga punëdhënësi i mëparshëm apo aktual,
1. Dëshmi mbi njohjen e programeve bazë të kompjuterit.
J. Formulari i vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore (për plotësim pranë MD-së)
k. Faturën bankare, e cila vërteton parapagimin e tarifës
Vlerësimi maksimal në pikë, sipas kritereve
A.
a) njohuritë e gjuhës së huaj (me shkrim) 30 pikë
b) njohuritë e gjuhës shqipe (me shkrim) 30 pikë
c) njohuritë bazë juridike (me shkrim) 10 pikë
B.
d) përvoja e punës në përkthim mbi 5 vjet 14 pikë
e) secili nga 4 kriteret e veçanta 4 pikë, të parashikuar në pikën 9 të udhëzimit nr. 3165, datë 12.5.2004, (i ndryshuar)