Serbë ndryshe!

0
172

Ismail Kadare

ismail-kadare (2)ARRI (Rayonnement Français Realites Internationales) më ka ftuar me këmbëngulje në një tryezë të rrumbullakët, organizuar prej tij, me temën: “Të jesh shqiptar, të jesh serb… e të bësh dialog”.

Më duhet pra të bisedoj me një shkrimtar serb, për atë çka ndodh sot në Ballkan, në sytë e publikut francez. Shkrimtari serb, Vidosav Stevanoviç është i njohur. Kam përshtypjen se diku jam takuar me të, po s’jam i sigurt.

Tryeza zhvillohet në Avenynë e Observatorit, përbri Kopshtit te Luksemburgut, në orën 5 mbasdite. Meqenëse është fare pranë shtëpisë sime, nisemi në këmbë, të dy me Elenën, një çerek ore përpara pesës.

Ndonëse mbërrijmë para kohe, salla është ndërkaq plot. Dhe jo vetëm kaq, në tryezë ka zënë vend shkrimtari serb bashkë me përkthyesen si dhe gjallëruesi i debatit, Laurand Kovacs, nëndrejtor në Inalco. Të gjithë kanë qenë ne pritje, dhe aty për aty ndiej se ka qenë krijuar një dramacitet artificial. Mund te thuhet se kjo gjithashtu bën pjesë ne stilin e gjithçkaje që ka të bëjë me Kosovën. Vetë tryeza e rrumbullakët është mjaft kurioze duke nisur nga vetë emërtimi i debatit. Ky emërtim ka patur brenda dyshimin se a mund te dialogojnë dy shkrimtarë ballkanas? Pas këtij dyshimi të parë ka ardhur tjetri, e sikur të mos duan? Sikur njeri prej tyre të mos vijë vallë? Sikur të mos vijnë të dy?

Për publikun kjo është sidoqoftë tërheqëse.

Ndërsa eci drejt podiumit e ndiej se duhet sqaruar sidoqoftë publiku se nuk ka patur kurrfarë mëdyshje për të marrë pjesë në këtë dialog.

E meqenëse nganjëherë gjestet janë më të qarta se fjalët, kur mbërrij te tryeza, u tregoj të tjerëve orën, që ende nuk ka shkuar pesë.

Kovacs sqaron se në të vërtetë tryeza fillon në pesë dhe se ata kanë zënë vend para kohe në të.

Ai na paraqet të dyve, pastaj ma jep fjalën mua. Them se jam i gëzuar që me jepet rasti të bisedoj lirshëm me një kolegun tim serb për dramën e sotme ballkanase.

Në të vërtetë është ashtu. Shtoj se nuk është hera e parë që më ndodhte kjo me shkrimtarë jugosllavë. Përmend Ivan Gjuriçin, që e kam njohur këtu në Paris dhe mikun tim Danillo Kishin, që e kujtojnë të gjithë me mallëngjim.

-Këta kanë qenë gjithashtu miqte e mi,- ndërhyn Stevanoviçi.

Të kesh qenë mik me Kishin dhe Gjuriçin, është shenjë e mirë.

Tryeza nis kështu me klimë të përzemërt. Ajo vazhdon te jetë e tillë edhe kur vjen fjala te thelbi dramatik i çështjes: Lufta në Kosovë.

E them qartë pikëpamjen time. Vidosav Stevanoviç, gjithashtu. Si rrallëherë ndonjë serb ai dënon pa asnjë rezervë jo vetëm diktatorin Millosheviç, por gjithë krimet serbe në Kosovë. Ndryshe nga shumë kinse opozitarë, ai nuk spekulon me bombardimet e NATO-s.

Ky takim që nisi me një trysni te ngucur artificialisht, ka rrezik të përfundojë në një idil rozë. Ndaj për të prishur idilin, i bëj një pyetje kolegut serb lidhur me nacionalizmin shqiptar.

-Më thoni sinqerisht, Vidosav, a ju bezdis nacionalizmi shqiptar dhe në qoftë se është kështu, çfarë ju bezdis konkretisht në të?

Ai u mendua një hop, pastaj u përgjigj:

-Unë e njoh nacionalizmin shqiptar, po ai mua nuk më bezdis. Mua më bezdis nacionalizmi serb.

E njoh mirë parapëlqimin e francezeve për përplasje mendimesh të kundërta, ndaj për të shmangur shijen e keqe të një mirëkuptimi të tepruar i kujtoj sallës cështjen e Shqipërisë së madhe dhe të “miteve nacionaliste shqiptare” që përmenden shpesh në shtyp, madje i kujtoj se shpesh të dy nacionalizmat vihen në një plan, një prolog i zakonshëm ky për të vënë pastaj në një plan: xhelatët dhe viktimat.

Prejardhja ilire e shqiptarëve, zanafilla e shqipeve prej ilirishtes dhe legjenda e Skënderbeut janë tre macet e zeza që tmerrojnë paqeruajtësit kulturore te Ballkanit. Përsëris mendimin tim të njohur, se edhe sikur këto të jenë tre përralla të çmendura të shqiptarëve, ato s’janë të dëmshme për askënd. Shtoj se të tria janë zbulime të Evropës dhe nëse në Shqipëri ka tre ose katër libra për Skënderbeun, në Evrope ka 300 ose 400. E po kështu qëndron puna me sheshet dhe rrugët dhe me shtatoret e portretet.

Vidosav Stevanoviç tund kryet në shenjë pohimi.

Kur takimi mbaroi, i pari që më përgëzon për paqen është Jacques Rupnik, një nga ekspertët më të njohur të Ballkanit të sotëm. Shtypi e pastron takimin me tone dashamirëse. Pra, mund të jesh shqiptar, mund të jesh serb e mund të diskutosh.

Fatkeqësisht, Vidosav Stevanoviç është shpallur tradhtar i serbëve pikërisht se ka një mendje të lirë. Tani për tani atje sundon e kundërta: mendja barbare.

Shkëputur nga “Ra ky mort e u pamë”, 22 qershor 1999

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency