Një grua me të verdha

0
379

Vath Koreshi

 

Fragment nga romani “Një grua me të verdha” i shkrimtarit Vath Koreshi, botuar pak kohë para se të ndahej nga jeta, në vitin 2003, botimet “Onufri”. Duke hyrë në qelizë të familjes, Koreshi në këtë roman gjen hapësirën bashkëkohore të patrajtuar në këta 20 vjet, plagë që ende mbahen “të fshehura” brenda një dëshmie reale, duke shkruar me gjuhën e shqetësimeve të kohës

 

 

wcIshte ndaj të gdhirë, kur më doli gjumi dhe, tek më kishte dalë gjumi, përmes një heshtjeje drobitëse m’u kujtuan fjalët e Axhun Baja Mitës. Ditkam të jem edhe luçid! M’u qesh me Abamin dhe më erdhi keq që nuk i kisha kthyer ndonjë përgjigje. Po fusha e asaj që përshkon dhe paracakton? Ne duhet të dimë të lexojmë, të kuptojmë. Dalja e gjumit në atë orë do të thotë se duhet të jemi zgjuar, për të dëgjuar kumtet që na vijnë nga largësi të mistershme. Edhe atë frazë “gjej një grua veshur me të verdha “ në një kohë si kjo, të agullimit, e kisha dëgjuar. Kështu që, tashmë, fill si më del gjumi, nis e dëgjoj këngën e gjelave. Nuk është këngë ajo, nuk është kikërimë shpendësh, por diçka tjetër. Nga ajo kikërimë na vijnë paralajmërime, shumë ndjellafate. Nuk është këngë ajo, nuk është kikërimë shpendësh, por diçka tjetër. Nga ajo kikikërimë na vijnë paralajmërimë, shumë ndjellafate. Nuk është një kikikërimë, prej gjelash, por një nakatë që rrëfen për enigmat. “Ah, moj ime motër, lërë proçedimentin!”, i drejtohem Abamit në atë heshtje mugullore”.Përse kujton se është bërë kjo qetëi në këtë çast të natës? Sepse ka një rend. Është kjo heshtje tejet e shurdhët, ngaqë vjen çasti dhe hapen qiejt e zbresin rrëfimet, të pashprehshmet. Na vijnë në formën e një kori gjasmegjelash, por, në të vërtetë, është një nomatisje mbi të fshehtat. Për këtë vërtetë, është një ajo nomatisje, gjithçka tretet pas zërit të murgjve, domethënë pas zërit time dhe zërit të oshanarëve, që janë si nja pesë a gjashtë.

Kënga e gjelave, i them Abamit, na kujton se rruga e tyre, ashtu si e zogjve të qiellit, është vështirë të kuptohet.

 

***

Vë veshin të dëgjoj e të kuptoj, por sa nis të përqendrohem, një gjë tjetër bëhet zotëruese. Është një krimb! Një qenie që bluan me dhëmëbt e imët, diku nëpër boshin e dhomës sime. Është një bluarje prej insekti që prish e shkatërron gjithçka. Është e përhershme, në çdo agullimdite. Është gjithmonë kështu. Sapo nis e shfaqen shenjat se vjen agu dhe sapo bëhem gati të kuptoj kumtet, krimbi zë e bren. Bren letra. Bren paepur, egërsisht, këmbëngulës, deri në tmerr! Bren në raftet e bibliotekës, prapa kamallatave. Ka ditë që nuk e vë re ose bëj sikur nuk vë re, ka ditë që e pranoj ose bëj sikur e pranoj si një gjë të natyrshme në atë masë dërrasash të thirrur bibliotekë. Ai bluan pa ndërprerje dhe përgjatë gjithë kohës, i strukur mes ca radhorëve, në të ndarën e epërme me kanata të lyera me një bojë arre si të pluhurosura. Kuptohet, çdo të bëjë tjetër një krimb në një ambient të tillë? i dorëzuar nga pafuqia që t’i bëj ballë, marr pozën e indiferent, por indiferenca është e shtirur. Ajo nuk më hyn në punë kurrsesi dhe ndjej që qetësia ime është krejt artificiale. Ajo indiferencë është e padobishme në ditë si kjo kur, jo vetëm që më ka hyrë në mënyrë aq brutale në mendimet e mia ajo brejtje krimbi, por edhe më bën të më fanitet një frikë se diçka shumë të rëndësishme zhdukin dhëmbët e pamëshirshëm të tij! Diçka që ende s’e kam zbuluar mes radhorëve të vjetër, ndonjë gjë që përbën një humbje, të cilën s’do të kemi mundësi ta riparojmë më.

 

***

Me ankthin që më mbërthen, dua të bëj diçka, por nuk gjej se çfarë, në mënyrë që t’i shpëtoj asaj mokrre, e cila bren e bren vazhdimisht. Atëherë them me vete gjënë më absurde: brejtjen e krimbit mund ta ndaloj me anë të errësimit. Me anë të një terratimi sa më të plotë të dhomës, mbasi nuk ka ndodhur ta dëgjoj nëpër natë të brejë atë kafshëzë ashtu. E kam dëgjuar vetëm mëngjeseve dhe sidomos ditëve, kur drita është më e fortë. Rrotullophem nga ana e dritares dhe vërej se perdet, teksa kam kujtuar se ishin plotësisht të mbyllura e plotësisht të puthitur, lejojnë të depërtojnë gjurmë drite, që vijnë nga jashtë (sido që të grijta, për shkak të mëngjesit të vrenjtur vjeshtor, që trishton matanë xhamave). Krimbi i ndjen lëvizjet që bëj dhe nuk gërcëlin për disa çaste, por pastaj, kokëshkëmb e i pagdhendur, ia nis sërish gër e gërr dhe e gjitha kjo të duket se bëhet sipas një riti dhe sipas një destini të përcaktuar. Atëhere them se asht duhet, diçka të zhduket dhe zhduket përditë diçka tjetër. Çfarë? Çfarë shfaqet prapa asaj që ikën, pas asaj që brejnë dhëmbët e një krimbi? Cilës gjëje i është sulur ai tani, për ta zhdukur përgjithmonë, në mënyrë që të kujtohemi se duhet të lindë ose është duke lindur ajo gjëja tjetër? Çfarë na zgjon, çfarë na ndjell në misteret e lindjevdekjeve dhe vdekjelindjeve? Mbase krimbi pikërisht këtë është duke brejtur, mbase ai po faron pikërisht fletet, ku jepen shumë përgjigje të tilla.

 

***

Ngrihem dhe puthis mirë kanatat dhe perdet e trasha të dritares, në mënyrë që të mos hyjë asnjë grimë drite dhe ta bëj të heshtë e të mos m’i prishë më nervat ai insekt i neveritshëm. Mbasi kam bërë këtë gjë dhe pikërisht kur mendoj se kanatat e dritares i kam ujdisur që të jenë plotësisht të mbyllura dhe perdet plotësisht të puthitura, pra, në çastin që kujtoj se në dhomën time, s’ka si hyn më kurrfarë zhurme dhe kurrfarë drite, pikërisht në atë çast, si një ndër paradokset që s’kanë të sosur, arrin te veshët e mi, fare i qartë, dhe fare i afërt, zëri i ngjirur i një komshiu, i cili thotë, pa e fshehur farë kënaqësinë, se mirë ma kanë bërë që juria s’ma kishte dhënë Çmimin mua.

Dhe, në vargun e këtyre paradokseve, në vend që të më tërheqë vëmendjen ky kumt, të cilin e kisha ditur që më parë, më shfaqet para syve krejt si e gjallë, krejt sikur ta kem aty pranë, fytyra e sime shoqeje. Nuk arrij të kuptoj, nëpër turbullirën që më ka pushtuar, se ç’lidhje ka fytyra e saj me një lajm, të cilin e dija se ishte e tillë? Përse pikërisht mbas këngës së gjelave dhe brejtjeve të krimbit?

 

 

***

Ime shoqe rri përballë e pudrosur dhe me një kozmetike perfekte dhe unë ndjej si më pickon vështrimi i saj. Ka veshur, si enkas, një fustan të hollë, e të ngushtë, që t’i duken mirë format e trupit ende të ri, vështrimin e ka të ftohtë e indiferent, por, në të vërtetë, i digjet së brendshmi nga zjarri i armiqësisë që ka ndaj meje. Ai vështrim sikur më thotë se ‘sma fal kurrë që e kisha lënë familjen dhe atë në gjendje varfërie. Sikur ma thotë hapur se surrati im nuk i kishte pëlqyer për asgjë tjetër atëherë kur u fejuam, përveç asaj që i qe dukur se unë do të bëhesha njeri i madh. Kjo, siç nënkuptohet, do t’u siguronte asaj dhe fëmijëve një jetë dinjitoze. Ah, mallkoj, ku m’u shfaqe tani me këtë fytyrë, me këtë vështrim dhe me këto fjalë gjithë helm? Më del se thelli dallga e një dëshpërimi që mundohem ta ndrydhe ta harroj. Është helmi që kam për fatin e fëmijëve të mi, të cilët, tashmë, kanë një jetë të humbur. Më kishte tmerruar gjithmonë fati i tyre, sa kishte raste që thosha se isha penduar që i kisha bërë. Më kanë tmerruar gjer në ethe sëmundjet që i zinin, plagët që merrnin kur rrëzoheshin, sjelljet dhe përparimi i tyre në shkollë, zënkat me moshatarët, frika nga makinat dhe nga biçikletat, qarjet dhe ankesat, ushqimi, veshjet dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me mirërritjen e tyre dhe që unë kurrë nuk ua kisha siguruar ashtu siç duhet. Përse i kisha bërë, atëherë ato qenie? Apo që të vuanin? Nuk i duroja dot shikimet e tyre, kur u dukej se, duke më parë në mënyrë lutëse, unë do t’u plotësoja kërkesat që kishin. Kurse unë nuk kam pasur kurrfarë mundësie të bëja atë që donin, sepse isha thjesht një punonjës i shkencës, një profesor me një rrogë që nuk na dilte as për bukën e gojës. Më ka helmuar gjithmonë sidomos pyetja se çfarë do të bëheshin kur të rriteshin? Djali ishte një tip që nuk e donte shkollën, nuk mësonte, ishte sherret dhe jo rrallë vinte në shtëpi me hundët gjak. Kurse vajza qe tepër melankolike, e ngadaltë, mësonte rregullisht, por pa ndonjë rezultat të dukshëm. Ishte shumë e varur nga ne prindët dhe kjo ma rëndonte dyfish përgjegjësinë që kisha për jetën e saj. Qeshë revoltuar një herë, në një mbledhje prindësh në shkollë, dhe kisha dashur të bërtisja e të thosha se ç’njerëz të mësuar mund të nxjerrë shkolla, kur baballarët e nxënësve iknin në punë që në pikë të mëngjesit, kurse nënat iknin edhe ato në punë po aq herët, pasi u kishin lënë fëmijëve në tavolinë një copë bukë me marmelatë të mbledhur në letër, a thua se s’ishin nëna, por kujdestare katile konviktesh! Kush i kontrollonte ata në shtëpi, çfarë ngrohtësie, çfarë ndihme e çfarë përkujdesjesh kishin ? Dhe ata, si fëmijë krejt të braktisur, ngriheshin nga gjumi, merrnin bukën me marmelatë, që ua linin nënat të mbështjella me letër, merrnin çantën e librave dhe, në vend që të shkonin në shkollë, ua mbathnin rrugëve e merreshin me ç’të mundnin gjithë ditën. Ç’do të prisje nga fëmijë të tillë? Kështu kisha dashur të thosha, por cili mund të hapte gojë, po të donte që të mos ta pësonte? Dhe, sikur ta kisha ditur fatin e tim biri kur të rritej, mësova se përfundoi pikërisht siç e kisha parandier. Ishte një parandjenjë që më kishte lindur nga tmerri, kur më kishin hapur regjistrin dhe kisha parë aty një varg pa fund notash të këqija dhe mungesash në mësime. Pa mbushur pesëmbëdhjetë vjeç, e la shkollën dhe iku nga shtëpia. Nuk më bëhet të çoj ndër mend tani asgjë nga ato që vijnë e më thonë se ç’bën e ç’punon, i përzier në një shoqëri të keqe.

Edhe vajza. Edhe ajo nuk pati ndonjë fat më të mirë. Ajo i ngjau së ëmës, u bë një zonjushë shumë e bukur dhe e ndjeja se kishin filluar ta ngacmonin, që kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeçe. Me atë bukur që kishte dhe me atë shpirt të butë, s’kishte rrugë tjetër veç të binte viktime e një mashtrimi. U ngatërrua në një nga ato historitë me dashuri tepër pasionate, por që, më në fund, ai që donte, e braktisi në mënyrën më skandaloze. Deshi ta merrte në Itali dhe atje ta bënte prostitutë! Mend helmoi veten, pastaj e pushtoi një dëshpërim pafund dhe erdhi një kohë që s’donte të na shihte me sy, as mua, as të ëmën. Mua, sepse e pa që isha krejt i pazoti ta mbaroja nga fatkeqësia që e kishte gjetur, kurse të ëmën, ngaqë, kur u rrit, e kuptoi se nuk i kishte dhënë ndonjë shembull të mirë me historinë e saj, kur, duke qenë gruaja ime dhe me dy fëmijë, kishte harbuar mbas një ushtaraku. Ah, mbas një aventurieri të neveritshëm që zbardhte e skuqte nga shëndeti. Një me një palë mustaqe prej pushti, me dy sy që rrënjonin banalitet. S’dija se si të shpëtoja nga ajo gjendje, që më kishte kapur. Shpesh më vinte të vidhesha e të ikja nga shtëpia, por ajo nuk ishte zgjidhje, mbasi, kur e përfytyroja, nuk ndjeja kurrfarë lehtësimi. Më shpëtoi vetë ime shoqe! Më la një letër, të cilën e gjeta në tavolinë një ditë kur u ktheva nga puna dhe aty, mbasi më mallkonte më fjalët më të zeza, më thoshte se më urrente dhe se nuk do të kthehej më. Po ikte bashkë me vajzën te një motra e saj në Kanada, ku, siç më shkruante, kishte gjetur edhe një punë dhe se do të rregullohej atje si jo më mirë.

 

 

Princesha

 

Wolfdietrich Schnurre

 

Një kafaz. Ngjitet, zbret, baret aty brenda, lart, poshtë; kërleshur brazda-brazda, Hiena.

O Zot, si qelbet erë! Dhe sytë i kullojnë sklepa; e shkreta, po si ka aq nuhatje, sa ende të gjuajë çka i intereson?

Tani afrohet deri te kangjellat e hekurta dhe duhma e frymes se saj më has veshin.

“A më besoni mua?”

“Patjetër”, i them me plot gojë.

Ajo vendos putrën rreth gojës dhe më thotë: “Unë jam e magjishme”.

“Ah, ç’po më thoni; vërtet e magjishme?”

Ajo tund kokën. “Me të vërtetë e tillë”.

“Me të vërtetë, e magjishme?”

“Unë jam princeshë”, psherëtin e brengosur.

“Po?”, thërras unë, “po, për atë Zot, a mund të bëjë dot gjë njeri për t’ju ndihmuar?”

“Posi jo”, mërmërit ajo. “Çështja është kështu: dikush duhet të më bëjë një ftesë”

Unë llogaris me mend ç’kam gjendje në shtëpi dhe më del llogaria: “Pastaj, ju vërtetë mund të shndërroheni?”

“Të betohem”.

“Mirë, atëherë”, i them unë, “sot do të jeni e ftuara ime”

Shkoj në shtëpi, ndërrohem, bëj kafenë dhe shtroj tavolinën. Trëndafila të freskët nga kopshti, konserva mishi të thatë, me to do ta gostis kur të vijë.

Në orën katër fiks bie zilja. Hap derën, është Hiena.

“Mirëdita”, thotë me droje, “Siç e shihni, erdha”.

Unë i zgjas dorën dhe e shoqëroj drejt tavolinës. Lotët i rrjedhin mbi faqet me lesh. “Lule”, ngashërehet ajo, “oh, oh!”

“Urdhëroni”, i them, “uluni, merrni ç’të doni!”

Ajo ulet me dhele dhe lyen një simite duke u përjargur.

“Ju bëftë mirë!”, e uroj unë.

“Faleminderit!”, përplas buzët, duke u mbllaçitur.

Lebetitesh, kur sheh si gëlltitet. Simitet zhduken njëra pas tjetrës; edhe kutia e mishit është bosh. Ndërkohë, rrufit kafenë duke pllaquritur buzë dhe më lejon t’i hedh tjetër, ndërsa ka përlarë dhe pikën e fundit.

“Hë?” e pyes, “të shijoi?”

“Shumë”, dihat duke gromësirë. Pastaj fillon të shqetësohet.

“Çfarë ka ngjarë?” kërkoj të di unë.

Ajo gromësin përsëri dhe ul vështrimin përposhtë; lëkura i vjen erë kërmë, riqra të kuqe tërhiqen zvarrë në vendet me rrjebull prapa veshëve.

“Hë, pra?” e nxis.

Ajo ngashërehet me dënesë. “Unë ju kam gënjyer”, kërret ngjirur, duke vërtitur pamëndje një gjembaç trëndafili midis kthetrave. “Unë nuk jam princeshë”.

“S’ ka gjë”, i them; “e kisha kuptuar me kohë”.

Përktheu nga gjermanishtja: Ana Kove

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency