Një iluzionist mbi gërmadha, duke shtrënguar ‘zogun’ që i solli tërmeti!

0
142
Nga Poli Hoxha 

Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë!

Fiks kështu po ndodh, të paktën tani për tani, me Edi Ramën si politikan, kryeministër, shef i Rilindjes, kryetar i bashkisë së Tiranës e de fakto, edhe asaj të Durrësit për shumë mandate.

Shprehjen e mësipërme, e cila është bërë globale nga një frazë në librin e filozofit Fredih Niçe, ‘Perëndimi i idhujve’, Edi Rama  e ka përdorur dendur gjatë këtyre ditëve të zymta. Dhe ai vërtet pas 7 vitesh ‘tërmet’ ekonomik e demografik që i bëri këtij vendi vepron si një njeri që i është dhënë shansi, që ta nis nga e para dhe të shfaqet edhe më i fortë.

Ka marrë të njëjtën xhaketë të dalë boje të propagandës së tij populiste që përdor nëpër fushata elektorale, e ka kthyer mbrapsht dhe shëtit gërmadhë mbi gërmadhë, si perëndia e Rindërtimit dhe e Shpresës.

Pasi kanë kaluar 2 javë nga tërmeti i madh i 26 nëntorit, mund të shohim qartë se tulatja e shqiptarëve, e zërave kritikë dhe veçanërisht ajo e opozitës është shtuar, kurse Edi Rama dhe klonimet e tij po rilindin së dyti mbi gërmadhat, të cilat më së shumti i kanë krijuar vetë me korrupsionin e dalë jashtë kontrollit.

Po u bien daulleve të shpirtit solidar e bujar të shqiptarëve, duke kompleksuar këdo që ka ca pyetje të thjeshta;

Pse shteti ishte inekzistent për një ngjarje si kjo; ku ishin emergjencat civile; nga kanë firuar paratë për ditë të zeza si këto; Cilët janë ata që kanë firmosur dhe kontrolluar pallatet e shtëpitë që u rrënuan fare kollaj; kush dhe pse e mbuloi krisjen e tërmetit të parë të 21 shtatorit;  çfarë po ndodh me dokumentacionin dhe dosjet në bashkinë e Durrësit, Tiranës, Kavajës, Shijakut, Kurbinit, Krujës; cilat janë firmat që kanë furnizuar ndërtuesit me beton dhe hekur skarco dhe çfarë lidhje kanë me pushtetin lokal dhe atë qendror…

Por jo; nuk duhet të pyesim për këto e të tjera (madje as për qentë inekzistencë të kërkimit që kushtojnë miliona në vit, në letra), sepse ‘përdhosim’ kujtimin e 51 të vdekurve dhe dhimbjen e të gjallëve.

‘Nëse nuk ndihmon dot, të paktën hesht’. Ky është çekani që na rri mbi kokë, edhe nga ata që kanë ‘dy pare mend’.

Ky imponim i heshtjes në këmbim të mitit të solidaritetit dhe bamirësisë ‘së rrallë’ të shqiptarëve, duke ndjerë keqardhje njëkohësisht, edhe për viktimat edhe për pushtetarët e biznesmenët e tyre makutë, tregon në fakt shpirtin prej skllavi që mbizotëron mes nesh.

Nuk ka kërkesë llogarie e as revoltë, sepse duhet të qajmë, pastaj të bashkohemi e të ecim përpara. Në fakt përpara po ecën vetëm axhenda e atyre që i dhanë një dorë të mirë ‘pabesisë’ së natyrës, siç e kamuflon Rama këtë që ndodhi. Po ecën përpara ‘zogu në dorë’ që solli ky tërmet, për të shtyrë në kohë të pacaktuar projektin kriminal të grabitjes së Shqipërisë. Tani jo nën okelion e Rilindjes, por të Rindërtimit!

Ky solidaritet pa revoltë e pa kërkesë llogarie, të kujton skllevërit që punojnë në një minierë e të cilëve ju bie tuneli mbi kokë e ju vdesin bashkë-gërmuesit. Pas tragjedisë, në vend që të revoltohen e të kapin për fytin padronin që i kishte lënë në mëshirë të fatit me kolona të kalbura që mbajnë malin, qajnë shokët dhe ndihmojnë që të pastrohen gërmadhat. Që biznesi të rinisë nga e para; si dikur!

Vetëm në një kolektivitet skllevërish, ndjenja e keqardhjes, bamirësia, lëmosha, ‘solidariteti’ prevalojnë mbi drejtësinë dhe kërkesën e llogarisë që ndryshon të ardhmen.

Kjo çudi po ndodh fatkeqësisht, në Shqipërinë post-tërmet. Viktimat dhe shkaktarët që e bënë edhe më të madhe gjëmën, janë bërë solidarë.

Zakonisht kur bie një tërmet i madh minjtë janë të parët që ja mbathin për tu fshehur në gjirize, edhe më të thella. Kurse këtu po ndodh e kundërta; ata po na shfaqen si heronj dhe na kanë mbirë në ekran.

Duhej kjo katastrofë e ndihmuar më së shumti nga makutëria e atyre që kanë në dorë edhe betonin skarco, edhe hekurin e munguar nëpër kolonat e pallateve, edhe kontrollin, edhe firmën, edhe prokurorinë edhe Televizionin, edhe shkopin edhe arrën, që të shihnim sërish si protagonistë Vangjush Dakon e damkosur përjetë nga SHBA, Arben Ahmetajn e PPP-ve, Erion Veliajn e shkollave të rikonstruktuara me propagandë që maskon korrupsioni, etj, etj.

Në pritje të ndihmës nga Muhameti, Krishti, Abaz Aliu, Buda, Erdogani, Konferenca Islamike, BE, etj, jemi të detyruar të shohim një shfaqje sa makabre aq qesharake të iluzionistit Edi Rama.

Tashmë skena është mbi gërmadha. Nuk mund të mendosh, të pyesësh, të kërkosh llogari, të revoltohesh e as të vjellësh; vetëm të solidarizohesh. Kryeiluzionisti luan, 24 në 24 orë, në disa skena paralel dhe nuk mund të përqendrohesh dot as gjëkundi tjetër. Edhe po tentove, të kryqëzon ‘solidariteti mbarëkombëtarë’.

Nga tryeza me bamirësit, te ai që i ka humbur gruaja. Nga qeni ‘analist’, te vogëlushi veshllapush; nga gishti i mesit lart, te lotët për të dashurën e birit; nga Bruno Vespa te Komiteti i Rindërtimit. Një tavolinë e rrumbullakët kjo, ku rinë engjëj e djaj së bashku!

Nuk e kuptoni  e as e shihni ngazëllimin e tij, për këtë ‘zog’ që i erdhi në dorë?!

Një ‘zog’ që e bën babanë e heroin e rindërtimit dhe i jep njëkohësisht edhe amnistinë e mega-grabitjes, që i ka bërë këtij vendi në 7 vite?!

Nuk ju bën përshtypje që parlamenti merret me heqjen e kompetencave formale të presidentit, por ‘ka harruar’ se brenda Dhjetorit duhej mbyllur Reforma Zgjedhore, se kushtet e Bundestagut gjerman nuk kujtohem më nga të gjithë?!

Si do largohet kjo e keqe që i ka mbirë vendit kur ajo ka aftësinë që të lulëzojë, edhe mbi gërmadhat e korrupsionit dhe makutërisë?!

Kur po duket qartë që edhe për ca vite nuk do të kemi as zgjedhje të sakta demokratike, as ndëshkim të zullumeve 7 vjeçare, por vetëm ‘Rindërtim’?!

Prandaj ka të drejtë Edi Rama që përdor kaq shpesh (për veten) shprehjen e Niçe; Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë. Madje në këtë rast po të dojë, mund edhe të shtojë;

Ky tërmet më erdhi si një ‘zog në dorë’ jo vetëm për amnistinë që kërkoja, por edhe për jetëgjatësinë në pushtet!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here