Boçi: Rrëzimi ka nisur, shporrja do të bëhet…Kufirin tek thana Rama e ka të shënjuar

0
183
Luciano Boci, duke hyre ne nje mbledhje te deputeteve te opozites ne qytetin e Durresit. Deputetet e opozites kane bojkotuar serish seancen parlamentare te radhes, duke u mbledhur ne Hotel Adriatik ne plazhin e Durresit. /r/n/r/nLuciano Boci, enters a meeting of opposition MPs in the city of Durres, boycotting the next session in Parliament.

Deputeti PD, Luçiano Boçi flet për “Koha Jonë”: Metamorfoza e pushtetit politik e ka shndërruar Ramën

Intervistoi Jonida Halili

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama ka propozuar paketën “antishpifje”. Sipas jush a do ketë rezultat ky vendim?

Tingëllon disi absurd fakti që një Kryeministër, i cili kontrollon pjesën dërmuese të mediave të cilat i shërbejnë intensivisht atij e qeverisjes, të shqetësohet kaq shumë për “shpifjen” e shpërndarë mediatikisht apo deklarativisht, gjithmonë sipas tij. Aq më tepër kur mendon që ai personalisht operon me një TV (ertv) krejtësisht aligjor dhe që njëkohësisht ka ndërtuar trupën më të madhe mediatike pranë vetes që e paguan sa “frëngu pulën” dhe që e lëshon si “qen sulmi”, për të nxirë, shpifur, denigruar, apo për të zbardhur, devijuar, mbuluar sipas rastit të duhur, absurdi merr përmasat e marrëzisë.  Mjafton ky parashtrim për të konkluduar që Ramën nuk e shqetëson shpifja, pasi njihet në kohën që ishte në opozitë por sidomos tani në qeverisje si “nona i shpifjes” dhe i baltosjes së kundërshtarit politik dhe njeriu që artin e të folurit e përdor për ta bërë të zezën të bardhë. Ramën sot në fakt e shqetëson jo shpifja artist i së cilës është, por e vërteta. E vërteta dhe faktet tronditëse të implikimit të qeverisjes së tij në krim shtetëror, të kapjes së tij dhe njerëzve të tij gafil në korrupsion, në drogë, në afera e skandale që kanë kohë që janë aq të shumta sa njerëzit nuk po përshëndesin më “mirëmëngjesi” njëri-tjetrin por pyesin me kërshëri: “a ka ndonjë skandal të ri sot?”

Metamorfoza e pushtetit politik e ka shndërruar Ramën në një kohë shumë të shpejtë nga një publicist kontrovers për periudhën kur shkruante, në një luftëtar të paepur “Kontras”, kundër fjalës së lirë dhe mendimit të lirë.

Nga fyerjet me sëpatë në dorë kur ishte Kryetar Bashkie, nga sulmet nominative ndaj pronarëve që nuk i bindeshin kur ishte kryetar opozite, nga dhuna verbale ndaj gazetarëve të thjeshtë kur u bë Kryeministër, Rama nuk përtoi të ndërmerrte demarshe konkrete e vendime të cilat kërkojnë të gjunjëzojnë e censurojnë përfundimisht fjalën e lirë e të vërtetën. Qartazi iniciativa është një rikthim në një formë të re i një qëllimi dhe dëshire të kahershme të Ramës.  Më parë ka pasur një tentativë konkrete të tij për kriminalizimin e shpifjes e shoqëruar kjo dhe me një sërë ndryshimesh në ligjin “Për tregtinë elektronike”. Ndryshimet synonin dënimin e komentuesve, gazetarëve dhe të vetë mediave online, deri në mbylljen e tyre. Kundërshtimi nga faktori ndërkombëtar dhe njëkohësisht reagimi i gazetarëve dhe “ndërtuesve” të portaleve bëri që Rama të tërhiqet.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja, sepse një përgjigje ndaj kësaj iniciative “idiote” Rama e ka në sirtarin e dështimeve të shumta të tij. Ai kërkon të impostojë vëmendjen e publikut nga fenomeni i kriminalizimit kapilar dhe dështimi spektakolar i qeverisjes së tij, tek relativizimi i fakteve dhe akuzave që dëshmojnë këtë realitet, duke synuar t’i paraqesë ato si trille. Kësisoj Ministrin kërkon ta nxjerrë duar jashtë nga ligji antimafia, ish-ministrin do ta paraqesë si heroin e kohës sonë të hashashit, por që ja futën të tijët, Ballën si politikan të mrekullueshëm që krimin e lufton paepur me efikasitet, duke e futur në gjirin e Partisë. Rama kërkon ta mbajë debatin në një përplasje permanente e vërtetë-shpifje dhe njëkohësisht të ndërtojë mekanizmin “ligjor” për të goditur mbartësit dhe transmetuesit e së vërtetës. Si të thuash Rama po kërkon të formatojë shpifjen e tij të madhe mbi gjendjen e vendit dhe qeverisjes së tij, me ligje që dalin nga tavolinat e interesit të tij, duke i sulmuar të vërtetat e mëdha të dramës së qeverisë së tij, si shpifje të vogla që dalin nga tavolinat e politikës.Rezultati duket i parashkruar nga reagimet e opinionit jo vetëm gazetaresk por dhe më tej. Besoj se kjo paketë do të ketë fatin e iniciativës së 2015. E shumta do zgjasë agoninë e Ramës por nuk do ta shpëtojë atë nga sekëlldia e dorëzimit të pushtetit.

Opozita ka nisur aksionin politik, por kryeministri Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet. A janë gati shqiptarët që ta rrëzojnë Edi Ramën?

Aksioni ynë politik ka njohur dinamikat e tij dhe është duke kapur kulme të reja për shkak dhe të situatës politike, ekonomike, sociale e kriminale në vend. Çdo dinamikë e këtij aksioni shkon në sinkron me zemërimin e problematikat e shtuara të shqiptarëve. Momenti i shndërrimit të zemërimit në revoltë ka ardhur dhe gatishmëria e shqiptarëve për ta rrëzuar Edi Ramën është demonstruar në forma e mënyra të ndryshme. Me protesta, me kundërshti, me reagime, me opinione, por që priten të finalizohen. Opozita këtu ka dhe po luan e do të luajë rolin e saj kyç. Rama ka kohë që e ka grisur kontratën e lidhur e të rrëmbyer me sovranin. Një ripozicionim i raportit të forcave politike duket të jetë një domosdoshmëri për të dalë nga tuneli ku e ka zhytur ai këtë vend. Në rast se Rama vazhdon të këmbëngulë pa pranuar ofertën politike përballja do jetë e afërt. Dilemat tashmë kanë rënë. Kufirin tek thana Rama e ka të shënjuar. Rrëzimi ka nisur. Shporrja do të bëhet.

Çfarë qëllimi ka Opozita, zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen njëherësh me ato lokalet e vitit të ardhshëm?

Pak rëndësi ka koha e përkimit apo jo me zgjedhjet lokale. I rëndësishëm është largimi sa më shpejtë i Ramës e shpurës së tij të zhytur deri në grykë me zullume e skandale.

Çfarë do të ndodhë me nismën e opozitës antimafia, nëse mazhoranca e hedh poshtë me votë në Kuvend?

Propozimet tona janë konkrete dhe çojnë në pastrimin e politikës, vendosjen e balancës së përfaqësimit qytetar e të vlerave brenda saj dhe krijojnë terrenin e duhur për të ecur në çlirimin e ekonomisë nga krimi, moskapjen politiko-kriminale të drejtësisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta dhe të lira. Vettingu në politikë është vijë e kuqe e cila ndan përfundimisht rënien apo jo në prehrin e krimit të politikës. Një gjë e tillë nuk mund të lejohet dhe vetëm vettingu na shpëton. Pas kësaj ne na lind e drejtat morale që ta rivendosim këtë standard me të gjitha mjetet e mundshme

Basha ka vënë kushte se pa bërë vetingun e politikës, nuk do të ketë asnjë pakt me Edi Ramën. Por ndërkohë opozita nuk i ka votat në Kuvend, pse refuzon dialogun me mazhorancën?

Dialogu për propozimet tona qoftë për vettingun qoftë për reformën zgjedhore është refuzuar nga ana e mazhorancës. Dialogu dhe imponimi nuk janë thjesht çështje votash. Gjithçka ka të bëjë me vullnetin e munguar, sigurisht e lidhur qartësisht kjo me shkallën e lartë të implikimit kriminal të qeverisë. Këtu e gjen burimin dhe qëndrimi refuzues i Ramës dhe qëndrimi zgjatës i Rucit për ta çuar në kalenda zgjidhjen e kërkesës sonë. Vettingu nuk është kapriço as sebep, por është domosdoshmëria imediate e zgjidhjes së nyjes gordiane brenda politikës, nyje që ka pjellë e pjell vazhdimisht deformime të llahtarshme në zinxhirin e pushteteve që burojnë nga fillimisht nga politika, ndonëse perceptohen e konceptohen më pas si të pavarura, si drejtësia apo dhe media. Pa një politikë të pastruar nuk mund të kemi as parlament demokratik, as drejtësi të drejtë, as ekzekutiv institucional e as media që i shërben publikut.

Si e komentoni vendimin e qeverisë për heqjen e kazinove elektronike dhe të basteve në qendrat e banuara? A besoni se Rama do t’i rezistojë mafias së lojërave të fatit?

Ka një qëndrim deklarativ që duket taksativ nga ana e kryeministrit për mbylljen e të gjithë llojeve të lojërave të fatit. Janë në të njëjtën gjatësi vale si deklaratat për shëndetësi falas, luftë ndaj krimit, apo bla bla blatë e përhershme propagandistike të Ramës. Si të tilla duhet të merren me rezervë sepse si në të gjitha deklarimet e tij, lepuri i Ramës fle diku në vend tjetër. Fle në interesa miliardëshe dhe klienteliste shumë të mëdha. Në koncesione, afera e të ngjashme me to. Krijimi i situatës monopol që favorizon familjarët e tij, duket qëllimi më i parë dhe që prevalon ndaj “edukimit në distancë” të publikut. Bastet e kazinotë dhe të gjitha lojrat e fatit të tjera kanë dy anë; së pari janë aktivitet tregtar si e drejtë e pamohueshme e çdo biznesi dhe së dyti janë një plagë sociale që duhet kufizuar me ndërhyrje logjike, elegante ekonomike dhe jo me masa ekstreme. Si biznes, largimi i tyre në distanca të arsyeshme ruan një logjikë sociale që lidhet me shkollat apo institucionet e tjera. Mbyllja bie ndesh me konceptin e biznesit. Si plagë sociale e madhe bizhozi nuk mund të shërohet duke e ndaluar. Përkohshmëria e suksesit nuk mund të shitet si rezultat. Në mos këto ekzistentet njerëzit do gjejnë forma alternative që nuk janë të pakta për të shprehur dëshpërimin e tyre por dhe shpresën e tyre në fat. Bixhozi ka qenë një aktivitet galopant dhe në diktaturë ku dënimet për të ishin ekstreme. Bixhozi shërohet me punësim, me mirëqenie e ekonomi të shëndoshë, me krijim shpresash, krijim ambjentesh argëtimi për të gjitha moshat, që tek e fundit ai të mos shihet si mundësia e vetme dhe e fundit ku njerëzit kanë një shkëndijë shprese për të jetuar, bazuar në një algoritëm logjik që dominohet nga emocioni dhe stresi i një jete mizerabël. Sa për mafian do thoja që Rama nuk po i reziston mafias. Rama thjesht po e riformaton mafian sipas parimit kinez turbullo që të pastrohet. Pas mbylljes ai vetë ka pranuar që do ketë rregulla të reja, të cilat me sa duket do të jenë një kostum që do qepet sipas masës së kompanisë që do ketë ekskluzivitetitn në këtë fushë. Dhe kjo kompani e ka nxjerrë tashmë modelin e saj të kostumit në faqen e saj zyrtare, pa pasur drojë fare se Rama mund ta cojë për shpifje në gjykatë. Normal që s’ka si të ndodhe sepse Rama është i zënë aty në cark.

PD ka nisur riorganizimet në bazë në kuadër të zgjedhjeve të brendshme, çfarë synohet me këtë proces? A jeni gati për zgjedhje të parakohshme?

Riorganizim, rigjallërim, pasurim me elementë e drejtuesë të rinj, vitalë me ambicie e vizionarë, ribashkim kontributesh në vite të njerëzve e brezave historikë të PD, për të pasur një trupë politike të gatshme dhe të aftë për të përballur sfidat politike që jemi duke zhvilluar dhe që kemi përpara. Zgjedhjet e parakohshme që kalojnë nëpërmjet një qeverie antimafia dhe një reforme dekriminalizuese të tyre, mbetet synimi ynë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here