‘Zhduken’ nga buxheti i shtetit 59 milion euro. Ku shkuan vallë?!

0
636

Gjysma e parë e vitit është mbyllur me 7.6 miliardë lekë më pak të ardhura në buxhetin e shtetit, ose rreth 59 milionë euro, në raport me planifikimin e bërë.

Referuar treguesve përfundimtarë fiskale të publikuara nga Ministria e Financave, rezulton se në 6 muajt e parë të vitit, janë mbledhur 216.9 miliardë lekë të ardhura në arkën e shtetit, ndërkohë që ishin parashikuar të mblidheshin 224.5 miliardë lekë, raporton Scan.

Shkak për mosrealizimin e planit, është bërë rënia e të ardhurave nga TVSH-ja dhe tatim-fitimi të cilat nuk janë mbledhur në masën e pritur, edhe pse qeveria ka ulur pragun e TVSH-së për bizneset e vogla në 2 milion lekë nga 1 Prilli. Konkretisht nga TVSH-ja janë mbledhur 67.9 mld lekë, apo 4.3 miliardë lekë më pak nga sa ishte parashikuar.

Ndërsa të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 17.9 miliardë lekë, ose 1 miliardë lekë më pak. Po ashtu, edhe nga zëri  “Tatimi mbi të ardhurat personale” janë mbledhur 1 miliardë lekë më pak.

Në total, të ardhurat e qeverisë janë rritur me 2.3% gjatë gjysmës së parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Ndërsa Shpenzimet e përgjithshme publike,  për gjysmën e parë të vitit 2018, arritën në rreth 214.6 miliardë lekë,  apo 10.9 miliardë lekë më pak nga sa ishin parashikuar të shpenzoheshin.

Pak ditë më parë, përmes një akti normativ, qeveria ndryshoi buxhetin duke i dhënë më shumë prioritet investimeve dhe shpërblimit të fundvitit për pensionistët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here