Kokaina 180 mln euro, Basha para medias: Ja skema si po pastrohen paratë e drogës

0

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka dalë para medias lidhur me ngarkesën rekord të kokainës së kapur në Portin e Durrësit ku ka deklaruar se u vërtetua ajo që opozita ka vite që po e thotë dhe se paratë e drogës po pastrohen në ekonomi, kryesisht në ndërtim.

“613 kg kokainë dhe tre ditë pasi prokurori i Antimafias ishte në Shqipëri-  deklaroi Basha.- Sot Policia ka deklaruar se vlera e kësaj ngarkese ishte 180 mln euro. Një ngarkesë e vetme. E kam denoncuar me dhjetra herë: epoka e kanabisit është pasuruar me heroinë, kokainë, me pastrimin e parave të pista. Këtu vjen dhe rreziku ekzistencial për shoqërinë sepse rreziku i kriminalitetit është mbartur në politikë dhe ekonomike.”

Basha deklaroi se paratë e krimit po derdhen në ndërtim, në kulla, sidomos në Tiranë, ku bashkia e Tiranës është kthyer në lavatriçe të krimit. Po ashtu, në koncensione dhe blerje bankash.

Basha e ka argumentuar situatën me shifrat e INSTAT-it dhe me uljen e papunësisë dhe të konsumit.

“Gjendja e vendit denoncon më mirë sesa unë, sesa qeverija, pasojat e një qeverie që e ka lënë vendin pa qeverisje që mbolli hashahs, që bleu votat me hashash dhe kaloi pastaj në pastrimin e parave në ekonomi, me ndërtimet, bankat etj.

Me paratë e drogës po shkatërrojnë të ardhmen e shqiptarëve.

Me këto ndërtime që nuk janë tjetër veçse paraja e drogës, si do të veprojnë nesër?

PPT-të në fakt janë borxh i fshehtë: ato bëhen për të shpërdoruar dhe vjedhur paratë e takspaguesve, se me ato para Edi Rama, Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto censurojnë edhe mediat kur flitet për inceneratorët…

Koncensionet, PPT-të janë mënyrë e fshehtë për të rritur borxhin. Ekonomia shqiptare është sot në prag të një katastrofe dhe kjo është thirrje drejtuar gjithë faktorëve shoqërorë.

Janë planifikuar 70 milionë euro të taksave të shqiptarëve që do të përdoren për koncensionet, janë koncensione korruptive. Këto janë borxhe të fshehura, që në 10-20-30 vitet e ardhshme shqiptarët të paguajnë një vlerë që rritet nga viti në vit, nuk ulet.  Vendi kërcënohet sot ng borxhi i fshehtë, koncensionet që janë skema të pastra korruptive.”

Lini nje pergjigje