Toti i jep sot lamtumirën futbollit, tifozët e Romës mbushin stadiumin

0
174

Edhe pse këtë natë do të zbarkojë Juventusi në “Olimpiko”, rivaliteti që ekziston mes këtyre dy skuadrave mund të harrohet për një natë. Populli verdhekuq ka vendosur që të mbushë plot stadiumin e kryeqytetit, jo për të frikësuar kundërshtarët nga Torino, por për të përshëndetur ikonën e tyre, “mbretin” e Romës, Françesko Toti.
Edhe pse ai nuk është shprehur ende mbi të ardhmen e tij, zërat nënvizojnë se tashmë kapiteni legjendar i “ujkonjës” do të largohet nga ekipi ku luan për 25 vite me radhë dhe ndoshta përballë Juventusit mund të ketë disa minuta për të përshëndetur ata që e kanë adhuruar, e adhurojnë dhe do ta adhurojnë përjetë.
Ndoshta, do të kishte qenë bukur që ai të ishte pjesë e formacionit titullar, duke parë edhe mungesën e bomberit Edin Xheko, por nëse Luçiano Spaleti do t’ia bëjë një dhuratë të tillë kjo nuk dihet ende.
Fatkeqësisht, edhe sivjet, Toti duhet ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe, duke numëruar vetëm një kampionat italian, dy Kupa Italie dhe 2 Superkupa Italie, përveçse një Europiani U-21 dhe një Botërori me përfaqësuesen. Gjithsesi, karriera e Françeskos do të mbahet mend për paraqitjet e tij madhështore, për golat dhe penalltitë “alla Panenka”, por edhe për rolin e liderit të padiskutueshëm prej më shumë se 20 vitesh për skuadrën e qytetit të tij, për të vetmen fanellë, të cilën nuk kërkoi ta ndërrojë kurrë, duke refuzuar milionat e klubeve më të mëdha të Europës, por edhe trofetë e shumtë në rang klubesh e personalë, nëse do të kishte vendosur të ndryshonte.
Por këtu qëndron edhe madhështia e Totit, një lojtari që vendosi të heqë dorë nga ambicia personale, për nder të qytetit dhe popullit të tij.

MASAT E SIGURISË

Duke parë dyndjen e madhe në stadium, për vetëm faktin se në Romë priten edhe 15 mijë juventinë, të cilët shpresojnë të festojnë titullin, policia e Romës ka marrë masa të rrepta sigurie, me afro 9 mijë efektivë, të cilët do të kërkojnë mbi të gjitha që të shmangin përplasjet mes tifozërive. Edhe pse mbrëmja e sotme pritet të jetë nata e Totit për romanistët, juventinët mund të kenë jo pak për të shfryrë ndaj ultrasve të kryeqytetit, prandaj për duelin e sotëm është dhënë alarmi edhe për një mundësi përplasjesh mes dy kampeve. Fundja, “festat” e Totit dhe ajo e mundshme e titullit mund të ndezë shkëndija të forta emocionale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here