DEMOKRACIA LIBERALE

1
3216

Nga Brikena Bogdo

Liri–Barazi është themeli i ideologjsë majtiste. E shndërruar, gati në një simbiozë, që nga revolucioni francez, shpesh, duket sikur janë i njëjti kuptim. Liri nuk do të thotë, që të gjithë jemi të barabartë, dhe barazia mund të prekë lirinë. Sistemi politik, më i afërt me lirinë, është demokracia liberale, jo sistemi socialist, i lindur nga revolucioni francez, i cili privilegjon barazinë, që kontraston dhe shtyp lirinë. Është pikërisht “liria” që mbështetet mbi diferencat dhe mbi këtë, krijon, prodhon, jep progres. Socializmi prishi balancën delikate, midis asaj çka u kërkua, në revolucionin francez, Liri-Barazi. Prevaloi barazia, në kurriz të lirisë. Mbasi u provua, në praktikë, socializmi, mbas rënies së tij, u protestua nga turma për të rifituar  lirinë e mohuar, përgjatë sistemit, pikërisht lirinë e individit.

Winston Churchill, një liberal, mbështeste idenë që barazia në shoqëritë e socializmit real, ishte tek varfëria. Bëhej fjalë për ato shoqëri, që shpërndanin në mënyrë të barabarë, mizerjen. Shtete si Amerika dhe Anglia, e shikojnë pasurinë si një bekim hyjnor, që të udhëheq drejt progresit. Demokracia liberale bashkon demokracinë dhe liberalizmin, duke u përpjekur, që të jetë, si e barabartë, ashtu edhe e lirë.

Shoqëritë europiane, bija të revolucionit francez dhe socializmit nga kanë rrjedhur, mbështesin substancialisht “barazinë”,  e cila e ngadalson lirinë dhe progresin.

Problemi është që sot, të majtë, në Shqipëri por, edhe më gjerë, po godasin themelet e ideologjisë së tyre, pikërisht barazitizmin, sidomos tek politikat fiskale.

Blushi, po tenton në elektorat, me një parti të re, por pa alternativë të re. ‘Taksim i drejtë” sipas Blushit, jo “taksim i zhdrejtë”,  i implementuar nga Rama, sipas tij. Por, në thelb, mbetet e njëjta ideologji, t’ja marrim të pasurve, t’ja shpërndajmë të varfërve. Ky koncept ka dështuar katërcipërisht, jo vetëm si populist dhe demagogjik, por edhe si një nga thelbet e krizës ekonomike.

Taksimi, është thembra e Akilit, të një alternative të suksesshme, apo të dështuar. Rama, po dështon në qeverisjen e tij, duke thelluar varfërinë në vend, si pasojë e politikës fiskale që ndoqi. Me prezantimin e programit, të taksimit progresiv, u kuptua qartazi, që ai do ishte një dështim  i paralajmëruar. Edhe në rastin e Blushit, i cili përpara se të dalë programi i tij, flet për një taksim të “drejtë”,  thellësisht majtist, kush ka më shumë, duhet të paguajë më shumë, paralajmëron një dështim. Këtu të majtët bien në kundërshti me konceptin e tyre,  barazinë.

Liri-barazi, themeli i revolucionit Francez, koncept mbi të cilën u ngritën shumë shtete majtiste europiane, cënohet nga taksimi progresiv, pasi prek pikërisht barazinë, olimpin ideologjik majtist. Taksimi 10%, që ishte taksim i sheshtë, e ruajti barazitizmin shumë më tepër se sa taksimi progresiv. 10 %, taksohej si biznesi i vogël, ashtu edhe i madhi. Sigurisht, 10% e biznesit të madh siguron, për buxhetin e shtetit, një shumë më të madhe, se 10% e biznesit të vogël. Ja ku iu morr atij që fiton, më shumë para nga taksat. Por, të taksosh njërin 10% dhe tjetrin 25%,  ke cënuar rëndë barazinë. Koncepti i revolucionit francez, të gjithë të barabartë përpara ligjit, përpara shoqërisë, përpara shanseve ekonomike, politike, përse u trasformoka, pikërisht përpara parasë? Koncepti i lirisë së ushtrimit të të drejtave të individit, në ushtrimin e profesioneve (p.sh, politikat fiskale për profesionet e lira,  hartuar nga qeveria përpara disa kohësh, ndaj së cilave pati shumë kontestime,) përse deformohet përpara parasë?

Taksimi i sheshtë, ndonëse u aplikua nga një qeveri, në letër e djathtë, pati shumë benefice, pasi të gjithë kishin mundësi ta paguanin, duke qenë në limite të taksimit, thithi investitorë, buxheti u rrit, fisku mblodhi më shumë të ardhura se kurrë, pra nuk dështoi, si po ndodh sot. Të ardhurat fiskale, me politikat fiskale, drastikisht të gabuara të Ramës, kanë qenë më të ultat e mundshme, duke paralajmëruar një dështim të qeverisë Rama.

Tashmë, me deklaratat e Blushit, për taksim të drejtë dhe jo të zhdrejtë, po qartësohemi për një duel të tipit “bëje mirë, bëje vetë”, “ Unë e implementoj më mirë”, “unë jam më pak i korruptuar”, “mua më dhimbsen më shumë të majtët” dhe demagogji të tjera pa fund. Taksim i drejtë vs taksim i zhdrejtë. Por, koncepti i drejtë apo i zhdrejtë ndryshon, në vende dhe kohë të ndryshme. Ai taksim, që për pushtetarët ishte i drejtë, për shqiptarët rezultoi i zhdrejtë, pasi i varfëroi, deri në kockë. Blushi nuk po kupton thelbin, që taksimi majtist, taksimi progresiv, është i gabuar dhe jo vetëm nuk e zgjidh varfërinë por, e rrit dhe e thellon atë.

Nuk është fatkeqësisht problem shqiptar, por e ideologjisë majtiste. Politikat e gabuara fiskale të presidentit francez, i cili taksoi të pasurit progresivisht, pati efekte drastike negative. Një pjesë të pasurish francezë u larguan nga vendi i tyre, ekonomia franceze u dobësua dhe presidenti Hollande, konsiderohet, tani, nga presidentët më të dobët që ka patur ndonjëherë Franca.

Ideologjia majtiste, edhe më gjerë sesa Shqipëria, ka prekur dhe vazhdon të prekë lirinë. Ish-kryeministri italian, Mateo Renzi, mbeti një statist i majtë, duke kërkuar fuqizim të rolit të shtetit mbi individin, në kurriz të minimizimit të lirisë së individit. Ideja e Renzit për një shtet të fortë, që fuqizohet, kur investon, ndërhyn kudo dhe për çdo gjë, punëson njerëz, ndërton ura, organizon ekspozita, dhe kështu me rradhë, e zbehu përpjekjen e tij, për një reformizëm italian. Përtej retorikave të tij, në favor të meritave, ai mbeti i ngërthyer brenda një perspektive statiste, duke kultivuar kështu iluzione, të cilat sollën dështimin e tij. Ai ngatërroi ëndrrat me realitetin.

Politikat sociale, rishpërndarja e parasë për të mira sociale, në faktm janë shndërruar në burim pasurimi të paligjshëm dhe të shpejtë, hajdutëri dhe kusari të pushtetarëve. Efekti? Krizë parash, të ardhurash, punësimi, pra krizë globale.

Por, barazia faktike dhe sociale mund të realizohet edje me vetëm lirinë. Aty, ku nuk ka liri, nuk ka as barazi. Liria temperohet, me drejtësinë sociale. Socializmi real, duke niveluar gjithçka, dhunon dhe shtyp, faktikisht mohon njeriun, natyrën e tij dhe lirinë.

Ëilliam Beveridge ka bashkuar në liberalizmin anglez, lirinë dhe drejtësinë sociale. Kur pabarazitë sociale kanë prekur pikën e rrezikshme, është votuar Thatcher, në Angli, apo Reagan në Amerikë. Së fundi kemi rastin “Trump”, pasi analistët paktohën, që një nga arsyet, për të cilën u votua masivisht ishte thellimi dhe tejkalimi i kufirit të pabarazisë,  në shoqërinë amerikane.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Ne Shqiperi fshihen shitjet; punohet me bilance te rreme.
    Bizneset shqiptare, ende nuk e kane kuptuar, se eshte ne te mire te te pasurve, se duhet te paguajne aq sa fitojne, sepse vjen nje moment, ku pasi shkermoqet shtresa e ulet, i vjen radha shtreses se mesme, dhe ne fund mbesin bizneset pa bleres, qe do te thote krize e thelle ekonomike
    Jam per taksen progresive te kontrolluar, duke caktuar nje limit.
    Nuk mund te paguaj nje biznes i fuqishem po aq 10% sa nje biznes i vogel, me justifikimin se 10% e biznesit te madh, eshte nje shume e madhe dhe e justifikueshme per shkak te vleres me te larte te te ardhurave ose shitjeve.
    Zgjidhja me e mire eshte taksa progresive e shkallzuar; dikush mund te paguaj po 10% sa biznesi i vogel, nje tjeter 12%, por nje tjeter mund te paguaj dhe 20% e te mos e ndjej fare taksen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here