Operacioni / Pranga efektivit shembull të ministrit Tahiri, mori rryshfet

0
118

Sonila Mesareja

SHKB prangos 3 specialistë të Antidrogës, i morën një shtetasi një sasi parash

 

foto BurgajI dehur nga lavdërimet e shumta për shpëtimin e një të miture nga një tentativë përdhunimi 8 muaj më parë, dje në mëngjes ai vetë shkoi në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë ku punonte. Bashkë me 2 kolegë të tij, Bledar Naçi do i merrte një shtetasi një shumë parash, për të cilën do të denoncohej në SHKB dhe do prangosej. Dikur hero dhe i bërë shembull, madje i përshëndetur publikisht deri nga ministri për veprimin e kryer, sot në rolin e keqbërësit. Ministria e Brendshme njofton se dy netë më parë, nga SHKB në policinë e qarkut Fier është arrestuar specialisti Bledar Naçi, pasi akuzohet për marrje ryshfeti. Ai është denoncuar nga një qytetar me inicialet M.F për marrjen e një sasie parash, ndërsa në pranga kanë rënë dhe dy efektivë të tjerë, për të njëjtën akuzë.

Operacioni

Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Brendshme bën me dije se “Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier, arrestoi për veprën penale të “Korrupsionit Pasiv”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, arrestoi punonjësit e policisë Bledar Naçi, me detyrë N/Specialist për Sektorin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier; Benard Fejza, me detyrë N/Specialist për Sektorin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier;  si dhe Gramoz Fasko, me detyrë N/Specialist për Sektorin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier”.

Kush është Bledar Naçi

Efektivi i policisë së Fierit, Bledar Naçi do të bëhej i njohur për veprimin e tij, kur më tetor të 2013-ës shmangu një tragjedi për një familje, duke parandaluar rrëmbimin e një të miture 7 vjeçe nga një 22-vjeçar. Gjesti i tij do të do të konsiderohej nga ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, shembull për Policinë e Shtetit. “Sapo pata kënaqësinë dhe nderin të telefonoja për të falënderuar personalisht Inspektorin e Rendit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Bledar Naçi për kurajon dhe vendosmërinë e treguar në parandalimin e rrëmbimit të një vajze të mitur në qytetin e Fierit. Nuk kam fjalë të përshkruaj shqetësimin e të ëmës së vajzës së vogël. Komunikova personalisht dhe ndjeva frikën e prindit, por edhe kërkesën për drejtësi në çdo fjalë të saj. Fatmirësisht, një tragjedi u parandalua falë Bledarit. Faleminderit Bledar! Sot je shembull për të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit. Djem si ti i bëjnë nder Policisë dhe na japin shpresën se ky vend mund të bëhet vërtet vendi, ku mbizotëron paqja, forca e ligjit dhe drejtësia. Krenar për ty dhe djemtë si t’i në Policinë e Shtetit!”, shkruante ministri Tahiri në “Facebook”.

 

Gjirokastër

Bizhga: Nuk pashë asnjë parcelë hashashi në Lazarat

Dy drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga dhe Altin Qato kanë vizituar dje fshatin e Lazaratit, i njohur për kultivim të kanabisit dhe si nga furnitorët më të mëdhenj në rajon. Por, ndërsa ka pirë kafe në një nga familjet e Lazaratit, kryepolici Bizhga ka deklaruar se nuk kishte parë asnjë parcelë kanabisi në këtë fshat. Madje, u ka sugjeruar gazetarëve të dërgojnë grupe pune për ta konstatuar vetë këtë gjë. “Shkuam me zv.drejtorin Qato si për të kaluar një fundjave, pa paralajmërim. Takuam njerëz në rrugë, na pritën shumë mirë. Pimë një kafe në qendër të fshatit. Si është gjendja?! Duhet të çoni grupe vetë aty të konstatoni si është gjendja. Unë gjykoj që gjendja është normale, ne nuk shikojmë sipërfaqe të kultivuara. Nuk kemi parë plantacione me kanabis”.” ka reaguar Bizhga. Ndërkohë që numri dy i Policisë së Shtetit nuk arriti të shohë nga vendi ku piu kafen parcelat me hashash, helikopterët e policisë italiane kanë identifikuar, filmuar dhe fotografuar plantacione të tëra me kanabis sattiva. Madje, kjo është pranuar nga drejtues të asaj kohe dhe kësaj kohe, ndërsa Bizhga dhe Qato nuk kanë mundur të shohin asnjë parcelë me kanabis.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency